Arti si “mimesis” (imitim i jetës), dhe poli-balansi i natyrshëm – fragm.

[ arti si “mimesis” (imitim i jetës), dhe poli-balansi i natyrshëm – fragm. ]

(…mençuria aristoteliane “propozonte” se veprat letrare (si përvoja) nuk janë jetë reale por refleksione të përvojave të gjallimit, të të qënit gjallë… Cilado përvojë artistike fare lehtë mund t’jetë vetëm si “reflektim”, vetëm si imazh i pasqyrës psikologjike (të krijuesit)
[ fragment nga: “Anti-Xhokondizmi – Mustaqet nga Picabia, mjekërza nga Duchamp!” – S. Guraziu – Ars Poetica, 2019 ]

| – – – –
Derisa merreshin me parodizimin e veprave ikonike të artit, derisa “talleshin” me portretet shekullore davinçiane, edhe Duchamp, edhe Bataille, edhe Dali… e dinin mirë se ç’po bënin. Zor se na e paskeshin harruar “distancën estetike”, verisimilitetin artistik etj. Ata e dinin se, me t’i parë mustaqet nën hundën e një ikone artistike aty për aty do t’na duket “qesharake”. Si atëherë, si tani, si gjithmonë, asgjë s’ndryshon (imagjino nënhundën e një Mona Lize, portret i ikonizuar me shekuj).
Pra s’ka pafajësi (në parodizimin e tyre), mustaqet e femrave mund t’na hutojnë. Në vend të përjetimit aseksual të bukurisë pikturale (ashtu siç dhe është, arti si art, totalisht i pastër, i kulluar) tani me mustaqet e me llullat hooop sikur na “polarizohet” e natyrshmja artistike. Anise realisht polarizimi në fjalë as nuk ekziston, është thjesht një lloj efekt-mashtrimi psikologjik.

Pikturat (si art) nuk është supozuar t’jenë poliseksualizma artistikë. Pikturat s’janë mbase as gjinofilike, as androfilike. Apo mos vallë t’na jenë edhe-edhe, as-as. Ndoshta arti është një lloj androgjenizmi “a la deistik”, njësoj siç dhe poezia e poli-balansuar. Dihet se poezia qetësinë totale e ka diku në “equilibrium”, në poli-balansin e natyrshëm, absolut.
Për artin “mashkullorja e femëroja” janë vetëm terma bosh, janë dy gjëra fare të njësojshme, ndryshojnë vetëm si terma “subjektual” – mirëpo tutje (në substancialen e vet) ndaj gjinisë arti ngelet totalisht neutral. Gjithçka përtej (kësaj vije të neutralitetit artistik) do t’ngjallet vetëm në kokën tonë, do t’jetë vetëm përjetimi ynë (dmth. si konsumues të artit).

Edhe Duchamp, edhe Dali, edhe Magritte etj. e dinin që mustaqet u “takojnë” meshkujve (tekefundit s’para presim të defilojnë femrat me to, sikur që nuk presim as meshkujt t’përdorin buzëkuq – në fakt burrat me maskara e buzëkuq do duhej t’ishin sa më të rrallë, përndryshe pra… mbase do ta cenonin atë “polaritetin”, poli-balansin e natyrshëm : )
Ideja se “arti imiton jetën” na vjen që nga lashtësia, vetë Aristoteli e pati përdorur termin “mimesis” (të imitosh). Mbase ky detaj do t’jetë ai elementi i vockël psikologjik me të cilin vetëdijshëm dhe qëllimisht manipulojnë artistët (e sidomos këtë element do ta përdornin dadaistët). Ky element është i lidhur me “distancën estetike”, element i paramenduar, paçka se shpesh mund t’jetë dhe i rastësishëm.

Mençuria aristoteliane “propozonte” se veprat letrare (si përvoja) nuk janë jetë reale por refleksione të përvojave të gjallimit, të të qënit gjallë. Nëse gjatë konsumit të veprës artistike (psh. gjatë leximit të një romani) zhytemi totalisht në përvojën që na sugjerohet (nëse s’ia dalim ta ruajmë një lloj “distance psikologjike”) ndodhë harrojmë fare që prapa veprës ka një dikush, një krijues, një artist, një shkrimtar… që e ka krijuar “përvojën” në fjalë. Cilado përvojë artistike fare lehtë mund t’jetë vetëm si “reflektim”, vetëm si imazh i pasqyrës psikologjike (të krijuesit).
Dhe pra kjo hapësirë e ​​përceptimit artistik (tashmë përjetimi ynë), mund të kontrollohet fort mirë nga artistët, nga krijuesit e artit (qoftë të arteve vizuale, qoftë të artit të fjalës). Ndonjëherë përvojat e mirëkontrolluara mund të duken aq reale, më “reale” sesa vetë realja jonë e vërtetë – sikur na merr me vete, na përhumb njëfarëlloj hiper-realiteti ndjesor, ideatik, estetik etj… sikur përthithemi nga “vërtetësia e ngjashme”, nga “verum similis”.

Andaj sikur na imponohet një lloj “distance psikologjike”, në mënyrë që shqyrtimi i veprës së artit të kryhet i pavarur nga çdo subjektivitet eventual (influencë personale). Si në rastin e një pikture, njësoj dhe për krijimet letrare, distanca estetike i referohet shkëputjes së kontrolluar të vrojtuesit / lexuesit, dhe nënkupton ruajtjen konstante të vetëdijes se Arti dhe Realiteti mund t’jenë dy gjëra fare të ndryshme. Gjithsesi distancimi estetik u referohet të dyja palëve, si krijuesve ashtu dhe konsumatorëve të artit. Për krijuesin distancimi nënkupton arritjen e efektit kur një krijim i caktuar objektizohet mjaftueshëm, aq sa për t’ekzistuar dhe për t’funksionuar totalisht i pavarur (si krijim) nga përvoja personale autoriale.

[ fragment nga: “Anti-Xhokondizmi – Mustaqet nga Picabia, mjekërza nga Duchamp!” – S. Guraziu – Ars Poetica, 2019 ]