“Poker face” e maskuar – Elegji për buzëqeshjen…

sguraziu – ars poetica, n 2020 – humoreskë

…para kohës së maskave njerëzit aq të sinqertë, gjithçka e lexonim në fytyrat, askujt s’i shkonte mendja për maska, as aso emocionale as tjetërfare, përveç kirurgëve s’i përdorte kush, madje as gjinekologët, vetëm kirurgët dhe ata mikro-biologët… dmth. ata të rrezikshmit e laboratoreve, ata që s’e kanë idenë ç’do shpikin a zbulojnë, kurrë s’dinë cilin mini-monster do ta sjellin në jetë, s’e kishin idenë eksperimentologët e Kinës, njësoj s’kanë ide as ata të Prishtinës, sepse të tilla janë mikro-shkencat, të paparapara po aq sa dhe të rrezikshme, nga paparashikueshmëria dhe nga mosdija vajti puna aq larg, tani na imponohen maskat, dhe nëse t’i harronim të gjitha “pasojat”, imagjino sa i dhimbshëm fakti që njeriu s’i sheh tutje buzëqeshjet, mikro-shprehjet, asgjë…

…siç e dimë, historia e maskave njerëzore është diç si “zero absolute”, joekzistente, maskat s’i pati praktikuar as aristokracia më e pispillosur e Evropës, ata aristo-maniakët mbanin dorëza dëborë të bardha (njësoj si Michael Jackson-i), s’e mohon kush që aristokratët i kishin lloj-lloj vesesh të çuditshme, ama sa për maska s’iu pati vajtur mendja, maskat thjesht s’i ka përdorur kush, as mbret as milet, historia s’di gjë, për ta siguruar pohimin sadopak, kur themi “historia” natyrisht s’e kemi fjalën për kohëlinjën prekambriane të qenësisë, për proterozoikat, për eonotemat, eratemat, për epokat as për periudhat eonike… jo aq gjaaaatë, thjesht kur flitet për disa mijëra vjet të “njeriut të vonë” historia e maskave është zero – përveç një rasti të izoluar në histori, përveç Michael Jackson-it (i ngrati s’kishte faj, ndoshta e parandjente që herdokur do ta helmonin), Jackson-i ishte yll dhe i duhej të shëtiste gjithandej, herë për koncerte e herë për evente, ai ishte thjesht 1 rast i vetëm, një “Jackson” unik… tani aq e lehtë ta kuptojmë paranojën e tij – përndryshe gjatë gjithë historisë njerëzore maskat s’i mban mend kush, s’kanë ndodhur kurrë, absolutisht kurrë…

…sot na imponohet shumçka, ndër tjerash fatkeqësi na imponohen dhe maskat, skajshmërisht diç e shëmtuar, jo vetëm sepse maskohet bukuria jonë por sepse na mbulohet buzëqeshja, me anë të buzëqeshjeve shpirtrat “salutohen”, përshëndeten mes vete, ato mikro-ekspresionet faciale e shpalosin “shpirtin” tonë, andaj na duhen fytyrat e pamaskuara… jo medoemos fjalët, le t’mos jemi as gojëmbël, s’i bëhet kujt vonë, mund t’ishim dhe pa gjuhë, të shtireshim memec, ta sforconim atë heshtjen engjëllore, fytyra prapë do e shpaloste gëzimin tonë, do shkëlqente njësoj siç shkëlqejnë dhe sytë (tjetër që qelqurakja e syve reflekton më tepër dhe na bëhet sikur shohim vetëm shkëlqimin e tyre) – s’e vrasim mendjen kurrë ama fytyra e ka “gjuhën” e vet, i ka fjalët e veta, fjalorin e vet, ato mikro-shprehjet imcake, të padukshme…

…imagjino, del njeriu “promenadë” qytetit dhe hiçkujt një buzëqeshje, askujt një shenjë, qepallash të fiksuara, as piptimë as pulitje; thjesht “poker face”, fytyrë e ftohtë kukullatike, e drunjtë a e akullt… e gdhendur prej akulli mbi torzo, asnjë mikro-hiç n’lëvizje – fort e çuditshme, njerëzia s’do ta kuptonin, zakonisht shumë gjëra “faciale” pritet të ekspozohen, të dalin në shesh, sëpaku buzëqeshja… sepse ashtu shpirtrat flasin mes vete, ashtu merren vesh, gjatë gjithë evolucionit të specieve shpirtrat ashtu janë marrë vesh, Darvini s’e pati përmendur por duhej ta theksonte se evoluojnë mbase bio-organizmat ama jo dhe shpirtrat (si na evoluaka vallë jomateria, pa le që religjionet shpirtrat i sqarojnë si “frymë” hyjnore), jo pra… nonsens, e dinte dhe ai se buzëqeshja s’është e gjitha, s’është “roman”… ama ja që është një nga “format” më të rafinuara stilistike të gjuhës fytyrore-shpirtërore…

[ Fotoja: Gettyimages – Pop-këngëtarja amerikane Lady Gaga gjatë eventeve të ndryshme, 2020 – kuptohet, sikur dhe ajo vetë, hit-kënga e dikurshme e saj “Poker Face”, 2008 është e njohur ndërkombëtarisht…]