Shetitorja më idileske e botës – Fb vs. sheshit “Skënderbej”!

(sguraziu – ap, q 2019)

Para ca viteve pata shkruar si shaka në një koment se Facebook i ngjanë asaj korzos së dikurshme të Tiranës. Sipas meje, lexuesi i komentit atëbotë duhej ta sillte ndërmend Tiranën e ’70-ave, ’80-ave, duhej t’i imagjinonte ato promenadat e buzëmbrëmjes kur thuase e gjithë Shqipëria do dilte në shesh. Të gjithë krenarë e ballëndritur, të lumtur, të buzëqeshur si yllkash e fatosash, pa përjashtime të gjithë në shesh. Nëse për hiçgjë tjetër, atëherë sa për ta ekspozuar krenarinë e ditës, e edhe sa për ta ngopur kureshtinë (kuptohet, të mërziturit dhe s’dalin të shetisin).

E lehtë për çupërlinat e për rininë, ama zor e gjithë Tirana të shtireshin “miq” mes vete, s’ma merr mendja se mund t’kapeshin për dore me gjithkend. Gjoja, teksa duke lëpirë akullore, të përhumbeshin në dalldinë e miqësisë.
Natyrisht, s’i detyronte kush të dilnin, s’kishte shtyrje as shtytje, përveç parakushteve të ujdisura psikologjike. Apo le t’mos ekzagjerojmë me shakalogjinë, le t’themi se nuk ishte çështje e shpalosjes së krenarisë, as “akordim” me ëndrrat kolektive.

Dihet se ecja rezulton në djegien e kalorive, ashtu-kështu në vetvete shetia është gjithmonë diç e shëndetshme. Dalja në shesh sadopak dhe parapritej nga rrethi i ngushtë i të njohurve dhe i miqësisë, ashtu ishin konditat “shoqërore”, thjesht hapash të relaksimit fundeskaj shetitores së madhe.

Nëse t’thoshim se ishte shetitorja më idileske e botës, padyshim pohimi do ishte fort afër vërtetësisë. S’kishte as makina as oshtima, as motoçikleta as trotineta. Decibelazhi i zhurmës kolektive duhet t’ketë qenë jashtëzakonisht optimal, vetëm klithmash gëzimi e lloj-lloj cicërimash. Ajri atëbotë filtërohej nga vetë mushkëritë e Dajtit, njësoj sikur dhe sot e kësaj dite, do ta mbushte secilin frymor gjallëri e freski. Gjallëria e turmës mbase do ta energjizonte njeriun ekstra, do ta mbushte me ca energji “rezervë”, atmosfera do t’elektrizohej, nga ai delir masash e gjithë korzoja do ndjehej “rinore”. Sepse qetësia shpirtërore do “lidhej” mes shpirtrash të pamumërt; do kishte ngrohtësi zemrash, kureshti e përcjellje me cepsyrin, qoftë të admirimit qoftë të zilisë, maratoniadë thashethemesh të vogla, buzëqeshje e shushurimash. Rrallë aty-këtu ndonjë çikletë… teksa ndonjë Romeo harrestar në nguti e sipër, meqë do vonohej për “takimin” me bukuroshen e kombinatit : )