SG – Lipogram (Fals)

LIPOGRAM (FALS)
S. Guraziu, 2020

(“ka dy mënyra për t’përhapur dritën; t’jesh kandil, o pasqyrë e reflektimit të tij” – Edith Wharton)

Puthja, kjo vulë
e “lëngshme” n’xhamin
e thatë, lipogram (fals),
i shpuplosur tashmë,
pasqyrim mbrapsht,
gjoja kod strategësh,
top-sekret, për lexim
nga ana “andej, përtej
xhamit, stampuar
me afshin e nxehtë,
metaforë e ngjeshur
plot ndjenjë,
si “çorapet” e Nerudas,
si poezi e leshtë…

Vetëm buzët bëjnë
dritë – mbledh
shkarpa n’errësirë,
i vë zjarrin vetes
pa strall as fitil, varfërisht,
çdo fillim i vështirë,
dritëshkurtër,
as Naim as qiri i mirëfilltë,
reflektim stoik,
djegie sëgjalli,
as “gëk” as klithmë,
si dikur ai murgu
budist, me çdo xixë
të shpirtit kuantik,
në secilin libër,
vëllim poetik,
thuase buzë neoni,
luminale, bio-llambë
në errësirë, Homeri
i verbër buzë kraterit
të çmendurisë,
i kërkon buzët e tua,
ëmbëlsinë e poezisë.