E Zeza Suprematike, dhe Anti-Supremacia Poetike!

[ S. Guraziu – Ars Poetica, Maj 2020 – Persiatje: anatomia “filozofike e një poezie ]

Në biografinë e poetit theksohet se K. Wilson është një “Poet Afrilaçian”, term ky i cili do duhej t’i sillte në pah kontributet kulturore, qoftë historike qoftë ato aktuale, të artistëve, poetëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve afro-amerikanë, në rajonin Appalachia të ShBA. Thuhet se termi “Affrilachia” qe krijuar nga poeti Frank X Walker, duke iu referuar rajonit Appalachia (varg-male që shtrihen në 13 shtete përgjatë bregut lindor të ShBA, nga Mississippi e deri në New York). Termi i kalitur nga ai do duhej ta theksonte rëndësinë e pranisë afro-amerikane në Appalachia.

Andaj “Afrilaçia” duhet parë si një peizazh kulturor (ndër-rajonal) për ta bërë të padukshmen të dukshme, peizash kulturor prore në zhvillim e sipër. “Afrilaçia” përfaqëson ndikimin kompleks ndërkulturor të një spektri njerëzish të cilët identifikohen fuqimisht me sfidat, me provat e triumfet e të qënit banor i këtij rajoni.

Sipas fjalëve nga ata vetë, që nga v. 1991 “Poetët Afrilaçianë” shkruajnë dhe veprojnë të organizuar, duke kundërshtuar bashkërisht stereotipin koherentë të një rajoni gjoja të homogjenizuar racialisht. Përmes shkrimeve dhe përmes ekzistencës së enklavës së tyre, “Poetët Afrilaçianë” vazhdojnë t’i zbulojnë marrëdhëniet që lidhin identitetin shoqëror me rrënjët dhe prejardhjen, shtresimin socio-ekonomik dhe ndikimin kulturor, si dhe lidhjen e qenësishme me tokën.

***
Poezia “E zeza ka rëndësi” është një poezi mjaft interesante, në kuptimin sa më të ngushtë poetik e qartë se poeti thërret për respekt ndaj racës së zezë, secila qenie humanoide e meriton denjësinë njerëzore, secila racë e meriton denjësinë e barabartë me të bardhën. Gjithsesi, “filozofikisht” poezia e poetit Wilson sikur prek aq “thellë”. Sipas meje poezia e tij thuase mëton ta “përqesh” vetë ironinë e avancimeve shkencore të njeriut – në kontrast me absurdin e ngecjes në mjaft drejtime të tjera, e edhe dmth. sa u përket zhvillimeve, avancimeve socio-politike.

Poeti thuase e fshikullon vetë ironinë shkencore duke aluduar në “materien e errët” kozmike. E cila materie hipotetike përbën rreth 85% të gjithë universit, dhe rreth 1/4 të densitetit energjitik të universit (pra univers siç e njohim deri sot me shkencat tona). E megjithatë “materia e errët” është e padukshme, e paverifikueshme, deri sot përveç emërtimit “materie e errët” shkenca s’ka ofruar asnjë sqarim, asnjë diç që do ia vlente shkencërisht.

Po ashtu poeti aludon në “vrimat e zeza” kozmike. Mendja më briliante e shkencës sa i përket fizikës, Ajnshtajni pati thënë se “drita lakohet nga masa e trupave të rëndë”. Akademia britanike pati ndërmarr ekspeditë që (eventualisht) të vërtetohej kjo ide e tij, ekspedita pati konkluduar se Ajnshtajni kishte të drejtë – drita lakohet.

Në teorizimet e veta Ajnshtajni pati paraparë se drita do duhej të “lakohet” nga gravitacioni i ndonjë trupi të madh, psh. siç janë yjet, jo vetëm ata super-gjigantë por dhe siç është Dielli ynë. Shkencëtari Eddington do ta udhëhiqte ekspeditën për fotografimin e eklipsit diellor në v. 1919. Fotografitë patën zbuluar yje në sfondin e Diellit, drita e të cilëve (për të ardhur tek ne) afërmendsh duhej të kalonte pranë Diellit, ama shikuar nga pozita jonë në Tokë, pozicionet e tyre tashmë sugjeronin se drita medoemos do jetë “lakuar” (pikërisht siç kishte parashikuar Ajnshtajni). Përndryshe yjet s’do duhej të ishin aty ku shfaqeshin.

Ato foto të ekspeditës dhe sqarimet e shkencëtarëve në fakt do ishin dhe “çimentoja shkencore” e statutit të teorisë ajnshtaniane. Diç më të “guximshme” si teori, njeriu deri atëherë ende s’kishte dëgjuar. Teoria i ngjante pothuaj “lunatizmit”! Do kalonin dekada pasi “Relativiteti” qe publikuar, shkollarët e botës që e kuptonin pothuaj ende mund të numëroheshin me gishtat.

I njëjti Ajnshtajn do t’i quante politikanët e kohës “të verbër”, meqë s’i kuptonin “hipotezat” e mundshme lidhur me katastrofat nukleare, qofshin të qëllimshme apo aksidentale. Teksa ashtu pllakosur nga ambicjet politike, me vrapin kuturu për ta “pancirosur” energjinë atomike, sipas tij dhe ishin të “verbër”. Siç e dimë ShBA i pati “testuar” bombat atomike, bie fjala përpara se ta “zgjidhte” çështjen e racizmit – i bie që shkencërisht të përparuar, ama nga ana tjetër po aq dhe të “prapangelur”.

Sa u përket të drejtave të njeriut, na kujtohen rastet më ikonike të historisë së ShBA, na kujtohen psh. aktiviteti i Martin Luther King, na kujtohet Rosa Parks, Ruby Bridges… etj. etj. Dy dekada pas tragjedive nukleare në Hiroshima e Nagasaki, në v. 1960 vogëlushja 6-vjeçare Ruby Bridges duhej shoqëruar nga agjentët federalë për ta mbrojtur nga turmat rrugore të të bardhëve, për të siguruar integrimin e saj në një shkollë, atëherë në New Orleans. Ruby Bridges ishte fëmija i parë afro-amerikan të regjistrohej në shkollë publike (me të bardhët). Të bardhët – gjithandej shteteve të ShBA – në atë kohë ishin kundër vendimit të gjykates supreme për shuarjen e segregacionit nëpër shkollat publike.

***
Tutje, meqë “vrimat e zeza” të Ajnshtajnit janë diç si “trupa katran” të super-ngjeshur dhe me masë marramendëse, vetë drita e heq të zezën e më të zezës që t’u shmanget, që t’mos kullufitet nga to. Me terma të tillë hipotetikë, sikur fare logjike që dritës i duhet të lakohet, drita ajnshtaniane thjesht ua bën ngapak me “hile… vrimëzezave” të rënda, cilësdo zezonë kozmike. Drita duhet të “lakohet”, ekzistenca e saj varet nga lakueshmëria, nga fleksibiliteti luminar.

Vallë a nuk është “ironike”, materia suprematike e universit, 85% e materies universale është aso e “errët” e megjithatë vetë shkenca e pohon: s’e kemi idenë ç’na qenka kjo “materie”. Atëherë ndoshta s’duhet ta ngatërrojmë si “shkencë” teorizimin rreth shumçkaje, bie fjala rreth “vrimëzezave”. Qenë ndarë madje dhe Nobela për “detektimin” e valëve gravitacionale (si supozime ajnshtajniane – “valë gravitacionale” shkaktuar nga ndeshja e 2 vrimëzezave para miliarda viteve, teksa vërtiteshin diku në oborrin e paskajshëm kozmik) !

Teorikisht, “vrimat e zeza” formohen nga “morti” gravitacional i yjeve, në fund të jetës së një ylli, kur burimet e energjisë shterrojnë dhe proceset bërthamore shuhen, për arsye të fushës gravitacionale tepër të madhe (meqë dmth. masa e tyre është marramendëse), kthimi në “vrimëzeza” do jetë diç e pashmangshme.
E keqja është se shkencëtarët vetë s’i kanë parë tek formohen, madje as që kanë shans t’i shohin. Ose tekefundit na duhet të presim me miliarda vjet (le t’jetë, mund të presim, pse jo, shkencat i kemi super-fringo të reja – kemi pra kohë).

Rishtas, teorikisht, shkenca thotë se një yll i stërmadh, psh. një super-gjigant kuqalosh, vetiu është tepër masiv për t’shpërthyer në një supernovë. Dmth. s’do ketë ndonjë super-eksplozion, por nga masa e vet ylli i tillë kthehet drejtpërdrejt në një “vrimëzezë” masive. Sidoqoftë vdekja e tij, metamorfoza tashmë “zezonike” do gjenerojë një shpërthim valësh gravitacionale. Shih pra, s’na duhet patjetër ndeshja e dy “vrimëzezave” si event spektakolar kozmik, teorikisht i kemi të gjitha kushtet për “valë gravitacionale”, i kishte Ajnshtajni pse t’mos i kemi dhe ne.

Mirëpo, na pëlqeu apo jo, super-gjigantët yjor si dhe masat e tyre pothuaj s’mund t’i marrim as me mend. Andaj për fat të mirë super-yjet e tillë janë gjithmonë “super-larg”, s’mund t’i arrijmë as teorikisht as shkencërisht. Është ngjashëm me atë problematikën e njohur të “miliarda viteve”, si term teknik. Shkencëtarët klithin aq lehtë “miliarda vjet”, por ata mirëfilli e dinë se është pothuaj qesharake. E sidomos parë me lupën e kritereve shkencore. Meqë, si interval kohor, për mendjen tonë ngelet e pakapërthyeshme sa është (si kohë). Kalendarët s’e kapërthejnë, as mendja jonë s’e ka atë kapacitet. Thënia “miliarda vjet” mund t’jetë sa vetë pafundësia, sa vetë amshimi – qe shprehur një dikush. Në fakt, shikuar më “holl”, shkenca e sotme s’do duhej ta përdorte as termin “miliona vite”, pa le “miliarda… “!

Nëse nga hartografia kozmike helbete e hetojmë se një yll na “mungon” (pasi deri dje ishte… ja, pikërisht aty figuronte), prapë s’na garantohet se do ta detektojmë “vrimëzezën” e tij.
Jo vetëm sepse i gjithë kozmosi i errët, por sepse drita e yllit që deri dje e shihnim mund t’ketë udhëtur me qindra-mijëra vjet për t’ardhur tek ne. Nëse tashmë yll i vdekur… i fikur, kjo prapë nënkupton që drita e tij do jetë shuar qindra-mijëra vjet më parë. Rrezja e fundit nga ai yll i “djeshëm” ishte rreze e kushedikurshme. Dhe pra kur është fjala për të tilla largësi, e vështirë të detektohet diç e “zezë, brenda të zezës”. Kur yjet vdesin, kur drita shuhet… e zeza në errësirë (brenda të zezës) thjesht ngelet e padukshme.

Ndoshta prandaj dhe konkludojmë se 85% e materies universale është aso e “errët”, se gjithësia është duke u zgjeruar, se galaktikat duke u larguar nga njëra-tjetra tash e 14 miliardë vjet, që nga “Bangu” i Madh. Dhe atë secilën herë e më shpejtë, galaktikat përshpejtohen në largimësinë e vet. Sipas shkencës, në fund do ngelet një zezonë universale, një lloj boshësie që megjithatë s’është “bosh” (ndoshta 100% materie e errët)! Se ç’është kjo “zezonë kozmike” e sotme, dhe çdo jetë ajo që pason me zgjerimin e gjithësisë, s’e kemi idenë.

Shkencëtarët tash e 100 vjet (nga ideja e Ajnshtajnit) ende s’kanë qenë dëshmitarë të vdekjes së ndonjë ylli, ende s’e kanë parë formimin e një “vrimëzeze” yjore. Yjet ashtu krenarë, me miliarda vjet s’na e varin, mos vallë ndoshta dhe vdekja e tyre është diç tmerrësisht e ngadalshme. Shkencëtarët sikur s’e kanë durimin e yjeve për ta dëshmuar vdekjen e tyre. Vallë si do ta dëshmojnë ndonjëherë, kur kjo gjithësia që e shohim gjithnjë e më tepër duke u “zgjeruar”, duke ngelur pa dritën, duke e gllabëruar e zeza!

Vallë a nuk është ironike që hipotezat më të “avancuara” të shkencës së sotme kanë t’bëjnë me të “zezën”! Vallë a nuk është ironike që konfuzioni i së sotmes ka t’bëjë me “materien e erët” (hipotetike), me “vrimëzezat” (hipotetike), me “energjinë e errët” (hipotetike, e cila do duhej t’ishte një formë e energjisë që ushtron presion negativ, mbase supozuar të jetë diç si “energji zbrampse”, që i kundërvihet fuqisë gravitacionale).

Ka tashmë një shekull nga publikimi i teorisë ajnshtajniane, thuhet se është vërtetuar si “teori e vërtetë”, se teoria ka bazë shkencore. Në rregull, por vallë si mund të ndahen Nobela për verifikimin e valëve gravitacionale të lidhura me “fenomenet teorike-hipotetike, me miliarda vjet të vjetra”! Vetë s’e kam idenë, natyrisht.

Para disa miliardë vjetësh ndeshen dy “vrimëzeza” hipotetike të kozmosit, dhe (me ndihmën e “gravitonit” hipotetik, padyshim dhe ai i “zi”, diç si super-grimcë kurrë e zbuluar, përpos me hipotezat) hoooop në të gjitha drejtimet multi-dimensionale të universit (sipas string-teorisë madje dhe të multi-versit), niset diç si “cunami gravitacional”!

Fat i madh pra, fat që shkencërisht qëlluam “zgjuar”. Korniza kohore (një-shekullore) e jona ishte pikërisht “timing-u” i ardhjes së tyre tek ne, pas zgjerimit pandalë, me miliarda vjet! Mos vallë herë-herë valët të kenë frenuar, qëllimisht të jenë ngadalësuar enkas që t’i kapnim ne!
Përndryshe s’ka si sqarohet saktësia e tillë prej disa miliardë viteve, s’ka si sqarohet madje as vetë fati që na buzëqeshi! Në vend të graviton-valëve që i prisnim, mund t’na kishte ardhur ndonjë valë meteoritësh, bie fjala nëse t’ishim si dinosaurët “stampuar” me fatin e zi.

E sotmja e shkencës na i imponon lloj-lloj hipotezash, të gjitha thuase patjetër duhet t’jenë të “zeza”! Na imponohet ta shpallim 85% të gjithësisë si “materie e errët”, na imponohet “gravitoni” (i zi, padyshim), na imponohet “energjia e errët”, na imponohen “vrimëzezat”… booo, mos vallë gjithçka që shkenca ambicioze s’e ka idenë, na serviret si “diç e zezë” !

Dhe prapë, mrekullia s’mbaron me kaq, e keqja është permanente, asgjë nga këto të “zeza” s’mund të dëshmohet pa kaluar miliarda vjet. Ngushëllim që Dielli krenar, si një yll shkëlqimtar s’e ka ndërmend të shuhet dhe ca miliarda vjet. Ama ç’e do, kur ashtu-kështu do na duhen miliarda vjet për t’i vërtetuar teoritë e së sotmes. Bie fjala u desh të kalonin miliarda vjet që “valët e Ajnshtajnit” të arrinin pikërisht në pragun e shkencës sonë. Kësaj radhe qëlluam “zgjuar”, fort bukur.

Del se do kishte qenë gabim trashanik, nëse t’ishin kushtet për ndërtimin e detektorëve në kohën e Ajnshtajnit, del se do ishte djegie parash të mëdha. Imagjino, i ndërtojmë detektorët, ulemi me grepin dhe e presim peshkun, ndërsa “valët” askund, do vijnë këndej tek pas një shekulli. S’do pinte pra ujë as shkenca as durimi ynë, peshku s’do ta kafshonte grepin, sepse larg. Ajnshtajni vetë s’e dinte ekzaktësisht ardhjen e “valëve” këndej kah dera jonë, ama mrekullia do ndodhte saktësisht një shekull pas teorisë.

Duhej llogaritur me saktësi ndeshjen hipotetike të “vrimave të zeza” (event që ka ndodhur para miliarda vitesh), duhej llogaritur “timing-un” e saktë kur valët do kalojnë këndejpari, dmth. duhej llogaritur shpejtësia e tyre tek zgjerohen pafundësisë kozmike. Pasi t’i kesh llogaritur këso detaje, tek pastaj saktësisht në kohën e duhur piqen kushtet për ndërtimin e detektorëve. Natyrisht, kapja, detektimi i graviton-valëve pas miliarda viteve s’është diç e pamundur, kurrë s’duhet thënë kurrë. Sikur se, nënkuptohet, suksesi eventual i “kapjes” së tyre duhet festuar me shampanja e me Nobela.

Gjithçka në kohën e vet, për një shekull të gjatë mençuria e Ajnshtajnit duhej ta priste vërtetësinë e vet. Të merresh me marramendjen yjore, duhet durim jashtëzakonisht i madh. Nganjëherë përngutemi, na duket sikur s’e kemi atë durimin yjor. Sot, pas 6-7 dekadave duke u marrë me bombat e me atomikat, s’e kemi idenë çdo bëjmë me mijëra kokash bërthamore, me mijëra i ka vetëm ShBA, me mijëra të tjera Rusia moderne, pas asaj Sovjet-Erës dekadente. Uroj t’mos ngutemi duke i “çmontuar”, uroj t’mos ndodhë ndonjë “Bang” i madh, jo aq i madh sa “Bang-u” i shkencës, ama mjaftueshëm i madh sa për t’na hedhur në errësirën e ftohtë.

Gjithsesi, shkenca na i servir panumër hipotezash të pashmangshme, na ngushëllon se fati i gjithë universit është i panjohur, (që nga “Bang-u” i Madh) gjithësia secilën herë e më shpejtë duke u zgjeruar, yjet duke u larguar nga njëri-tjetri. Dmth. ashtu-kështu, herëdokur me “vrimëzeza” e me hipoteza do i hajë zezona kozmike!

E deshëm apo s’e deshëm, e zeza pra na qenka diç “suprematike”, privilegj i kozmosit. E bardhë drita, Diellin dhe mund ta quajmë bardhosh, apo të verdhë, who cares… asgjë s’e ndryshon faktin e errësirës së paskajshme rrotull tij. Supremaci fantomike, energji e zezë, materie errët, gravitacion i padukshëm, gjithçka e zezë strukur në errësirë. Le t’jetë, ama përderisa shkenca s’e ka idenë, e “zeza” e padukshme na qenka pra kot. Materia e errët që nuk shihet pra as nuk njihet. Krenaria e të zezës lind dhe vdes brenda vetes, as hijet dhe as e zeza s’kanë nevojë për frymëmarrjen! Shkurt, o s’janë ekzistente, o s’kanë vlerë!

 

Keith S. Wilson

E ZEZA KA RËNDËSI
Keith S. Wilson [ ShBA, “Poet Afrilaçian” ]

(pas poetit D. H. Lawrence)

të ta them, pra, se ekzistojmë?
erdhi përkujdesja e ndritshme,
blu dhe e bardhë.
policia si engjëj të qaravitur
për t’më bërë të hidhur.

dhe kështu, kjo: materia e errët
është hipotetike.
dije që s’mund të shihet

në pluhurin e barotit të lules,
në krimbin tek ngjitet betonit,
në njeriun që shtrëngohet t’mos flasë.

gojëmbyllja, oh gojëqepja.
sepse hija s’mund të frymojë.
hijet s’i privon fryma nga asgjëja.
krenaria

lind në të zezën dhe pastaj vdes në të.
e dëgjoj hijen tonë, dridhjen e ulët
të dorështrëngimit.

materia e errët është e padukshme.
ne vetë e themi: se si drita
lakohet rreth një trupi të zi,
dhe prapë s’do i shihni “aurat” e zeza,
madje dhe këtu, vetë duke jua thënë
qartë se ku ndodhen.

© K. Wilson – Burimi: “Field Notes on Ordinary Love” – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2020