Shqiptarët, andej-a-këndej, “njësoj” shqiptarë!

(S. Guraziu – Ars Poetica, J 2021 – Koment, apo diç si “dialog” imagjinar me z. Rama ?

(disa dhjetra-mijëra doza janë tmerrësisht pak – shqiptarët “njësoj” shqiptarë janë, i mbajte dozat “këndej” për vete apo ua fale “andej”, njësoj…)

Lajmi i parë dhe i mirë që lexova për “sivjet” ishte se Shqipëria i paska siguruar 500 mijë doza të vaksinës anti-COVID. Kryeministri Rama paska thënë se, “…pas marrëveshjes me kompaninë Pfizer, 10.750 dozat e para në Shqipëri do t’mbërrijnë në fillimjavën e 3-të të Janarit 2021, ndërsa 30.250 doza të tjera do t’vijnë në muajin Shkurt…”.

Ai po ashtu paska bërë të ditur se një pjesë e këtyre dozave do t’shkojnë për mantelbardhët në Kosovë – “…ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit ne nuk do t’ia kthejmë shpinën Kosovës, duke e lënë në pritjen dhe ankthin torturues” – qenka shprehur Kryeministri.
Epo bukur, lajm i mirë edhe “sigurimi i dozave” sikur dhe humanizmi i qeveritarëve, dmth. gjesti humanist i shqiptarëve për shqiptarët : )

Përafërsisht 40-50 mijë doza (që do vijnë gjatë 2-3 muajve të parë të 2021), disa dhjetra-mijëra nuk janë njësoj me 500 mijë… të cilat ndoshta s’do vijnë deri në fund të 6-mujorit 2021.
50 mijë nuk janë njësoj me 500 mijë, apo jo.
Pa le që Shqipëria i ka ~ 2.9 milionë banorë, disa dhjetra-mijëra doza janë tmerrësisht pak.
Jua them z. Rama se Holanda (~ 17 milionë banorë) deri tani i ka blerë jo më pak por 57.7 milionë doza nga 6 kompani të ndryshme farmaceutike. Nga kjo blerje në 6-mujorin e parë të 2021 priten rreth 22 milionë doza.
Tashmë “sigurimi” i dozave (siç jeni shprehur Ju) në fakt është çështje “tregtare”, i ke lekët i blen. Nëse nuk i ke lekët, o do kërkosh huazime, o do ia bësh disi.

Dihet se 6 kompani të botës pritet ta “shpëtojnë botën”, me shkencat e tyre serioze dhe bindëse janë 6 kompani që ia vlen të “tregtosh”. Siguroji lekët dhe do i blesh, njësoj siç i ka blerë dhe Holanda. Pra s’ka sigurim dozash ama ka “sigurim” të lekëve, thjesht siguroji lekët dhe do i blesh nga (jo vetëm nga kush po i cekë madje dhe çmimet për dozat):

1. AstraZeneca (Britani e M. – Suedi) | çmimi për 1 dozë ~ 3 €
2. Pfizer / BioNTech (ShBA – Gjermani) | 1 dozë~ 16 €
3. Moderna (ShBA) | 1 dozë ~ 25 €
4. Janssen / Johnson & J (Holandë – ShBA) | për 1 dozë ~ 10 dollarë (për ShBA), mbase 7-8 € për EU
5. Sanofi / GlaxoSmithKline (Francë – Britani e M.) | 1 dozë ~ 10 €
6. CureVac (Gjermani) [ ende nuk dihet çmimi ]

Askush s’e mohon z. Rama, që 2-3 vitet e fundit ekonomia shqiptare u ballafaqua me dy kriza madhore, me tërmetin e Nëntorit 2019 dhe disa muaj më vonë, në Mars 2020 me pandeminë. Askush s’e mohon se kriza pandemike e ka goditur rëndë ekonominë shqiptare, për shtetin kishte një rënie të ndjeshme të të ardhurave nga taksat, kishte rritje të borxhit dhe humbje të vendeve të punës. Enkas lidhur me këtë, në Prill të 2020, nga Komisioni i EU si ndihmë makro-financiare për Shqipërinë qenë miratuar 180 milionë €. Për Kosovën qenë miratuar 100 milionë €. Apo jo, z. Rama!

Ndërkohë dmth. që Shqipëria veç ishte duke u ballafaquar me rimëkëmbjen (pas tërmetit), askush s’e pati mohuar as këtë fatkeqesi, shumë ndërkombëtarë, përfshirë dhe BE, do ta ofronin mbështetjen ekonomike, 2 muaj më herët, në Shkurt të 2020 për Shqipërinë qenë grumbulluar rreth 1 miliard € (dmth. si ndihma pas tërmetit të 2019). Apo jo, z. Rama!
BE-ja dhe askush s’ia ka kthyer shpinën Kosovës, sikur as Shqipërisë. Kasa juaj qe “injektuar” bukur mirë me penicilinat financiare, mos e mohoni z. Rama.

Gjithsesi, nëse mund t’huazohen verdhushkat për autostrada e për “luksozitete” tjera publike, afërmendsh që huazimet ia vlen dhe për SHËNDETIN e popullit.
Madje-madje autostradat nisen qoftë dhe me deficit buxhetor, me arkën shumë të dobët, tekefundit ashtu patën bërë kosovarët (historia s’na gënjen, kronistët e ekonomikave gjallë janë). Buxheti i Kosovës dikur s’ishte as 1 miliard e gjysmë, ama qeveria (atëbotë “dinastia hashimiste”) ia doli dhe ndërtoi austradë 1-miliardëshe! Si ia doli? E mooo ç’rëndësi ka “si i siguron kryeplaku lekët”! Ashtu-kështu janë borxhe që do i paguajë populli. Natyrisht, kësaj z. Rama i thonë zotësi “huazimeske-hashimeske”, apo jo! : )

Andaj them mos ua jep asnjë dozë kosovarëve, zotësia “hashimeske” do duhej t’ishte efikase edhe tani, ata të Prishtinës le t’i blejnë vetë dozat. E di se pa “votat” e kosovarëve s’ia bëni as Ju “gëk” per qeverisje (e dinte Salushi – e di dhe Ramushi), e kuptoj humanizmin tuaj ama gjithë shqiptarët, andej-e-këndej, “njësoj” shqiptarë janë, i mbajte dozat “këndej” apo ua fale “andej”, njësoj…

Në fakt, më shumë më ka “brengosur” Vlerësimi i EU-Komisionit, publikuar në fund të Prillit 2020 – “Programi i Reformës Ekonomike të Shqipërisë (2020-2022)”. Pasi është diç si “diagnozë” e EU për gjithë shëndetin e Shqipërisë, flet për gjithë penicilinat që i duhen Shqiperisë, jo vetëm për problematikat e dozave…

[ngjitur]
Programi i Reformës Ekonomike të Shqipërisë (2020-2022) –
Vlerësimi i EU-Komisionit
(publikuar në fund të Prillit 2020)
ECONOMIC REFORM PROGRAMME OF ALBANIA (2020-2022) – COMMISSION ASSESSMENT

https://data.consilium.europa.eu/doc/document/ST-7468-2020-INIT/en/pdf