Qeveria e “demissionair-izuar” – Akrobatikat “Kabinetike” Holandeze

S. Guraziu – Ars Poetica, Janar 2021

Se pse më bëhet (apo ndoshta meqë vetë “apolitik”) kam fituar përshtypjen se “rëniet” e qeverive në Holandë tani janë bërë aq të rëndomta, pothuaj sikur janë kthyer në “tradicionale”. Ekspertët dhe ata që merren me politikat natyrisht e dinë më saktë, ama sipas meje kjo “histori rëniesh” mund t’konsiderohet rëndomësi sëpaku për 2 dekadat e fundit. I bie se Den Haag është “mësuar” tashmë me akrobacionet kabinetike. Janë vargëzuar sëpaku 20 vjet “traditë”, historia e rënieve na përsëritet sëpaku deri dikur (nëse ju kujtohen “aferat e misioneve paqeruajtëse”, misionet e Srebrenicave) tek Kabineti Kok II, vitet 1998-2002.

***
Ca ditë më parë, meqë unë jo… ja përse kam përshtypjen askush s’u çudit, na “u rrëzua” kabineti qeveritar “Mark Rutte III”, vetëm 2 muaj para “finishit” (sa dëm, për 2 muaj ashtu-kështu do ishin zgjedhjet, imagjino psh. gjatë Tour de France biçiklisti fitimtar t’na rrëzohej 2 m para trakës finale, keqardhja do t’na paralizonte). Tani kemi t’bëjmë me një kabinet të ashtuquajtur “demissionair”, me fjalë të tjera një lloj kabineti “kujdestar”, në detyrën e “kujdestarisë” deri në zgjedhjet.

Gjithsesi, le t’kujtohemi se ky ishte Kabineti III, asgjë e re, rënie “rutinore” hesapi – kabineti i parë “Mark Rutte I” po ashtu pati rënë pas 2 vitesh qeverisje. Para Kryeministrit Rutte, paraardhësi i tij i CDA, Balkenende secilën herë i “rrëzuar”, asnjëherë s’ia doli ta mbaronte një mandat të plotë.

Kur thuhet “kabinet qeveritar”, në Holandë pakashumë sikur nënkuptohet që fjala është për “koalicione ndërpartiake” (edhe pse jo medoemos gjithmonë, kuptohet). Një kabinet mund t’rrëzohet nëse njëra nga partitë kërcënon me tërheqjen e mbështetjes (për koalicionin në fuqi). Rrjedhimisht kjo do t’thotë që parlamenti nuk do ta ketë besimin e mjaftueshëm në kabinetin aktual. Desha të them se zakonisht “rëniet kabinetike” holandeze ndodhin për arsye të jostabilitetit koalicional.

Ama nganjëherë, aty-këtu ndodhë kabinetin e vret “ndërgjegjia” (po, mos u çuditni, edhe politikanët kanë “ndërgjegjie” : ) Kryeministri e ndjen nevojën për ta marrë burrërisht përgjegjësinë për keq-qeverisjen. Kësaj radhe e patëm një “skenar” të tillë, Kryeministri Rutte dhe ministrat e tij kanë ardhur vetë në përfundimin se roli i tyre sa i përket “aferës së taksave” ishte tepër i madh për t’vazhduar tutje si kabinet i besueshëm.

Kryeministri qe shprehur se në mënyrë direkte s’kishte asgjë t’bënte me “aferën”, ama duke qenë “kryeplaku” nuk i shmangej përgjegjësisë politike.
Administrata e Tatimeve dhe Doganave (“Belastingdienst”) si dhëmbëzor kyç, si trakë ingranale e makinerisë së shtetit, me mijëra prindër i pati keqtrajtuar dhe etiketuar gabimisht si “mashtrues” ndaj kasës së shtetit. Natyrisht, si Kryeministër në shpinë do i kesh dhe hejbet e përgjegjësisë e të ndërgjegjes. “Belastingdienst” s’do duhej të gabonte, është si të thuash “zemra” e shtetit, andej sikur kalon secila “arterie” e ekonomikave, nëse aty gabohet dhe nëse s’të merr “lumi” politik… okidoki, fatlumësia është diç e mirë.

Ama patjetër që do t’vret ndërgjegjia, sëpaku ndërgjegjia. Diç e ngjashme pati ndodhur kësaj radhe, mbase mund t’thuhet se kjo rënie kabinetike ishte “ndërgjegjësi qeveritare”. Paçka se dhe besimi publik në qeverinë i lëkundur sa mos pyet. Aq sa, nëse t’mos “dorëhiqej” padyshim kalimtarët e rastit do e gjuanin me vezë e me domate të kalbura, kabineti do skuqej e sarrakuqej nga turpi…

Dhe në rregull, Kryeministri duhej t’ia ofronte mbretit Willem-Alexander zyrtarisht dorëheqjen. Kur diç e tillë ndodhë (dhe atë me “motivin” e ndërgjegjes imagjino, vetëm 2 muaj para zgjedhjeve) mbreti e pranon shkarkimin ama i kërkon Kryeministrit që t’vazhdojë me detyrat dhe me gjithçka që është e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit politik, për moscenimin e interesave të vendit.

Me dorëheqjen, kabineti kthehet në “kabinet demissionair” mirëpo vazhdon të funksionojë si zakonisht. Vendimet edhe tutje duhet t’merren e të peshohen për çështjet e caktuara, e sidomos nëse urgjente (psh. siç qëlloi t’jetë tani menaxhimi i pandemise etj.).
Gjithsesi, në këto çështje procedurale ka një rregull të “pashkruar”, rregullë disi e nënkuptueshme në politikat holandeze – një “kabinet demissionair” (i cili, natyrisht, do jetë i përkohshëm) nuk mund t’merr vendime nëse dhe Dhoma e Dytë (Tweede Kamer) s’i mbështet ato. Pra qeverisja dhe vendimmarrjet tutje janë disi të “përbashkëta”, qeveria s’e ka tutje atë “autonominë” e zakonshme, le t’themi.

Tani le ta arsyetojmë sadopak “tradicionalen e rënieve kabinetike” termin “traditë” (ashtu pa të keq, pa pretenduar asgjë) e përmendëm më lart.
E sqaruam tashmë, na u rrëzua Kabineti Rutte III, okidoki… jo mirë, s’kemi ç’bëjmë, ja që ndodhë, politikat përherë të bujshme. Ama pati rënë dhe Kabineti Rutte I (vitet 2010-2012), bashkëqeverisje e palumtur, kabinet-koalicion mes VVD dhe CDA, me mbështetjen e PVV (ajo partia e të “djathtit ekstrem” Geert Wilders, padyshim e njihni : )
Pasi do dështonin negociatat ndër-partiake për “kursimet e reja”, kabineti i Parë i Mark Rutte do binte (ishte njëfarë krize e ashtuquajtur “Catshuis” – në politikë gjithmonë flitet për “kriza” a për “stuhi politike”, përndryshe ujërat do ishin të qeta, ashtu ndoshta s’do nevojiteshin as partitë, as zgjedhjet, as qeveritë : )

Para tij do binin dhe kabinetet e pararendësit Balkenende, 4 herë, do rrëzohej psh. kabineti Balkenende IV (vitet 2007-2010), i cili kabinet që nga fillimi ishte bashkëqeverisje e palumtur, diç si “trio-martesë e palumtur” mes CDA, PvdA dhe Ch-Unie, do vinte “kriza e kredive”, ishte stuhi e rëndë politike (natyrisht, ishte madje dhe stuhi monetare, uragan a tajfun, na kujtohet “kriza greke” apo jo), dhjetra miliarda të taksapaguesve do u jepeshin bankave t’i mbanin gjallë, që t’mos bankrotonin, e megjithatë rënia e kabinetit do ishte e pashmangshme, sepse koalicioni assesi ta gjente një akord për zgjatjen e misionit ushtarak në provincën afgane Uruzgan, s’e ke marrëveshjen për militarët… okidoki, ama në Holandë “rrëzohesh”, s’ka xingla-mingla : )

Para tij do rrëzohej Kabineti Balkenende III (vitet 2006-2007), sepse padyshim bashkëjetesë… uuups, bashkëqeverisje e palumtur, gjithçka e destinuar për “dështim”, imagjino CDA dhe VVD do ia dilnin ta qeverisin vendin së bashku për nja 6 muaj… wooow !

Më përpara do rrëzohej Kabineti Balkenende II (vitet 2003-2006), pas një koalicioni aventuresk të dështuar me partinë LPF, krenaroshet CDA dhe VVD rishtas do “trio-martoheshin” për bashkëqeverisje, kësaj radhe me D66. Gjithsesi, ujërat s’mund t’ishin të qeta, mirë që s’kishte tajfune e cunami, si mund t’kesh qetësi nëse ujërat t’i trazon “Zonja e Hekurt… ajo e mërrolura Verdonk”, D66 do ikte nga kabineti, mbase jo duke qarë por qebesa askush s’ikën nga kënaqësia.

Ca vite më përpara do rrëzohej Kabineti Balkenende I (vitet 2002-2003), Balkenende do ia fillonte kryeministërllëkut gjoja si kaolicionist i lumtur me VVD dhe LPF ama lumturia kabinetike s’pati zgjatur as 3 muaj (LPF – parti e Pim Fortuyn, asokohe i vrarë – s’di nëse ju kujtohet ai tullaci i politikave që thërriste “të zgjohen nga gjumi”, nga dehja e “multi-kulturalizmit”, sipas tij holandezët mjaft qenë shtirur “naivë”, koha të shkundulloseshin) …

Më herët, para Balkenende do rrëzohej dhe Kabineti Kok II (vitet 1998-2002), atëbotë lumturushet partiake PvdA, VVD dhe D66 qenë zotuar të bashkëqeverisin të lumtura, e ja që Wim Kok u desh t’ia niste kërkesë-dorëheqjen mbretëreshës Beatrix në përgjigje të raportit NIOD për Srebrenicën e 1995 (ose për enklavën boshnjake të mbrojtur atëbotë nga paqeruajtësit holandezë).

Ku di, uroj me kaq ta kemi “arsyetuar” sadopak termin “traditë” (pëmendur pafajësisht) sa u përket rënieve kabinetike holandeze : )