Absurdizmi filozofik – Konflikti mes ekzistencës universale dhe racionalizmit ekzistencialist

Unë rebeloj, andaj ekzistoj” – Albert Camus
(absurdizmi filozofik – konflikti mes ekzistencës universale dhe racionalizmit ekzistencialist)
sguraziu – ap, n 2020 – pak fjalë...

S’duhet mohuar, problemi me universin dhe me kuptimin ekzistencial (në kokën e njeriut) është mjaft “problematik”. Derisa Descartes do pandehte “cogito ergo sum”, dmth. i mjaftonte të “mendonte, andaj dhe ekzistonte” – tashmë “absurdisti” Camus mendonte se vetëm të mendonte nuk do mjaftonte që t’ekzistonte, përveç mendimit i duhej t’ishte dhe rebel, shpirt dhe intelekt i rebeluar… tek pastaj do t’ekzistonte ?
Nobelisti francez i letërsisë, Albert Camus (1913-1960) ishte i 2-ti për nga mosha (44 vjeç) që ta merrte Nobelin në v. 1957, por 3 vite më vonë vdiq, iku në jetëpërtejmen e amshimit aq i ri, ndërroi jetë në v. 1960. Njërën ndër veprat e tij do ta titullonte “Rebeli” (ndër tjera të mirënjohura, si psh. “I Huaji”, “Miti i Sizifit”, “Rënia” etj.)
Parë nga aspekti filozofik, pikëpamjet e tij (nën “ombrellën” filozofike, kuptohet edhe kontributet letraristike e zhurnalistike) kontribuan në ngritjen e mendimit filozofik të njohur si “Absurdizmi”.

Meqë ekzistenca (apo universi ynë si tërësi), si dhe nga ana tjetër mendja njerëzore (si sfiduese, racionaliste) nuk e shkaktojnë secila veçmas “absurdin”, është në fakt diç e përkundrazuar, është diç si rrjedhojë konfliktuoze.
Në kuptimin filozofik “absurdi” lind nga natyra kontradiktore e të dyja ekzistencave njëkohësisht, dmth. është konflikt i ekzistencës universale dhe i mendjes sonë (mbase “ekzistencialiste” – paçka se Camus s’do pajtohej që ta rangonin ndër “ekzistencialistët” e filozofisë).
Në filozofi, “absurdizmi” i referohet konfliktit mes tendencës se njeriut për kërkim të vlerave, për kërkimin e kuptimit të qenësishëm të jetës apo të ekzistencës, dhe mes paaftësisë njerëzore për ta gjetur ndonjë kuptim satisfaksional, pasi kemi t’bëjmë me një univers mjaft të “pakuptimtë”, kaotik, irracional dhe të pakapërthyeshëm mirëfilli me mendjen tonë.

Prore na duhet një “bazament” i palekundshem, andaj sikur na imponohet pandehma se e kemi “kuptuar” tashmë universin, sikur e njohim natyrën universale dhe qëllimin ekzistencial, e dimë ndoshta dhe misionin trans-universal etj. etj. Kahdo që kemi shëtitur me “ekskursionet” filozofike të shekujve, në fund sikur rishtas ngelim me atë paradoksin sokratik nën sqetullat, thuase na ndizet ajo llamba “e dimë që asgjë nuk dimë”.
Ajo këmbëngultësia “problematike” e pasigurisë kurrë s’na shqitet, vallë si ta dimë që vërtet e dimë?! Nëse e ditkemi atëherë voila… do buzëqeshte mbase dhe vetë Zoti, do mallëngjehej sepse më në fund ia “zbuluam” sekretet, kot na i fsheh ëmbëlsirat e karamelet, kot lodhet me misteret,

Pra s’duhet mohuar, apo jo – problemi me universin dhe me kuptimin ekzistencial gjithmonë ishte dhe ngelet “problematik”. Se mos vetëm Camus pati vendosur të “rebelohej”, në fakt e gjithë filozofia njerëzore është thjesht diç si “rebelizëm”, intelekti assesi s’pajtohet me errësirën e injorancës.
Madje dhe nëse t’bëheshim ngutulushër si ai mustakologu Niçe dhe të deklaronim “Zoti ka vdekur”, e lehtë me deklaratat, ama çfarë pastaj, si ta kemi sigurinë? Vetë Niçe pati ngelur duke e dredhur mustakun, s’kishte si ta mprehte dhëmbin e “sigurise”. Imagjino… ende pa e “ditur” mirëfilli ç’është universi, pa i ditur as planet as qëllimet universale… atëherë do dilte në pah se vërtet qenkemi rebelë, ëmbëlsisht të rebeluar, diç ngjashëm si kryeneçësia fëmijërore (dmth. duke qenë “infantile” natyrisht se kryeneçësi e pafajshme). Pa le që Camus ashtu do kishte fort të drejtë. Shkurt, e lehtë ta kuptojmë se vërtet ishte rebel, andaj dhe ekzistonte : )