Mexhlisi i botës arabe, si “hapësirë ​​kulturore dhe shoqërore”!

(sguraziu – ars poetica, j 2021)

[ Sipas UNESCO Mexhlisi është një “hapësirë ​​shumëfunksionale kulturore dhe shoqërore”, në v. 2015 qe përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit ]

Mexhlisi është një traditë shekullore arabe për t’i transmetuar njohuritë tradicionale, për t’i shkëmbyer traditat e gojëtarisë, për t’i festuar ngjarjet, për t’i ngushëlluar familjet dhe për t’i arbitruar mosmarrëveshjet. Pleqtë konsiderohen si bartës kryesor të kulturës mexhlisore, veçanërisht ata me njohuri të gjera lidhur me natyrën, gjenealogjinë dhe historinë fisnore. Gjyqtarët dhe klerikët fetarë e kanë rëndësinë e tyre të veçantë, meqë gjykojnë për mosmarrëveshjet dhe i qartësojnë të drejtat, përgjegjësitë politike, shoqërore dhe ato fetare. Mexhlisi e ndjek traditën specifike të mikpritjes arabe, nikoqirët tregojnë nderim të madh e respekt për mysafirët.
Si traditë e vjetër me shekuj ruhet dhe sot në Arabinë Saudite, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Oman dhe në Katar.

Anëtarët e komunitetit mblidhen për të diskutuar ngjarje dhe çështje lokale; aty shkëmbejnë lajme, aty presin e përcjellin mysafirë, shoqërohen dhe argëtohen. Mexhlisi është vendi për t’i zgjidhur problemet, për t’i shprehur ngushëllimet e madje dhe për t’i mbajtur ceremonitë e dasmave. Zakonisht është një hapësirë ​​e madhe me qilima të shtruar, me ulëse e jastëkë përgjatë mureve, aty mund të gatitet dhe kafeja, çaji e pije tjera. Hapësira e Mexhlisit është e hapur për të gjithë, mund të frekuentohet nga anëtarët e familjes, të fisit, nga banorët e së njëjtës lagje por dhe të lagjeve tjera më të thella.

Mexhlisi luan një rol të rëndësishëm në transferimin e trashëgimisë gojore, duke përfshirë historinë popullore, këngët ose folklorin dhe formën poetike “Nabati”. Mexhliset mund të frekuentohen nga të gjitha grupmoshat, njohuritë transmetohen kryesisht në mënyrë joformale teksa fëmijët e të rinjtë i shoqërojnë prindërit e tyre. Përmes vëzhgimit të pleqve në Mexhlis, të rinjtë e mësojnë mënyrën dhe etikën e komunitetit, i mësojnë aftësitë e dialogut dhe të dëgjimit si dhe respektimin e mendimit të të tjerëve.
Femrat i kanë Mexhliset e veta po ashtu, gratë e shquara marrin pjesë dhe në Mexhlise të natyrës akademike ose letrare.

Sipas UNESCO Mexhlisi është një “hapësirë ​​shumëfunksionale kulturore dhe shoqërore”, në v. 2015 qe përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit – ndërlidhur me konceptet si “Traditat Gojore”, “Kontaktet Shoqërore”, “Pajtimet”, “Etikat”, “Njohuritë Spirituale”… etj. është kategorizuar në kuadër të SDG-16 (Objektiva 16 e Zhvillimit të Qëndrueshëm)

(të dhënat: UNESCO – faqja zyrtare)