Katari, vendi më i pasur i planetit – Strategjia, dhe “Nervoza” Arabe!

S. Guraziu – Ars Poetica, Janar 2018 (Pak fjalë…)

Herën e kaluar e patëm fjalën për hapjen e muzeut fringo “Louvre” në Abu Dhabi (muzeu i parë që mban emrin e Louvre jashtë Francës). Thamë se Abu Dhabi mbase s’është Paris, por sot i mbushur me rokaqiej e godinash madhështore, me xhamash e vizëllima futuriste, me ambicje e me ëndrrash. Qytet si një metropolis-bukurosh i shkretëtirës, pakashumë ngjashëm si Dubai. Emiratet e Bashkuara janë të pasura me naftë, shesin pasuri natyrore – ideja që t’përdoret pasuria për të “blerë kulturë” është vizion dhe largpamësi e kulluar. Arabët merren me “blerjen” e kulturës jo vetëm sepse iu duhet, por dhe sepse janë investime largpamëse.

***
Ngjashëm si Abu Dhabi, ashtu shkëlqimtar e “futuristik” është dhe kryeqyteti Doha i Katarit. Qytet super-modern, diç si një pyll arkitektural i rrokaqiejve, i qendrave financiare, tregtare dhe i asfalteve. Diç si mish-mash i Monakosë dhe i “shehrit” Las Vegas – bëhet shaka ashtu pa të keq (dmth. me shpërthimin zhvillimor të stilit Doha, Dubai etj). Për ta qartesuar sadopak “bujshmërinë” ekonomike të botës arabe në përgjithësi, ndoshta ia vlen ca fjalë dhe për Katarin.
Katari (politikisht, monarki absolute) është një vend relativisht i vogël, me sipërfaqe prej 11.437 km2 (thuhet se Kosova i ka 10.908 km2, pra sa për ta patur sadopak idenë territoriale), popullsia më pak se 3 milionë. Nga këta 3 milionë, vetëm rreth 300.000 janë qytetarë të Katarit. Ja që në duart e tyre vërtiten më shumë se 350 miliardë verdhushka. Katari është njëri nga vendet më të pasur të planetit.

Para 5 dekadave (kur qe pavarësuar nga Britania e Madhe, në v. 1971) ishte aq i varfër si vend. Në fakt ishte njëri nga territoret më të varfra që ka patur ndonjëherë Britania… ose Mbretëria e Bashkuar (qoftë si koloni a qoftë ndryshe). Temperaturat mund t’i arrijnë 50 gradë, pothuajse plotësisht shkretëtirë dhe atëbotë ishte njëri nga territoret më të pabanueshme në tokë.
Sot pra Katari është bërë vendi më i pasur i planetit. Qytetarët e këtij vendi të vogël gëzojnë të ardhura prej mbi 125.000 dollarë për kokë banori (ndoshta katër-pesëfishi i të ardhurave franceze, si shembull). Katari është vendlindja e kompanisë më të rëndësishme mediatike të botës arabe, Al Jazeera.
Katari ka bërë investime të rëndësishme në mbarë botën. Psh. në Londër një pjesë e madhe e qytetit në fakt është e Katarit (zyra, hotele, apartamente etj). Në ShBA, bie fjala në Manhatan, New York, Katari i ka investuar pothuajse 5-6 miliardë dollarë dy vitet e fundit.
Por jo vetëm investime në pasuri të patundshme, Katari gjithashtu ka aksione të mëdha në shumë kompani multi-nacionale e aso ndërkombëtare. Psh. Katari është njëri nga aksionerët më të mëdhenj të kompanive si Volkswagen, Barclays Bank etj.
Dhe rishtas, sigurisht që jo vetëm investime ndërkombëtare, prore është investuar në shumë drejtime brenda vendit. Dhjetra e dhjetra miliarda janë shpenzuar për autostrada, porte, aeroporte, qendra kërkimore, qendra financiare etj.

Ngjashëm si Abu Dhabi, edhe Katari i ka vizionet e veta për të ardhmen, strategjitë i ka po ashtu. Me fuqinë financiare janë të lidhura mjaft çështje të tjera politike-strategjike. Me zhvillimin e 4-5 dekadave të fundit, duke u pasuruar duhej fituar dhe ndonjë “ndikim” ndërkombëtar (për vite Katari kontrollohej de fakto nga Arabia Saudite). Nëse Katari duhej të mbijetonte së bashku me prosperitetin për të ardhmen dhe me pasurinë, duhej të investonte mund e mençuri për identitetin e vet dhe t’fitonte sadopak influencë ndërkombëtare.
Në rregull, por si do t’i arrinte këto një vend aq i vogël? Themelimi dhe financimi pa kursim i Al-Jazeera ishte dhe është njëra nga “hallkat” e kësaj strategjie. Hapi me një media të fuqishme, si një “fanar për mjegullnajën… a pluhnajen e botës arabe” e kishte dhe ende e ka qëllimin e forcimit të ndikimit mediatik global, në të cilin qëllim Katari ia ka dalur për mrekulli. Në fakt ishte diç si “gjenialitet” strategjik!

Katari gjithashtu, në mënyrë sistematike e zhvilloi një politikë të jashtme që ngiste drejt “ndikimit” ndërkombëtar. Kjo strategji politike dhe largpamese kohët e fundit është duke i “nervozuar” Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me Arabinë Saudite. Aq sa në Qershor të 2017 këto dy vende e shpallën një lloj “bllokade” ndaj Katarit, duke e akuzuar për mbështetje të grupeve terroriste dhe të fondamentalistëve. Një lloj farse politike-diplomatike kjo, e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe e Arabisë Saudite si përpjekje për t’ia shtypur kokën strategjisë së Katarit rreth ndikimit ndërkombëtar.

Megjithatë sanksionet e tyre sikur s’kanë dhënë ndonjë rezultat të dukshëm. Politikëbërësit e Katarit kanë dëshmuar se janë mjaft të fortë dhe “të zgjuar” në fushën e diplomacisë dhe të ndërskamcave, qoftë me peshqeshe të majme, qoftë me “hijeshinë-simpatinë diplomatike”. Bie fjala Katari ka zhvilluar marrëdhënie mjaft të mira dhe me Turqinë, e madje dhe me Iranin, sa për t’i përmendur dy akterë të mëdhenj dhe kyç.

Natyrisht, politikanët e Katarit nuk janë “engjëj” (tekefundit Katari është një monarki absolute). Vërejtur me syrin e “standardeve” perëndimore ka ngelur shumçka për t’u përmirësuar. Psh. s’mund të mohohet mungesa e një demokracie të mirëfilltë – thonë gazetarët perëndimor. Pavarësisht se është vendi më i pasur në botë kushtet e punës dhe më tutje janë të krahasueshme me ato të një vendi të varfër. Në një vend pata lexuar se situata e grave apo e femrës kërkon shumë më tepër vëmendje dhe ndryshime.

Mirëpo Katari është një aleat i mirë për Perëndimin (veçanërisht për Amerikën) dhe është gjithashtu njëri nga vendet më të hapura në rajon.
Para rreth 15 viteve Arabia Saudite pati kërkuar nga ShBA që t’i largojë trupat nga vendi. Katari s’pati ngurruar, aty për aty do ta ofronte veten si “bazë” për trupat. S’pati ngurruar madje as kur duhej të shpenzohej rreth 1 miliard për ndërtimin e bazave ushtarake që ishin të nevojshme (pasi amerikanët i kishin trupat e armatimet por ja që s’kishin lekë të ngratët).
Sot, jo aq larg kryeqytetit Doha ka ndoshta mbi 11.000 ushtarë amerikanë duke u kënaqur “nën shtatë palë qejfe”, duke hëngër qyl hurma e ëmbëlsirash arabe. Pasi aq shumë “punë” dhe s’kanë, përveç sa t’figurojnë aty : )

Lirisht mund t’thuhet se Katari ka ushtruar një politikë të shkëlqyer të “sigurimit” ushtarak, financiar, politik etj.
Në rregull, por si i arriti ky vend i vogël këto? I arriti falë pasurive natyrore, Katari është shtet i pasur me rezerva të naftës dhe të gazit. Gjithsesi, për eksportimin e lëngshëm të gazit qenë investuar shuma të mëdha (në teknologjinë e “lëngëzimit”, le ta quaj) – ishte ky ndoshta njëri nga hapat më kyç dhe më largpamës ekonomikë që Katari ka ndërmarrë ndonjëherë.