Aspasia, “njësoj” si Helena e Spartës me dashuriçkat e me nxitjet!

(sguraziu – ars poetica, shtator 2020 – pak fjalë…)

Aspasia (470~400 p.e.s. – e dashura e Perikliut, burrështetasit të Greqisë antike) – t’jesh “nxitëse” luftrash e konfliktesh ja që pastaj penat e kronistëve s’ta falin. Të ekzekutojnë me drejtësinë e me pafajësinë, qofshin dhe vetëm opinione “arbitrare” kronistësh, tekefundit t’i ngjesin lloj-lloj nofkash e tiketash : )

***
Shkollarët nuk e fshehin skepsën lidhur me historicizmin rreth jetës së saj – rreth figurës së Aspasia ka një sërë portretizimesh kontradiktore, herë përshkruhet si një grua e ndershme e herë tjetër si kombinim i veseve kurtizaneske dhe aso prej prostitutash. Sipas Plutarkut, krahasohej me figurën e Targelia, një “hetaera” (prostitutë) e njohur për të cilën thuhet se na qenkësh martuar jo më pak por 14 herë.

Perikliu do t’ndikohej shumë nga Aspasia dhe ai do ta donte, mirëpo s’mund të martohej me të, pasi ajo nuk ishte qytetare e Athinës (ishte “metike” – ardhacake). Në Greqinë e lashtë “metik” ishte një rezident i huaj (dikush që s’kishte të drejta qytetarie në një polis të caktuar, qytet-shtet… në këtë rast psh. siç ishte Athina).
Sidoqoftë, Aspasia do ia dilte t’bëhej shumë më tepër sesa vetëm e dashura e Perikliut. Duke qenë e arsimuar, inteligjente dhe një oratore e shkëlqyer, ajo ushtroi ndikim të konsiderueshëm mbi të, do ta luante rolin e “këshilltares” për çështje politike dhe ushtarake, madje dhe do t’i shkruante fjalimet e ligjëratat e tij publike.

As bukuria e saj fizike s’mund të mohohej, Plutarku na e dëshmon se Perikliu vërtet e donte dhe se i qe përkushtuar tërësisht asaj – “…ai (Perikliu) e deshi me një dashuri të mrekullueshme; çdo ditë (kur ikte dhe kur khehej…) e përshëndeste dhe e puthte”… shkruan Plutarku.

Nga ana tjetër, Aspasia do gjykohej për gjëra fort serioze, Plutarku rrëfen se ajo do ndeshej me akuzën penale për “asebeia” (mosbesim në zotat, mosrespekt për hyjnoren, përdhosje dhe tallje me objektet hyjnore).
Po ashtu, derisa Aristofani e “fajëson” për nxitje të Luftës Peloponeziane (431-404 p.e.s.), burime të tjera thonë se në fakt Aspasia i pati nxitur 2 lufta, atë Samiane dhe Peloponeziane.

Meqë dhe Helena e Spartës ishte “shkaktare” e Luftës së Trojes (siç na është e njohur nga “kronikat” homeriane), atëherë logjike që dhe Aspasia ta meritonte nofkën “Helena” (dmth. nxitëse konfliktesh), mirëpo se mos vetëm kaq… ajo do t’i “meritonte” mjaft nofkash.
Ndër të tjera Aspasia qe etiketuar dhe me nofkën “Deianira” (të cilën mitologjia na e servir si një princeshë Kalidoniane). Emri “Deianira” mund t’përkthehet dhe si “vrasëse e burrit”, ose si dikush që i “vret burrat”.

Meqë Aspasia nuk e ka vrarë Perikliun realisht (ky pati ikur në botën tjetër shpirtthyer, i qenë vrarë dy djemtë e vet dhe qe katandisur si mos më keq nga depresioni e nga dhimbjet), mbase nofka i qe ngjitur thjesht (ashtu metaforikisht) si “nxitëse konfliktesh”… Afërmendsh, t’jesh “nxitëse” e Luftës Peloponeziane ja që pastaj penat e kronistëve s’ta falin. Të ekzekutojnë me drejtësinë e me pafajësinë, qofshin dhe vetëm opinione “arbitrare” kronistësh, tekefundit t’i ngjesin lloj-lloj nofkash e tiketash : )

Gjithsesi, Deianira ishte gruaja e atij Heraklesit të famshëm mitologjik – në versionet e mëvonshme të miteve pikërisht Deianira do ishte vrasësja e tij (duke e vrarë me “këmishën e helmuar nesusisane”).
Hm… vallë ta vriste atë të pamposhturin, vallë atë muskulozin e fuqishëm gjysmëhyjnor (“versioni” i romakëve ishte Herkules). Aq faqebardhë i pati kryer gjithë “detyrat”, i pati mundur sa e sa përbindsha, madje e pati kaptuar dhe vetë “Qenin e Hadesit”, atë Cerberusin e tmerrshëm, qen me shumë koka (sëpaku i kishte tri sosh)… tek i ruante portat e Hadesit (në mënyrë që të vdekurit t’mos iknin nga Hadesi, dmth. nga bota e të vdekurve – quhej Hades, njësoj si dhe perëndia-administratori Hades, vëllai i Zeusit e Poseidonit).

Ja pse asnjë i vdekur s’është “kthyer” kurrë nga andej, s’ka kthim as ikje nga e jetëpërtejshmja, nëse t’kesh vdekur dhe t’kesh vajtur në Hades do ngelesh përjetësisht atje, s’ka shans t’ia hedhësh Cerberusit. Pa le që ishte dhe aq i llahtarshëm, ndoshta po aq ose njësoj si vetë Meduza, qen-përbindësh me bishta serpentësh, pasardhës i atij Tifonit monstruoz.
Dhe pra kapja e “Qenit të Hadesit” ishte njëra nga “dymbëdhjetë detyrat” e Heraklesit, në fakt ishte “detyra” e fundit e tij. Gjithsesi, mitologjia nuk e fsheh faktin që Heraklesi ishte aq i famshëm për aventurat e panumëta, për heroizmat – e tani t’na mposhtej nga hiçasgjë, nga një këmishë… paçka se e helmatisur 🙂

[ pikturat ngjitur:

[ Pierre Oliver Joseph Coomans (1816-1889) – Aspasia ]
[ Jean-Léon Gérôme (1824-1904) – Sokrati duke kërkuar Alkibiadin në shtëpinë e Aspasia, 1861
[ Evelyn De Morgan (1855-1919) – Deianira, ~1878 ]

Pierre Oliver Joseph Coomans (1816-1889) - Aspasia

Pierre Oliver Joseph Coomans (1816-1889) – Aspasia

 

Jean-Léon Gérôme (1824-1904) - Sokrati duke kërkuar Alkibiadin në shtëpinë e Aspasia, 1861

Jean-Léon Gérôme (1824-1904) – Sokrati duke kërkuar Alkibiadin në shtëpinë e Aspasia, 1861

 

Evelyn De Morgan (1855-1919) - Deianira, ~1878

Evelyn De Morgan (1855-1919) – Deianira, ~1878