(Shkenca në terma të thjeshtësuar – Tetor 2018)
Shkencëtarët thonë që njëra nga vetitë më misterioze dhe më të rëndësishme të materies është masa. Bukur kjo. Mirëpo dhe vetë “materia” mjaft e çuditshme. Fizikanët modernë bie fjala s’dinë ç’është “materia e errët”, vetë e kanë shpikur dhe pastaj vetë thonë s’e kanë idenë ç’është. Pavarësisht “mosdijes” shpikja merret fort serioze, dhe gjithmonë e përmendin. Madje spekulohet se “materia e errët” përbën jo më pak por rreth 85% të gjithë materies universale, dhe rreth 1/4 e dendësisë totale energjitike. Hm… dmth. e 85% “materie e errët”, s’e kemi idenë ç’është – sëpaku na ngelet 15% e asaj “materies” ordinere.
Gjithsesi, në thelb fizikanët janë mjaft të sigurtë që universi është i përbërë nga materia (s’ka rëndësi nëse e “errët” apo tjetër : ) Tutje materia është e përbërë nga grimcat bazike, akoma më thellë i kemi super-grimcat etj etj. Fizikanët besojnë se super-grimca të ndryshme janë përgjegjëse për t’ia dhënë materies vetitë e veta, shpesh veti interesante e madje dhe misterioze. Veç e thamë, njëra nga vetitë më të rëndësishme të materies është masa. Disa grimca kanë masë (psh. protoni, neutroni), disa të tjera s’kanë fare masë (psh. fotoni).
Në fakt fotoni kahdo që rrotullohet tepër enigmatik. Shtiret “dyfytyrësh”, e meriton nofkën “dyfytyrak i paturpshëm”, pasi me dyfytyrësinë e vet ka një shekull duke ia shtuar kokëdhimbjen fizikës kuantike, ndoshta më tepër sesa vetë “gravitoni” hipotetik. Dhe po ashtu, me gjasë ka ca grimca hipotetike që herëdokur duhet të “zbulohen”. S’e kemi fjalën për gravitonin… por fizikanët thonë se “Grimca e Zotit” ishte një grimcë e tillë, meqë ishin fort të sigurtë që ekzistonte dhe pritej të zbulohej.
Emri s’duhet ngatërruar, quhet “Grimcë e Zotit” mirëpo s’ka ndonjë lidhje me Zotin, është thjesht një nofkë simpatike, një pseudo-emër për grimcën bozonike të quajtur “bozoni i Higgs”. Realisht aq të sigurtë dhe s’janë, por fizikanët besojnë ta kenë zbuluar disa vite më parë, në v. 2013 në LHC (Large Hadronic * Collider) – CERN, Zvicër. Siguri 100% s’duhet kërkuar, rëndësi ka që fizikanët tashmë e kanë besimin mjaft të “siguruar” se bozoni i Higgs ia jep masën materies.
E përmendëm (disa herë tashmë, sepse e rëndësishme) që njëra nga vetitë më misterioze dhe më të rëndësishme të materies është masa. Pra bozoni i Higgs ishte ide e madhe, shpikje e madhe, teorizim i madh, spekulim i madh, parapritje e madhe, sëfundi (përfundimisht) dhe zbulim i madh – ishte njësoj si t’ia lidhësh grykën një thesi të mbushur plot parapritje e padurim, me vite e me vite duke pritur, duke teorizuar, duke shpenzuar, duke shpresuar.
Ashtu-kështu shkencat që merren me misteret e universit s’duhet kapur për fyti. Fizikanët shpikin lloj-lloj termash, herë të qartë e herë fare të turbullt. Psh. s’dinë ç’është graviteti, ka një shekull “fajet” ia hedhin gravitonit hipotetik. Ose e shpikin “materien e errët”, e shpikin pa e patur akoma idenë ç’është, tekefundit vetë ashtu thonë… dhe çfarë pastaj, s’shembet as bota as universi ; )
Edhe pse “modeli standard” i Fizikës së Grimcave i ka disa boshllëqe të mëdha – thonë shkencëtarët, duke përfshirë gravitetin, dhe disa kontradikta serioze eksperimentale… megjithatë është sistemi më i mirë që kemi deri sot – sistem shkencor që përpiqet t’i përshkruajë përbërësit, forcat dhe reaksionet thërmijore, vetitë e konditat, bashkëveprimet e grimcave e të super-grimcave, si “blloqe ndërtimore” të materies universale.
* Hadroni – një lloji grimce nën-atomike, përfshirë dhe barionet e mezonet, që mund t’jetë aktive (pjesëmarrëse) në të ashtuquajturin bashkëveprim i fuqishëm – protoni (që e gjejmë në bërthamën e një atomi) është i përbërë nga tre kuarkë dhe është një hadron.
(Shkenca në terma të thjeshtësuar – Tetor 2018)
