“Pangea” zanafillore, dhe info-oqeani i marramendjes!

sguraziu – ars poetica, n 2020 – koment

(…sot njeriut mbase i duhen aq shumë “filterë” të mendjes, për t’iu shmangur sadopak marramendjes – shkencat e pseudo-shkencat aq të njëllojshme, aq të ngjashme, aq “njësoj”, shpesh thuase të “pandashme”, e vështirë të dallohen, secilën herë e më e vështirë të ndahet “shapi prej sheqerit”…)

***
Në një artikull kinez (publikuar në Maj 2020), mbrëmë mësova se SARS-CoV-2 na qenka patogjen “oportunist”, se mund ta afektojë dhe trurin në fakt, se nuk duhet nënvlerësuar që virusi mund ta pushtojë trurin përmes rrugëve të shumta, psh. përmes “rutave” vaskulare dhe periferike nervore…
Hm, nëse kështu pohojnë kinezët, atëherë herët o më vonë do na e thonë dhe perëndimorët. Pa le që shkencat e mirëfillta është supozuar t’jenë njësoj, 100% të “sinkronizuara”, shkencat s’i njohin kufijtë, barrierat mendore, kulturore, politike, qofshin kineze a eskimeze.

Siç e dimë, kinezët ishin ata që na e “thanë” lajmin për virusin, ata ishin të parët. E besonim atëherë, apo s’e besuam… ja tani e gjithë bota e pandemizuar. Disa nga politikanët madje do t’pezmatoheshin, do t’i akuzonin kinezët për çmos, ç’nuk iu shkonte mendja, lloj-lloj akuzash dhe idesh “monstruoze”; për motive anti-humaniste, për akt anti-njerëzor, për “virus laboratorik, të qëllimshëm, të paramenduar”…

Rreth COVID-19 ndodhë mësojmë ndonjë gjë që s’na e thonë zyrtarët e qeverisë, sepse infot e thjeshta për popullin duhet t’jenë sa më të thjeshta. Nëse aty-këtu kureshtarë, për detaje e për info më komplekse na takon të kujdesemi vetë. Psh. mund të “ushqehemi” sadopak nga shkencat e artikujve (për aq sa mund t’i kuptojmë konkluzionet e shkencëtarëve). Tashmë gjithçka publikohet dhe virtualisht, dmth. artikujt deponohen dhe në Internet.
Gjithsesi, asfare e lehtë, s’ka si t’jetë e lehtë. Derisa shkencat e dikurshme na ishin se ç’na ishin, vetë ai Njutni i madh na shtirej gjoja si ndonjë “Shekspir i shkencës”, pati bërë çmos që “Principia” të tingëllonte sa e më e pakuptueshme – e megjithatë sikur i pati vajtur mundi kot, libri i tij prapë s’na dukej aq i “koklavitur” : )

Le t’kalojnë sa të duash shekuj, mundi njutnian i kompleksitetit të qëllimshëm do na duket madje simpatik. Tashmë shkencat vetvetiu teper komplekse, s’i kuptojnë as vetë shkencëtarët (përndryshe do akordoheshin), gjërat janë koklavitur sa vetë marramendja. Cilido kureshtar humanist, cilido i brengosur për fatin e njerëzimit (dmth. i brengosur rreth pandemisë), nëse të tentonte sadopak informim, me shkencat e tanishme s’do ia dilte assesi. Mbase do ia dilte sa për t’u çmendur – sa i përket mençurisë kam frike do dështonte.

Kureshtarët jo se jo, por madje dhe shkencëtarët e mirëfilltë s’e kanë të lehtë t’i përcjellin me mijëra e dhjetra-mijëra artikuj. Kam përshtypjen secili prej shkencëtarëve ashtu tinëz ëndërron që herëdokur e sotmja qesharake, procesimi i dhjetra-mijëra artikujve përfundimisht t’i “dorëzohet” mrekullisë kuantike. Një mençurak kuantik, një gjigant si ciklop me syrin që sheh gjithçka, tek ftohet diku në fund të oqeanit, diku në “qendër” të planetit (që t’kenë akses të gjithë), dhe voila… Të ngratët shkencëtarë do shpëtonin, do merreshin tutje jo me procese por me rezultate, do merreshin vetëm me statistikat shkencore, me vulosjen e eksperimenteve, me logjikat e me urtësitë derivative.

Për lexuesit ordinerë, për kureshtarët e rastit, imagjino sa e lehtë do ishte sikur materia e mijëra artikujve rreth pandemisë të servirej si info e thjeshtë, e thuktuar në një fjali të vetme. Diku në një faqe të vetme internetike. Infot e rëndësishme rreth pandemisë, rreth virusëve… nëse aq të rrezikshëm na qenkan, sa të pandemizohet i gjithë planeti, atëherë garant që kureshtarët do mjaftoheshin me metodat e thjeshtësimit, njësoj siç iu sqarohen fëmijëve shkencat e raketave dhe të orbitave (apo jo 🙂

Dhe… sikur kjo marramendje e shkencave t’mos na ishte e mjaftueshme, për fat të keq është dhe ana tjetër e marramendjes. Bie fjala, tashmë shkencat e pseudo-shkencat aq të njëllojshme, aq të ngjashme, aq “njësoj”, shpesh thuase të “pandashme”, e vështirë të dallohen. Si të dallohen vallë kur ashtu-kështu të dyja fushat (dmth. shkencat dhe pseudo-shkencat) marramendësisht të avancuara… Secilën herë e më e vështirë të ndahet “shapi prej sheqerit” (apo jo 🙂

Njësoj sikur dhe me kokëdhimbjen rreth “lajmeve fals”. Me bum-in informatik të dekadës së fundit, secilën ditë e më tepër na është vështirësuar ta besojmë çdo gjë që e lexojmë. “Agora” internetike tashmë është ai sheshi ku defilojnë gjithë mediatikët e planetit. Një shesh i vetëm, si aqua-oqean virtual rreth e rrotull Pangea-s zanafillore, ku secili mund t’i kapë peshqit e vet.
Nga gjithandej, nga rreth e rrotull planetit s’ka TV që s’na ofron “streaming”, s’ka TV që s’na joshë me videot në “kanalin” e vet internetik, s’ka shtëpi mediatike që s’na fton t’bëhemi fansa në Fb a Youtube. Kemi madje lajme, “infotainment” shkencor dhe nga atje lart, nga stacionet orbitale, ndoshta dhe nga stacionet e Arktikut (anise kjo e fundit vetëm si “ndoshta”, meqë s’jam i sigurt : )

Kuptohet, duke i përjashtuar Amishët dhe pafajësinë e tyre teknologjike, i gjithë planeti tashmë sikur vlon nga valët eterike. Ishte 4G, tashmë na duhet Gjenerata e 5-të e marramendjes, na duhet 5G sepse s’na mjafton, jemi të pangopshëm me shkencat e informatikat. I kishim 2 traka të magjistrales, tashmë super-autostradë me 5 traka, të nesërmen padyshim dhe 7G do jetë pak.

Shkurt, marramendja e kureshtarëve të rëndomtë tashmë ballafaqohet me panumër burime të pasigurta. Sot njeriut i duhen aq shumë “filterë” të mendjes, për t’iu shmangur sadopak marramendjes, i duhet kujdes sistematik që t’mos ia hedhin me lloj-lloj “breaking news”, me lloj-lloj shkencash e idesh, që t’mos ia hedhin euforistët e Internetit, teoricienët e panumërt të ideve konspirative etj. etj.

***
Sa i përket informimit zyrtar holandez rreth COVID-19, e gjithë popullsia (17 milionë banorë), gjithë ekspertët e shkencës, virusologët, kompetentët e shëndetit në nivel kombëtar, të gjithë ata të mjedisit dhe të brengave ambientale, e kuptohet dhe zëdhënësit e politikës (së bashku me “ekzekutivët”) gravitojnë rreth RIVM – Rijksinstituut voor Volksgezondheid en Milieu (Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Ambientin), RIVM është diç si ai “pulti qendror” me butonat, me diagramet e shkencës, ai centralizimi i shkencave dhe i statistikave fundimtare, ajo bërthama e shëndoshë informatike, dhe vetë Kryeministri afërmendsh që fillimisht i duhet të pajiset me shkencat dhe me këshillat e RIVM, tek pastaj ta hapë gojën për planet e për mençurirat – dhe bukur, RIVM si institut e ka për detyrë t’jetë i informuar e vigjilent, i aktualizon të dhënat dhe ia përcjell popullatës infot bazike me fjalët më të thjeshta, psh. sqaron se shumica e njerëzve që infektohen do kenë simptoma të lehta deri të moderuara, se shërohen vetiu pa qenë nevoja të hospitalizohen (madje s’duhet vizituar as mjekun e shtëpisë, mjafton telefonata me asistenten e tij)… tutje sqaron se simptomat e zakonshme janë ethet, kollitja e thatë, lodhja… etj etj., tutje thotë se duhet respektuar masat parandaluese, direktivat dhe këshillat për higjienën, për maskat, për distancën… etj etj., tutje statistikat e tyre thonë se më 3 Korrik kishte vetëm [ 22 ] të infektuar, ndërsa më 31 Tetor [ ~11.000 ] të infektuar.
Nga 22 dhe hooooop 11.000 të infektuar, e lehtë të kuptohet… s’ka më bukur sesa “thjeshtë”!

***
/ citat – shkëputje (en) /
“…In addition to major respiratory distress, characteristic neurological manifestations are also described, indicating that SARS-CoV-2 may be an underestimated opportunistic pathogen of the brain. Based on previous studies of neuroinvasive human respiratory coronaviruses, it is proposed that after physical contact with the nasal mucosa, laryngopharynx, trachea, lower respiratory tract, alveoli epithelium, or gastrointestinal mucosa, SARS-CoV-2 can induce intrinsic and innate immune responses in the host involving increased cytokine release, tissue damage, and high neurosusceptibility to COVID-19, especially in the hypoxic conditions caused by lung injury. In some immune-compromised individuals, the virus may invade the brain through multiple routes, such as the vasculature and peripheral nerves…”
[ 2020, May 4 – “Neurological manifestations of patients with COVID-19: potential routes of SARS-CoV-2 neuroinvasion from the periphery to the brain”
Authors: Zhengqian Li, Taotao Liu, Ning Yang, Dengyang Han, Xinning Mi, Yue Li, Kaixi Liu, Alain Vuylsteke, Hongbing Xiang
Published in: “Frontiers of Medicine” – Beijing: Heidelberg: Higher Education Press; Springer ]