Louvre në Abu Dhabi – Kupola si një “saç iluminist” për Orientin e Oksidentin!

S. Guraziu – Ars Poetica, Janar 2018 (Arti, Ekonomia, Politika – Vështrim)

(…muzeumi sikur më shumë për të ardhmen sesa për botën e trazuar politikisht të së tashmes… kupola si një qiell arkitektural nën të cilin duhet të “piqen” kulturat e së tashmes dhe të së ardhmes, kupola madhështore e Louvre sikur pritet të kthehet në një saç iluminist, ku duhet të piqen kuleçë të shijshëm ndërkulturor…)

***
Në Nëntor 2017, sa i përket Artit e Kulturës, bota u pasurua dhe me një institucion madhështor – në Abu Dhabi u inaugurua versioni arab i “Louvre”. Një projekt ky ndërshtetëror arabo-francez, i arritur si marrëveshje që në v. 2007, por i cili qe ndeshur me probleme të njohura e të panjohura, dhe qe “vonuar” për pesë vite të gjata nga skema e planifikuar.
Projekti qe zgjatur e stërzgjatur në përfundimin e vet, dhe pra u desh një dekadë e tërë, do t’kushtonte mbi 2 miliardë Euro. Vetëm ndërtesa muzeale (projektuar nga arkitekti i mirënjohur francez, Jean Nouvel) do t’i hante rreth 600 milionë Euro. Apo madje dhe vetëm “huazimi” i emrit Louvre për 30 vite “business” do t’i kushtojë Abu Dhabit rreth 500 milionë. Pa qenë nevoja t’përmendet 1 miliardshi “kontraktual” i të ardhurave tjera për francezët gjatë 30-vjeçarit të së ardhmes.

Por nuk janë paratë gjithçka!
Nuk është as Arti gjithçka, as Politika s’është gjithçka. Janë të gjitha të gërshetuara, dhe kur është fjala për analiza ngelet përherë e vështirë të rrumbullakësohet me pak fjalë i gjithë kompleksiteti i ndërlidhjes së këtyre “elementeve” të përparimit njerëzor. Duke lënë paksa anash “Artin”, vështrimi im sot do duhej të vërtitet më shumë rreth ambicjeve afariste dhe vizion-hapave të biz-elites arabe. Do doja të vërtitej më shumë rreth implikimeve ndër-kulturale (në aksin orient-oksident). Pra s’duhet folur as gjatë as veç e veç për asnjërën nga këto, as për Artin, as për Politikat, as për Ekonomikat… Kjo mbase i bie se duhet folur thjesht për “ingredientet” të cilat i shtohen kazanit ku zihen të gjitha së bashku ?

Meqë arkitektura hyn dhe vetë si zhanër nën jorganin e “Artit”, madje sikur nuk duhet folur gjatë as për madhështinë arkitekturale të Louvre (sjellur në jetë nga arkitekti Nouvel, fare lehtë ndoshta njëra nga kryeveprat e tij). Nga ana tjetër, e si mund t’vinte në jetë kryevepra e Nouvel nëse t’mos ishin 10 vite impenjim ndërshtetëror, para-e-prapa kulisave politike të dy shteteve! Nëse t’mos ishin ëndrrat dhe ambicjet e biz-vizionarëve arabë dhe të atyre perëndimorë, nëse t’mos ishin qindra miliona investime si “yndyrë” ekomike… etj. Jo pra, s’mund të flitet gjatë për njërën pa u “futur” në tjetrën… sepse e lidhur gjithçka!

Si mund të flitet mirëfilli për Art, për vizione e për avancime kulturore kur njëkohësisht duhet ta “harrojmë” zinxhirin e skuqur të ngjarjeve politike të dy dekadave? Kur duhet t’i harrojmë luftrat e trazirat, kur shtrengohemi t’i harrojmë qindra-mijëra viktima të pafajshmëve në Irak, Siri e gjetiu, kur duhet ta harrojmë dekadën e eventeve dhe trazirat e frymës “Arab Spring”, kur duhet t’i harrojmë me mijëra refugjatë e njerëz të shpërngulur për t’ia mësyer Evropës dhe kontinenteve të botës, kur duhet t’i harrojmë “skuqjet” e furrave mediatike të mbarë Evropës pikërisht për arsye të fluksit të refugjatëve, e të ngjashme!?

Megjithatë, për t’u “fokusuar” sikur na ndihmon ana tjetër e “kubit” diskursiv, ana tjetër e të njëjtës dekadë. Për t’folur për Artin e për Kulturën sikur na ndihmon jo tashmë Politika… por vetë gjuha e ekonomikave. E dimë që gjërat janë fuqishëm të lidhura, s’mund të flitet si pretendim “absolut” për njërën çështje pa u “futur” në tjetrën. Gabohen rëndë ata që mundohen t’thonë “gjithçka” vetëm me gjuhën e Politikës. Me gjithë respektin për politikanët e kësaj bote, me respektin për entuziasmin dhe për ambicjet e tyre, me respektin për ëndrrat dhe vizionet e tyre, me respektin për gjërat që ata dinë t’ia artikulojnë publikut aq hijshëm e me manire (psh. nëpër parlamente të lloj-llojshme evropiane, e madje dhe aso të “rrumbullakta”, ku ata shpesh ndjehen pothuaj si kryetrimash-Arturianë : ), me gjithë respektin për shkëlqimin e gjuhës së tyre nëpër mitingjet e nëpër TV-debatet ku parakalojnë… prapë mendoj do ishte e pamundur.

Gjithsesi le t’thuhen dy-tri fjalë dhe për arkitekturën; Nouvel na e sjell një Louvre arab i cili estetikisht (në dukje) vërtet sikur është një shkrirje (në të “tashmen”) e orient-arkitekturës futuriste. Objekti si i tillë sikur është aty më shumë për të ardhmen sesa për botën e trazuar politikisht të së tashmes. Pavarësisht “eksternales” impozante e futuristike, muzeu i Nouvel është më mbresëlënës me interieret – thonë. Eshtë brendësia që ua mundëson vizitorëve “ta shohin njerëzimin nën një dritë të re”, ndihmuar prej vetë dritës, e cila pra është “fjala” qendrore e kupoles.
Rrezet e diellit bien përmes mijëra vrimave në formë yjesh, duke depërtuar nëpër tetë shtresat e kupolës, dhe duke u filtruar përmes paneleve nga qelqi i tavanit. Kupola na flet me driten, me harmoninë dhe me qetësinë e përkryer të formës. Lojë-drita sipri nesh na përkëdhel si dashuri, si ngrohtësi, si shpresë, drita simbolizon dijet, avancimin kulturor. Kupola qiellore për njeriun dhe për rrugëtimin e tij të gjallimit simbolizon mbrojtjen nga ftohtësia dhe nga e panjohura e errësirës kozmike. Gjuha e kupolës është drita që na ngrohë (si dritë-gjuha hyjnore e religjioneve), si një qiell i madh arkitektural nën të cilin duhet të “piqen” kulturat e së tashmes dhe të së ardhmes. Kupola super-madhështore e Nouvel thuase pritet të kthehet në një saç iluminist, ku duhet të piqen kuleçë të shijshëm ndërkulturor.

“Louvre” i Nouvel përfaqëson një kompleks objektesh ku strehohen shumë galeri të përhershme. Lidhur mes vete me korridore të mermerta e me interierë nën ujë (si pjesë e mrekullisë estetike arkitekturale). Mbuluar me një kupolë unike, e cilat krijon efektin e ashtuquajtur “shi i dritës”, diç sikur tufa të panumërta dritë-hijesh enden gjithandej brendësisë. Shikuar nga përspektiva arkitekturale, muzeu me të gjitha arki-detajet që ngërthen vërtet është një vepër artistike në vete, dhe dmth. kapitull në vete. Nouvel e ka përshkruar veprën e tij si “muzeu i parë universal i botës arabe”.

Më shumë se një ndërtesë të thjeshtë, ai synonte një “lagje arti” – me shpërndarjen e 55 blloqeve (ndërtesave) muzeu shtrihet si një fshat mbi ujë, i kompletuar me një labirint korridoresh e shtigjesh, mbuluar me një kupolë 180 metra në diametër, dhe e cila peshon mbi 7700 tonë.
Sa i përket vonesës drejtori i parë i “Louvre Abu Dhabi”, Manuel Rabate (natyrisht një francez, pasi Arti nuk është vetëm Art por dhe Biznes, në të dyja drejtimet arabëve thjesht u mungon ekspertiza, u mungon dhe përvoja e insitucioneve muzeale perëndimore) justifikohej me fjalë të mençura dhe objektive – “për inaugurimin ekziston një rrugë (vonesë) teknike dhe një rrugë (vonesë) politike, në rrugën (vonesën) teknike duhet ta kemi gati një ndërtesë të përsosur në aspektin e cilësisë, sepse aty do t’vendosen kryeveprat botërore” [ ‘vonesat’ brenda citatit mes kllapash i shtova unë ].

Anise për rrugën (vonesën) politike drejtori Rabate s’pati përmendur asnjë fjalë, pra këtë segment thjesht duhet ta marrim vetë me mend. Ndërsa për rrugën teknike më e lehtë ta kuptojmë “vonesën” sadopak. Me kohën mediat flisnin se përveç “kundërshtisë prapa kulisave politike franceze”, projekti ballafaqohej dhe me akuzat për “eksploatimin e fuqisë punëtore, kryesisht emigrantë”, flitej për kushtet rënda të tyre, për aksidentet, për vdekjet.

Gjithsesi, rruga “teknike” na e mundëson t’i nënkuptojmë dhe standardet që duhet përmbushur. S’ka dyshim që Louvre është emri më i madh dhe më i respektuar i planetit. Kompleksi muzeal arab “Louvre” do t’krenohet 30 vjet me radhë me mbi 600 vepra të artit nga kultura dhe periudha të ndryshme. Madje dhe me vepra të lashta që datojnë mijëra vjet, 300 prej të cilave do t’jenë huazime nga institucione të tjera franceze. Bie fjala muzeu arab do t’ekspozojë dhe vepra të vetë Leonardo Da Vinçit, pastaj të piktorëve si Henri Matisse, Edouard Manet etj.
Dihet që jo gjithkush i sheh gjërat nën të njëjtën lupë, biznesi është biznes, ekonomikat e kanë prore rëndësinë… por ama dhe trashëgimia kulturore e ka rëndësinë e vet. Jo gjithçka duhet kthyer në biznes, disa gjëra thjesht s’mund të blihen as të paguhen me para. Është çështje aq e ndieshme nëse dihet që fjala është për krenarinë kombëtare franceze dhe për prestigjin, për krenarinë rreth trashëgimisë perëndimore.

Atëherë në v. 2007 kur Franca qe pajtuar që të fuziqohej projekti, opozita socialiste franceze e shihte si një projekt “kotësi”. Madje qenë organizuar kuratorë, ekspertë e intelektualë anembanë Francës, qe nënshkrur një peticion kundër “shitjes” së trashëgimisë kulturore të Francës. Ata kërkonin kthimin e Louvre aty ku duhet të jetë (si emër prestigjioz, si një markë e fuqishme kulturore-artistike).
Kritikët e marrëveshjes franko-arabe flisnin se Emiratet u lejuan të blinin legjitimitet kulturor. Nëse mund t’jepet me qera emri i Luvre atëherë Franca është duke e “shitur” shpirtin e saj. Por dhe vetëm si fakt, muzeu arab në Abu Dhabi është muzeu i parë që mban emrin e Louvre jashtë Francës.

Pra projekti qe përballur me kundërshtime që nga fillimi, sipas shumkujt kjo marrëveshje ishte e motivuar nga Politika dhe Financat. (Hm, natyrisht që ishte, ende është dhe gjithmonë do t’jetë – më ngjallet buzëqeshja, vallë e si mund të presësh miliarda verdhushkash fitim nga Arti… pa i “lidhur” financat, politikat e të gjitha së bashku – sesi kjo “protesta dhe pakënaqësia e francezve kundër “shitjes së trashëgimisë kulturore” më duket si shtirje, si stisje, gjoja pafajësisht ?
Sidoqoftë, për fat të mirë, pavarërsisht vonesës 5-vjeçare dhe kontradiktave rreth projektit, gjithçka nga vështirësitë tashmë janë kthyer në “histori”. Në inaugurimin mori pjesë dhe Presidenti francez Emmanuel Macron. Vetë s’e kam përcjellur inaugurimin historik, por sipas New York Times fjalimi i Macron paska qenë i ngrohtë dhe emocional. Sipas britanikes “Guardian” Presidenti madje e paska përdorur një thënie të shkrimtarit rus, Dostojevskit, “Bukuria do ta shpëtojë botën”.

Me hapjen e dyerve të Louvre në Abu Dhabi sikur janë hapur shumë dyer; aso kulturore, ekonomike, politike. Sepse, pavarësisht ngërçeve politike aty-këtu, jemi tashmë me të dyja këmbët në “erën” e globalizuar. Projekti me të gjitha sfidat ishte një lloj “kupolizimi” 10 viteve të angazhimit dhe i ankthit – tashmë diç si përmbushje e ambicieve të larta kulturore të botës arabe. “Kultura vjen për t’ngelur këtu – do shprehej njëri nga autoritetet arabe – ne s’do i themi botës “mirësevini në muzeumin tonë, por mirësevini në muzeumin tuaj, muzeu në Abu Dhabi është më shumë sesa tërheqje turistike, është një projekt kulturor”.

Mirëpo nuk ishte vetëm emri i “Louvre” si ambicje e blerjes arabe, kjo ishte vetëm pjesë e ëndrrës (tashmë kthyer në realitet). Edhe Gugenheim është pjesë e mozaikut ambicioz kulturor. Por jo dhe vetëm Gugenheim… ëndrra e pasurimit kulturor arab ngërthen dhe mjaft plane të tjera. Emiratet… janë të pasura me naftë, shesin pasuri natyrore, ideja që të përdoret pasuria për të “blerë kulturë” është ide vizionale dhe largpamësi e kulluar.

Sa i përket rëndësisë kulturore muzeu me emrin Louvre do t’jetë një monument i rëndësishëm jo vetëm për Lindjen e Mesme, por dhe për gjithë botën. Duke qenë Abu Dhabi si qendër biznesi e financimesh, kompleksi muzeal ofron “universalizmin”, ofron lëvizjen e investimeve të artit. Arenës tregtare botërore të artit sikur i shtohet më shumë fluiditet financiar.
Njohësit e “tregut artistik” thonë se tregu i artit në Lindjen e Mesme ka interes për veprat e artit bashkëkohor dhe deri diku për ato të shekullit XX, por jo dhe aq shumë interes përtej kësaj. Një institucion i kalibrit Louvre aty në prag të shtëpisë, mbase mundëson një kuptim më të thellë të historisë së artit, jo vetëm për shtresën akademike. Kredibiliteti që sjell Louvre në rajon mund të ketë ndikim pozitiv për blerësit e shitësit. Padyshim muzeu me emrin “Louvre” paraqet një qendër të re potenciale për akademikët e artit, për shkollat ​​dhe universitetet e rajonit duke organizuar edukime kulturore të klasit botëror, dhe padyshim do shërbejë si inkurajues institucional për një brez të ri kuratorësh të botës arabe – thuhej nga mediat.

Sa i përket artit dhe bagazhit kulturor, Louvre është njëri nga institucionet më të njohura në botë, i pakontestueshëm dhe prestigjioz, është një “markë” me famë botërore dhe një nga muzeumet më të vizituara të botës. I themeluar në v. 1791, thuhej atëherë se kishte për qëllim “t’i bashkonte monumentet nga të gjitha shkencat dhe artet”. Andaj arabët duhet t’jenë fort krenarë për suksesin. Abu Dhabi i tyre mbase nuk është Paris, por sot është i mbushur me rokaqiej e godinash madhështore, me xhamash e vizëllimash futuriste, i mbushur me ambicje e me ëndrrash. Duket si një metropolis-bukurosh i shkretëtirës, pakashumë ngjashëm si Dubai.

Abu Dhabi s’është Paris, por ja që ka një mision të ngjashëm me atë të themelimit të Louvre dikur. Arabët mëtojnë t’i lidhin kulturat, t’i bashkojnë kulturat e qytetërimet ashtu si dhe artet. Arabët merren me “blerjen” e kulturës jo vetëm sepse iu duhet, por dhe sepse janë investime largpamëse.

Megjithatë sipas “Washington Post” muzeumi i ri Louvre është thjesht pasqyra e strategjisë ambicioze të Francës për t’u zgjeruar në rajon (jo vetëm “artistikisht”). Thuhet se në v. 2009 Franca e ndërtoi një bazë ushtarake të përhershme në Abu Dhabi, dhe se kjo është hera e parë që Franca zgjerohet përjashta “vetes” pas v. 1960 (që merret si fillimi i fazës së dekolonizimit).
Epo, thua se Amerika s’qenka duke na bërë asgjë me ambicjet e veta. Thua se ata na i paskan futur “turshi” ambicjet dhe janë duke u mahnitur me ambicioz-itetin francez… Ama se u kujtova, mbase mediat amerikane duhet t’i “kritikojë” sfera mediatike evropiane; Le Monde, The Guardian, Der Spiegel e të ngjashme : )