S. Guraziu – Ars Poetica, J 2020
Kah fundi i Qershorit 2018, në Tiranë ulur me dikend, sikur u gëzuam që njëri nga kamerierët më në fund e pikasi prezencën tonë… dhe i sigurt jam që letërsia do ishte e fundit për çfarë do mendoja atë ditë. Garant, as kamerierët por dhe askush s’e kishte mendjen tek letërsia, ja që rastësia qëlloi fare pranë tavolines sonë, Bujar Hudhri (Botimet Onufri) dhe Ismail Kadareja!
S’është tani nevoja të zgjatet apo t’i shmangem thelbit – për fat të keq, shëndeti i Kadaresë bukur shumë i përkeqësuar, sikur i pllakosur nga dementia e nga çorientimi psikologjik. Në gjendjen siç ishte, sikur e pamundur ta pyesje diç, sado bazike, dhe ai të të përgjigjej mirëfilli, qoftë dhe vetëm “si jeni”… i ngatërronte me emra e me gjithçka.
Gjithsesi, me Bujarin i ndërruam ca fjalë ashtu miqësisht, madje nuk e refuzoi as idenë e fotografimit (anise mua, duke qenë pakëz i “kohës së gurit”, shpesh s’më qëllon as telefon, as aparat, as orë… asgjë me vete), na nderoi sa neve po aq dhe rastësinë e takimit, pa asnjë grimë përtese, madje sikur dhe na inkurajonte… duke i shkrepur 2-3 foto me telefonin e vet, të cilat foto i pati ruajtur dhe i pata marrë më vonë.
Dhe ok, në rregull, kaq sa i përket Tiranës – tashmë pothuaj 2 vite më vonë, në Janar të 2020, Fate (Fatmir) Velaj ma nisi një tekst të gjatë (via mesazhit në Fb), disa faqe ndoshta, impresione nga njerëz të njohur, copëza tekstesh mbledhur nga ai në një vend, përshtypje lexuesish hedhur në letër lidhur me librat e tij. Të gjitha ishin tekste lavdëruese e përshtypje… me “superlativa”, siç ia thuhet. Meqë vetë s’i kam lexuar librat, pas leximit të përshtypjeve e urova për botimet dhe ia shpreha keqardhjen rreth prapangeljes sime sa i përket leximit, e madje dhe sa i përket informimit.
Sidoqoftë, çfarë më bëri përshtypje në tekstin ishte emri i Kadaresë, në mesin e dhjetra atyre emrave të njohur që kishin shkruar për librat e tij, ishte dhe Ismail Kadareja, e madje dhe Kryeministri Rama. Sa për këtë të fundit (dhe për dhjetra të tjeret) fare normale, sepse dhe totalisht normale, apo jo, lexues janë dhe ata.
Mirëpo teksti i Kadaresë sikur ngatërrohej aty në grumbullin, sikur më provokonte ta shkapurisja mbamendjen (që ta kujtoja Tiranën 2 vite më parë). Teksti i Kadaresë sikur më detyronte ta vrisja mendjen për detajet e “sjelljes” së z. Kadare atë ditë. Sepse disa gjëra nuk përputheshin, o me 2 vitet përpara, o me të tashmen e kthjelltësisë (së tij)!
Aq i kthjellët qenka z. Kadareja tani sa i paska lexuar 3 romane të Velajt (padyshim së bashku, për nga “trashësia” 3 romane i afrohen “Luftës e Paqes”) dhe plus në fund qenka ulur duke e shoshitur materien romaneske, paska shkruar esenë kritikologjike, hm! Kthjelltësi e jashtëzakonshme, sakaq t’më pllakosi gëzimi që z. Kadare i qenka rikthyer sferës intelektuale, t’më erdhi aq mirë për shëndetin e vitalitetin, për përmirësimin e tij.
E lehtë ta gjeja, s’ka tjetër “shpjegim”, tjetër që s’më pëlqente, më shumë doja t’ishte konkluzion-lajthitje, t’mos ishte vërtetësi.
Z. Kadare 2 vite më parë thjesht më paska injoruar, qenka shtirur aktor i madh – kjo qenka e vërteta! Aktor aq i madh dhe bindës sa pata ndjer keqardhje për të, njësoj keqardhje si për nënën Hanë (ndjesë pastë, i qoftë plot dritë rruga e amshimit) të cilën ende s’i kishte as një javë, e patëm varrosur në Kosovë.
Z. Kadare thjesht qenka tallur me mua duke u shtirur harrestar, duke aktruar se gjoja na e paska pllakosur dementia dhe tashmë thjesht belbëzonte kuturu. Kuturisje që ma pati ngjallur keqardhjen sa mos pyet, aq sa me Bujarin e patëm heshtur totalisht çështjen. Nëse t’i bëja ndonjë pyetje, kur qartësia shkëlqente sheshit si kristalet, do ishte aq pa “takt” e jashtë rregullave “bonton-ike” – nëse ta kemi parë njëri-tjetrin në sy, padyshim qenkemi kuptuar me një shikim të vetëm…