Mikro-menaxhimi emocional dhe tekat e ndjesisë!

S. Guraziu, 2020 (Humoreskë)

A habitej si B shkruante për dashurinë pa qenë vetë e dashuruar. B iu përgjigj – Unë shkruaj për vdekjen po ashtu, pa qenë e vdekur fare.” – Cees Buddingh

Poezia mund të definohet dhe si “formë” finale e ndjenjave dhe parandjenjave, si kauzalitet, si “krijesë kauzale” e gjendjeve dhe paragjendjeve shpirtërore. Shi për këtë dhe kërkohet t’jetë “pasqyrim” sa më i saktë i universit internal, eko-lokim sa më besnik i klithmave shpirtërore e mendore. Ndjenjat s’kanë orar as itinerar, mendimet, emocionet dhe reaksionet mund t’vijnë e të shkojnë. Herë ndodhë eruptojnë, përvëlojnë si vullkani, herë vëshojnë si cunami… herë fashiten e zhduken fare.

Si krijues kurrë s’duhet patur frikë nga ndjenjat, nga Muzat, nga frymëzimet, nga shtytjet kreative… qofshin dhe diktate “demoniake” të Czeslaw Milosz. Duke i sjellur në jetë metaforat e simbolikat, kuptohet duhet të ndjesh atë që është më komode, më e përshtatshme personalisht. Të ndjesh është pjesë e jetës, kusht fare i natyrshëm i procesit jetësor. Të ndjesh është proces individual, skajshmërisht personal, kështusoj dhe është i ndryshëm për të gjithë. Si poet, nëse poet… atëherë është supozuar të ndjesh gjithqysh dhe gjithçka.

Nobelisti Czeslaw Milosz ishte dhe vetë poet ama ndjente keqardhje për poetët. Keqardhjen e vet e mbështeste në spekulimet se gjoja “poezia diktohet nga një intelekt demoniak, dhe do ishte ekzagjerim të pohohet se ky demon na qenka ndonjë engjëll i bardhë”. Tutje keqardhjen e vet Milosz do ta kristalizonte duke shtruar pyetjen “cili njeri i arsyeshëm do dëshironte t’jetë një qytet demonësh, të cilët sillen si në shtëpinë e vet, flasin në shumë gjuhë dhe të cilët nuk janë të kënaqur me vjedhjen e buzëve a të dorës, tek merren me ndryshimin e fatit të tij sipas rehatisë të tyre?”.

Poetët nga shumkush konsiderohen “specie” mjaft të çuditshme, mirëpo si poet (sa për veten) s’duhet ekzagjeruar: sado i çuditshëm… thjesht një frymor i zakonshëm, qenie njerëzore. Për fat të mirë poetët s’janë androidë internetik me butona, me fiber-optika, as krijesash të çuditshme bio-makinale. Ashtu do ishte tmerrësisht më keq. Anise, për hir të korrektësisë, dekadat e reja na kanë introduktuar me lloj-lloj vjershash “robotike”. Gjithsesi, si poet duhet t’ia bësh vetes të qartë, e ashtuquajtura “inteligjencë emocionale” ka t’bëjë me biznesbërjen, me përditshmërinë praktike të biznesit, assesi me poezinë. Mjaft njerëz madje s’u besojnë fare “shkencave” të tilla, sipas tyre t’i menaxhosh emocionet (gjoja në mënyrë të mençur) është thjesht një pseudo-shkencë më tepër.

Si poet, nëse thua “do shkruaj poezi” (bie fjala për humbjen e dashurisë, ose për humbjen e diçkaje të rëndësishme personale) kujtohu se nuk ka mënyrë të drejtë dhe as të gabuar për të ndjer. Sido që të ndjesh (në momentin e caktuar) mund t’jetë e drejtë po aq sa dhe e gabuar. Gjithashtu, nuk ka mënyrë të drejtë as të gabuar për reaksionet zinxhirore (nga eventet eventuale ndjesore). Si poet do nisesh se akëcili reaksion emocional, sikur dhe cilido formulim i mendimeve është parallogaritur t’jetë normal – normalitet absolut. Emocionet “reaksionare” dhe ngarkesat nuk konsiderohen të “jashtëzakonshme” as speciale – merret se janë fare normale, pasi dhe janë plotësisht natyrale.

Jesenini i ngratë po mendonte t’i jepte fund jetës së vet, imagjino sa keq ishte katandisur psiko-emocionalja e tij. Para se ta bënte, pati vendosur ta shkruante një poezi finale, diç si “lamtumirë poetike”. Mos vall duhet tani ta “gjykojmë” depresionin e tij, ndjenjën e tij të pikëllimit e të trishtimit? Apo mos vallë duhet ta “gjykojmë” një shpirt aq të pafajshëm si Sylvia Plath? Sigurisht që jo!
Poetët mund të ndiejnë e t’shkruajnë dhe për vdekjen e tyre, të reagojnë ndaj vdekjes së dikujt tjetër, ndaj sëmundjes, humbjes së punës, humbjes së aspiratave, humbjes së dashurisë, apo… për pasojat katastrofale të divorcit, ose dhe për cilëndo përvojë që e ka e lëkundur qenien e tyre, qe e ka ndryshuar jetën e tyre, qoftë një grimë apo dhe qoftë thelbësisht.

Natyrisht, në poezi mund të eksplorosh gjithçka, absolutisht gjithçka. Ndonjëherë duhet t’i ndash me lexuesin kujtimet, ndonjëherë gëzimet, ëndrrat, vizionet, ndonjëherë të vjen ta shpalosësh trishtimin, zezonat më të thella të shpirtit. Kurrë mos hezito t’i eksplorosh oazat e ndjesisë, shkrepe… shkrepsen poetike, vargëzoji ndjenjat si perlat në pentagramin e muzikës, shkruaje atë kryeveprën romantike, atë lirikën për Euridiken, apo dhe atë elegjinë prekëse njësoj si Orfeu i ngratë, le t’i rrotullohet zemra, e t’i rrjedhin lotët dhe vetë Hadesit, le t’lëkunden shpirtrat më të “rëndë” të kësaj bote.

Nëse shfaqet nevoja ta poetizosh zemërimin për një situatë, apo rreth një personi, ose nëse fjala t’na jetë për zemërimin në përgjithësi, thjesht bëje pra. Vjershërisht mund të shprehet gjithçka, mos i “menaxho” ndjenjat, emocionet, reaksionet. Gjithmonë shprehe lirishëm ndjenjën e fajit për mëkatet që i ke bërë gjatë jetës. Ose fare për të kundërtën… për gjërat që do duhej, e megjithatë s’i ke bërë.

Varësisht nga rrethanat personale, varësisht nga natyrshmëria emocionale, “lista” e varietetve, e ekspresioneve poetike është e pafund. Çfarëdo që t’shkruash, poezia mund të veprojë si një “bartëse” stilistike e ndjenjave për gjithçka të botës sate. Pa përjashtime, poezia mund t’i fosilizojë madje dhe hamendësitë lidhur me filozofinë, lidhur me sharllatanizmat e shamanëve, lidhur me pollavrat astrologjike, me legjendat, me mitologjinë, me shkencat ekzakte, religjionin, spiritualitetin, ose madje-madje dhe lidhur me kuptimin e vetë jetës sate si poet.

Ndonjëherë duhet ta falësh veten për neglizhencat intelektuale të së kaluarës, për gjithçka që do duhej ta kishe thënë ose bërë. Afërmendsh, vetëngushëllimi do jetë logjik, pasi mungesa e guximit intelektual nuk është tërësisht “faj” i poetëve. Ka shumë faktorë dhe ingrediente që e vulosin “karakterin” intelektual të poetëve. Shumë prej këtyre faktorëve nuk varen nga ta. Sigurisht, ndonjëherë duhet falur vetja dhe për sikletin që mund ta ndjesh sa i përket “nivelit artistik” të vetë krijesave… dmth. tek e shohin dritën si poezi nga pena jote.