“Vikingesha Lagerta” (Art Digjital)

“Vikingesha Lagerta” (Shkolla Kineze e Artit Digjital – YCF)
(sguraziu – ars poetica, n 2020 – pak fjalë…)

(…sipas serialeve filmike vikingeshat janë thjesht të paarritshme – e tillë duhet t’jetë dhe Wonder Woman… përndryshe s’do ishte aspak “wonder” : )

“Vikingët” është një seri-dramë historike, prodhim Irlandezo-Kanadez i v. 2013, bazuar në emra real të shek. VIII-IX, por në heroizma të imagjinuar të vikingut Ragnar Lotbrok, një hero legjendar skandinav i epokës së vikingëve, një trim fort ambicioz si dhe plaçkitës i zoti.
Atëbotë luftrat dhe vërtiteshin pakashumë rreth plaçkave, tekefundit ashtu do “paguhej” mundi i luftes, ashtu do dëshmohej triumfi (nëse duhet ta kalosh detin për t’u kthyer në “shtëpi”).
Ok, mbase situata e Cezarit me kampanjat e Galisë, strategjikat e tij ia mundësonin më ndryshe, jo patjetër për lakmi. I ngrati Cezar, pas triumfit mbi galët në vend që t’gëzohej Roma, atij i duhej t’i “ndiqte” tashmë vetë romakët, dhe atë nëse nevoja deri në Ballkan për t’i sfiduar e për t’i mposhtur.

Ama “situata” e vikingëve ashtu ishte, duhej të dilnin fitimtarë herë në Angli, herë në Nortumbri a herë në Franci, dhe pastaj asgjë, duhej kthyer me sa më shumë plaçka. Ragnar Lotbrok ishte tmerri i Anglisë dhe i Francisë gjatë shek. IX. Në serinë filmike, roli i kryprotagonistit Ragnar qe luajtur nga Travis Fimmel, aktor australian, ndërsa gruaja e tij, Lagerta qe luajtur nga Katheryn Winnick (shih foton), aktore kanadeze.

Korrektësia historike e serisë nuk është dhe aq e fortë, siç e thamë më shumë është imagjinatë e hijeshuar për “artin e shtatë”. Figura e kryeheroit Ragnar bazohet kryesisht në një numër sagash, kuptohet si personazh historik dhe mund ta ketë një bërthamë të sado-kudoshme të vërtetësisë. Gjithsesi historianët flasin për jokorrektësinë historike të serialit. Psh. Ragnar do ta plaçkiste Parisin e asaj kohe, ama plaçkitja do vinte pothuaj një shekull më vonë, rreth v. 845 (e jo siç paraqitet në filmin). Pastaj, derisa “vëllai” i Ragnar, trimi i madh Rollo është një figurë historike e dokumentuar, megjithatë pra ai do lindte rreth një shekull më vonë, ai do vinte në jetë tek rreth v. 846, dhe kuptohet s’mund ta sulmonte Parisin krahëpërkrah kryetrimit Ragnar!

Tutje, seriali “Vikingët” na e thotë troç se askush s’mund të shtyhet me një Lagerta (me gruan e trimit Ragnar), as Valkyritë e mitologjisë… as Brunhildat e historisë. Zor t’ia kalojë kush vikingeshës Lagerta për trimërinë e për zotësinë. Përveç ndoshta Wonder Woman, kësaj dhe do i kishte hije, sëpaku nëpër shiritat modern të Hollivudit, meqë dhe është “shpikje” nga strip-librat, dhe duke qenë e bija e Kryezotit të Olimpit, Zeusit.
Kur flitet për femrat luftëtare, për trimëreshat e kohës së vikingëve, kuptohet zakonisht fjala është për burimet folklorike dhe të mitologjisë skandinave. Në serialin “Vikingët”, Lagerta thjesht bën kërdinë si luftëtare, është e pamposhtur, jo vetëm si trimëreshë… por dhe si diplomate e zonja, aventurat e saj thjesht s’janë kufizuar në imagjinatën e skenaristëve. Përveç aferave diplomatike ndërfisnore (ndër tribalizmat e “atdheut”), vikingesha i kalon dhe përtejdetrat, qoftë përkrah burrit qoftë pa të, e sfidon dhe libidon e mbretërve, pastaj të prijatarëve vikingianë, e çfarë tjetër jo…

Kur flitet për trimëreshat e kohës së vikingëve, zakonisht mendohet në “Vashat e mburojës” të cilat përmenden nëpër sagat, ato shfaqen dhe në historinë e popujve të tjerë germanikë. Trimëreshat mitologjike të ashtuquajtura “Valkyri” dhe mund t’jenë frymëzuar njësoj (dmth. njësoj me tregimet e tilla për “trimëreshat e mburojës”). Shembuj femrash luftëtare që janë përmendur me emra në sagat skandinave, si të zonja të shpatës dhe të mburojës janë trimëreshat Brunhilda dhe Hervor.

Sidoqoftë, vërtetësia historike e femrave luftëtare të vikingëve për historianët është me mjaft pikëpyetjesh. Ndonjë studiues do pohojë se ato ekzistonin, shkollarë të tjerë do ta përmendin mungesën e provave për trimëreshat “profesioniste” të luftës. Dihet vetëm per disa raste të aty-këtushme, ndonjë grua ndodhë të ketë marrë pjesë në luftë përkrah burrave, por aq rrallë, njësoj siç dhe Shotë Galica. Nëse t’më pyeste kush, ashtu si një johistorian do e mbaja “anën” e shkollarëve skeptikë. Mitet dhe baladat folklorike janë diç tjetër, vetëm ndonjë rast i trimërisë shotë-galiceske ndër vikingët s’e ndihmon sigurinë e ekzistencës së Lagertave, apo jo. Sipas legjendave filmike vikingeshat e tilla si Lagerta janë thjesht të paarritshme, sepse përndryshe s’do ishin aspak “legjendare”. Njësoj e paarritshme duhet t’jetë dhe Wonder Woman… ndryshe s’do ishte aspak “wonder”, apo jo : )

[ Ngjitur: majtas – referenca fotografike, dhe djathtas vepra e një artisti kinez, punuar me veglat digjitale – ekspozitë e arkivuar studentore e artit digjital – YCF, një shkollë virtuale kineze, nga Xiamen, Kinë, e specializuar për trajnimin e studentëve në artin digjital ]