Triumfi i Rock-Poezisë (ESC, Rotterdam 2021)

Triumfi i Rock-Poezisë – Megjithatë, ndoshta Zoti s’ia fal Evropës : )
sguraziu – ars poetica, 30 maj 2021

(sipas meje në ESC 2021 kësaj radhe ka triumfuar “poezia”, jo patjetër vetëm “muzika”) …më qe kujtuar poeti Joseph Brodsky – mos vallë dhe vetë i Plotfuqishmi na qenka kthyer në Rocker, tani më shumë i pëlqyekan shllagerizmat sesa Anxhelat, njëjtë ia bëri në San Remo njëjtë në Eurosong : )

Fotot: Anxhela Peristeri, Eurovision Song Contest, 16-05-2021, dhe rock-grupi italian Måneskin

***
Nuk e dija që do fitonin italianët, por më qe bërë e qartë se teksti i tyre ishte njëfarëlloj “poezie”, pothuaj një lloj “manifesti”, lirikë mjaft serioze dhe e “ngarkuar” poetikisht. Gjithsesi, meqë nuk i kisha dëgjuar me aq vëmendje të gjitha tekstet (pjesëmarrëse), kuptohet s’kisha as si ta “dija” që do fitonin italianët. Kur u mor vesh se fituan ata, nuk qesh “mahnitur” asfare. Jo patjetër duhet të fitojë vetëm “muzika” – sipas meje pati fituar “poezia”. Artet janë të “lidhura” mes vete, shpesh na vijnë të gërshetuara poezia dhe muzika, herë-herë si “gërshetime” unike. Kësaj radhe fitorja i takoi rock-poezisë italiane.

Natyrisht, doja të fitonte Anxhela mirëpo s’u “preka” që nuk fitoi, madje ua urova italianëve, “bravissimo”. Pastaj sikur me keqardhje po thosha “megjithatë, ndoshta Zoti s’ia fal Evropës… që nuk fitoi Anxhela”. Më qe kujtuar poeti Joseph Brodsky, në një poezi të veten ai pati shkruar: “ndoshta vetë i Plotfuqishmi është kthyer pakëz në borgjez, dhe përdor kartë krediti”.
Edhe unë tani sikur po thosha “mos vallë dhe vetë i Plotfuqishmi na qenka kthyer në Rocker, më shumë i pëlqyekan shllagerizmat sesa Anxhelat, njëjtë ia bëri në San Remo njëjtë në Eurosong…” : )

Sadopak anash shakanë, sikur u dëshmua rishtas se muzika si “muzikë” në festivalin e Eurovision mund t’mos jetë aq “relevante”, nëse teksti t’jetë unik dhe serioz. Tekefundit, nëse një rock-këngë fiton në San Remo, pse t’mos na fitojë dhe në Eurovision (madje siç dihet nisma e Euro-festivalit dikur, disa vite pas L2B, qe “frymëzuar” nga vetë festivali italian, San Remo).

Pavarësisht performancës së shkëlqyer të grupit (nga aspekti i këngëtimit “rock”, mbase s’e mohon kush që performanca ishte aq e natyrshme dhe “bindëse”), pavarësisht “zhurmës dhe vrazhdësisë shllageristike”, nëse jo gjithë Evropës… atëherë shumicës i qe bërë e qartë se kënga “Zitti e buoni” (Mbylle dhe Hesht) ishte një klithmë mjaft e fuqishme “poetike”. Mesazhi sikur duhej të thoshte: ndiq vetëbesimin për t’ecur përpara duke vlerësuar veçantinë tënde personale, pa u shqetësur ç’thonë bota rreth e rrotull për ty, kur ashtu-kështu ata që flasin (që s’të donë, që s’të kuptojnë) s’e kanë idenë ç’janë duke folur.

“Kënga italiane është një aso me ritmika të shpejta, plot me kitarizime elektrike e me akrobacione psikodelike” – qenkan shprehur pakashumë kështu në “Eurostory”. [ Pajtohem 100%, thua se i paskan huazuar fjalët e mia, ende të pathëna : ) ] “këngëtari Damiano përshfaqet mjaft i ‘egër’ – vazhdohej tutje, si me këndimin e po ashtu dhe me deklarimin: jemi të çmendur (mbase), por (sëpaku) ndryshe (të çmendur) nga ata (që na kritikojnë, që s’na kuptojnë)” [ fjalët në (kllapa) i shtova unë ].

Sidoqoftë, teksti origjinal ishte i “vrazhdtë”, aty-këtu me zhargon rocker-ësh. Pas San Remo, në Eurovision (të Evropës) s’mund të shkohej me fjalë të pista, me shprehje të pahijshme. Direktiva eurovision-ale është e qartë, vlen për të gjithë, jo vetëm për italianët (vlen madje dhe për pjesëmarrësit e “jashtëm”, psh. australianët, izraelitët): “asnjë tekst me nuanca të natyrës politike nuk lejohet, asnjë sharje ose gjuhë tjetër e papranueshme…”.

Dhe po, teksti duhej të ndryshohej, duhej të pastrohej. Psh. vargu i lirikës origjinale [ “non sa di che ca**o parla” ] në San Remo ishte okidoki, pati kaluar. Ama në Eurovision me “ca**o”… ruana zot, s’do ishte assesi “poezi” : )
Me tekstin e pastruar, me shprehjet e hijshme rock-poezia italiane mund të shijohej nga mbarë Evropa, jo vetëm nga Italia.
Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe, do shpallej se italianëve u takon Çmimi i 2021 për tekstin më të mirë të këngës në Eurovision. Sipas “Eurostory” fituesi u zgjodh me 75% të votave nga juria prej 60 ekspertëve ndërkombëtarë (nga 17 vende), si dhe me votat e më shumë se 40.000 vizitorëve të faqes së “Eurostory” (25% e votave).

Motivin e vendimit të tyre juria e ka sqaruar si vijon: “…një këngë jo-apologjetike me imazhe shumë ndjellëse (evokuese). Metaforat janë të zgjedhura mirë dhe vazhdimisht i flasin “dëgjuesit”. S’është ndonjë këngë e ëmbël, dhe për këtë arsye as imazhet s’janë të bukura, por qëllimisht imazhe “çoroditëse”, kënga është një klithmë e kulluar, e ardhur nga mospërshtatja me konditat e një shoqërie fals…”.

Në jurinë 60-she paska qenë madje dhe vetë poetja holandeze Ester Naomi Perquin (dikur “Poeta Laureatus”, Holandë). Perquin është një poete e mirënjohur dhe e respektuar, nderimi i madh për poetët “Poeta Laureatus” në Holandë quhet “Dichter des Vaderlands” (Poet i Atdheut), “laureati” zgjedhet çdo 2 vite, për v. 2017-2019 ky nder i madh i pati takuar poetes Ester Naomi Perquin. Tani, për periudhën 2021-2022, si “Poet i Atdheut” nderi i pati takuar poetes Lieke Marsman (Para saj ishin poetët Tsead Bruinja, Ester Naomi Perquin, Anne Vegter, Ramsey Nasr, Driek van Wissen, Simon Vinkenoog dhe Gerrit Komrij).

[ Fotot: Anxhela Peristeri, Eurovision Song Contest, 16-05-2021, dhe rock-grupi italian Måneskin ]

***
[ koment, 21 Maj – kësaj radhe ndoshta “Zoti s’ia fal” Evropës… ]

…Zoti nuk ma fal! – ia filloi këngës Anxhela, e mua s’di pse më bëhej që kësaj radhe “Zoti s’ia fal” mbarë Evropës nëse nuk fiton Anxhela Peristeri – ndërsa asaj vetë natyrisht që i është falur “gjithçka”, që me thirravajin e parë… akoma pa filluar të këndojë, se pastaj kur Zoti e dëgjoi per herë të parë këngën e saj, i pyeti engjëjt e vet (sa për konfirmim) “është kjo Anxhela… ajo Anxhela e shqiptarëve?”, engjëjt ia konfirmuan, Zoti desh u lëkund nga përmallimi, aq sa vendosi t’ua niste muzave lavdërimet e veta aty për aty, akoma pa u dëgjuar kënga në festivalet shqiptare, akoma pa u marrë vendimi ta “nisin si këngë konkurruese” në Eurovision, dmth. muzat e morën lavdërimin hyjnor jo vetëm për performancën artistike të Anxhelas, për zërin e saj të ëmbël e për këngëtimin, por dhe për bekimin e Kledi Bahitit me frymëzimin e kompozicionit të mrekullueshëm, sikur dhe për frymëzimin e Olti Currit për tekstin : )

Eurovision Song Contest 2021 Rotterdam – Albania: Anxhela Peristeri – “Karma”