Simbolizmi Mitologjik – Dënimi me “Dashuri” (Shigjetat e Urrejtjes Amorike)!

S. Guraziu – Ars Poetica, Q 2019

(…plani i Erosit në thelb ishte i thjeshtë; derisa Apolloni do dashurohej si i marrë, Dafina do ikte nga dashuria si e çmendur…)

Apolloni nuk ishte thjesht një “dikushi” prej hyjnorëve, përkundrazi, ishte njëri nga perënditë më të rëndësishme dhe më komplekse nga panteoni i perëndive. Ishte i njohur dhe i respektuar si Zot i shigjetarisë, i profecisë, i së vërtetës, i muzikës, i vallëzimit, i shërimit, i dritës (diellore), i poezisë (kujtohu për 9 muzat tek vallëzojnë rrotull tij, ato muzat që i frymëzojnë të gjitha artet dhe shkencat e njerëzimit, ndërsa ai frymëzuesi i vetë muzave), ishte perëndia dhe i shumçkaje tjetër.

“Dënimi me dashuri” për Apollonin pati ardhur si hakmarrje. Sepse ky e kishte fyer Erosin për aftësitë (e dobëta) prej shigjetari… a harkëtari. Sipas Apollonit, shigjetat e Erosit na qenkeshin kot. Tani do ta pësonte, do ta vuante dënimin me zhytje në dashuri të pakthyeshme.
Në “Metamorfozat” e veta, Ovidi na thotë se Dafina më parë donte t’mos “ekzistonte” sesa t’bëhej e Apollonit. Anise ka disa versione, Ovidi padyshim e pati “mësuar” mitin nga para-rrëfenjat greke, psh. nga Partheniusi, i cili po ashtu do e ketë “mësuar” nga pararendësit grekë.

Apolloni qe dashuruar marrëzisht, dhe e ndiqte gjithandej. Për Dafinën e ngratë nuk mjaftonte vetëm ta refuzonte, Apolloni thuase ishte “çmendur” nga dashuria. Dafina duhej të ikte sa më larg prej tij. Nuk i qe dorëzuar, ia doli ta ruante virgjërinë, mirëpo më në fund ai do ta zinte. Pastaj Dafinës i qe plotësuar dëshira – me ndihmën e babait të vet qe vetësakrifikuar, qe “drurëzuar” si pemë dafine.

Por s’është se i kishte të gjitha “fajet” Apolloni. Sipas Ovidit, aq sa kishte faj Apolloni për humbjen e “zemër-mendjes”, po aq ndoshta dhe s’kishte faj. Meqë në fakt qe “dënuar” nga vetë Erosi (i biri i Afërditës – ose sipas versionit ovidian, nga Amori, Kupidoni, i biri i Venerës).

Plani hakmarrës i Erosit ishte si vijon: me një shigjetë majëflorinjtë do ta qëllonte zemrën e Apollonit. Dhe ndërkohë, me një shigjetë të plumbtë të urrejtjes do ta qëllonte zemrën e najadës së virgjër, zemrën e Dafinës. Në këtë mënyrë donte që Apolloni të mbushej mend e t’mos e fyente kurrë. Pra Erosi e pati demonstruar fuqinë e shigjetave të dashurisë. Shigjeta me majë plumbi ishte enkas për efektin e kundërt – do duhej ta kishte efektin e kundërt me shigjetën e artë. Dmth. plani i Erosit në thelb ishte i thjeshtë; derisa Apolloni do dashurohej si i marrë, Dafina do ikte nga dashuria si e çmendur.

Për Apollonin do ishte diç si “dashuri e papritur”, apo dhe s’do ishte. Ose ishte dhe njëkohësisht s’ishte e “papritur”, qëkur e dinte se i kishte ardhur nga “plaga” shkaktuar prej shigjetës së Erosit. Do ankohej se, përkundër njohurive mjekësore që i posedonte (s’duhet harruar, Apolloni ishte perëndia i Shërimit nga sëmundjet, dhe ishte babai i vetë Asklepiusit, perëndisë së mjekësisë), “plaga” e Erosit megjithatë e pashërueshme.

Do ta ndiqte vazhdimisht Dafinën e frikësuar, kot i betohej se nuk ishte qëllimi i tij ta lëndonte, thjesht e donte. Ajo sipas “efektit” të shigjetës, sipas planit të Erosit, do rendte si një sorkadhe, kah sytë këmbët, sa më larg bukurisë hyjnore me emrin Apollon.

Derisa Apolloni një hyjnor i respektuar, Dafina vetë ishte një najadë “ordinere”. E bukur, natyrisht, nimfat ashtu-kështu ishin të bukura – e bukur dhe e virgjër. Ndër dhjetra lloje nimfash (qenie nimfatike nga mitologjia, psh. hijadat, plejadat, drijadat, hesperidat, oreadat, nereidat etj), minfat e quajtura “najada” ishin një lloj nimfash që rrinin kryesisht pranë burimeve, përrenjve etj.

Gjithsesi, më në fund Apolloni do ta zinte. Dafina tashmë e zënë ngusht, në momentin e fundit i qe lutur babait të vet për ndihmë (babai i najadës së gjorë ishte Peneusi, një perëndi i lumenjëve). Babai i erdhi në “ndihmë me metamorfozën”, duke e kthyer në një pemë dafine.

Ovidi, pakashumë kështu e përshkruan “drurëzimin” e saj “…një mpirje e rëndë ia pllakosi gjymtyrët, lëvorja e hollë do mbyllej mbi gjoksin, flokët u kthyen në gjethe, krahët në degë, këmbët, më parë aq të shpejta, tani kurthuar si rrënjë tek rriten ngadalë, fytyra e saj u mbulua nga degët, ngeli vetëm bukuria e saj e ndritshme”…

Faktin e humbjes së dashurisë, dhimbjen e Apollonit do ta “ilustrojmë” sadopak më poshtë, por më parë le t’kujtohemi që ai ishte njëri nga hyjnorët më të bukur, më bukuroshi e sylaroshi. Rrezatonte bukuria e tij, bënte dritë si vetë Dielli. Askush s’i afrohej për bukuri Apollonit, ishte ideali i bukurisë rinore. Dhe atë jo vetëm bukuri për ca vite a ditë… por i bukurisë së përjetshme. Sipas grekëve madje ai na ishte më “greku” nga të gjithë, krenaria e mbarë Greqisë, asnjë perëndi tjetër s’ishte më “grek” sesa Apolloni.

Dhe ja tani ku e katandisi hakmarrja e Erosit, e “plagosi” me dashurinë vetë Apollonin e Madh. E qartë se qe demonstruar fuqia e perëndisë së Dashurisë, qe demonstruar që ç’ke me të. Perënditë tjera do duhej ta merrnin si “leksion”, s’është lojë me shigjetat “erotike”.

Imagjino pra ç’e kishte gjetur Apollonin e ngratë! Ja pse duhet kujdes me zemrat, duhet shumë kujdes me shigjetat e Erosit, kurrë s’duhet tallur me dashurinë. Sa për “fyerje” e për incidente më të rënda as që duhet t’na shkojë mendja. Përndryshe do ta pësonim me dashuri të “pakthyeshme”, të shpërfillshme. Mund ta pësonim me keq se Apolloni. Nëse vetë krye-bukuroshi, më i bukuri nga perënditë, vetë perëndia i shërimit s’kishte shërim për plagën e vet amorike, atëherë… mbase s’është nevoja të komentohet çdo na gjente neve vdekatarëve.

Pra, me ndihmën e babait, Dafina ia doli dhe e ruajti betimin, ruajtjen e virgjërisë – e ngrata qe “drurëzuar”. Thuase për t’u thelluar “ironia” e mitit sadopak, betimi i Dafinës ndoshta duhej çuar në “vend” për askend tjetër por për motrën binjake të vetë Apollonit, për perëndeshën Artemisa. Sidoqoftë, as Ovidi por as pararendësit grekë s’kanë “spekuluar” sa i përket kësaj.

Dafina qe drurëzuar, përjetësisht “laurus nobilis”. Mirëpo drurëzimi i saj s’do ta zbehte dashurinë apollonike. Apolloni do ta përqafonte Dafinën e “drunjtë”, ende i ndjente të rrahurat e zemrës së saj. Nuk dimë nëse pati derdhur lot, nuk dimë sa do ketë zgjatur lamentimi apollonik, por ashtu i pllakosur në dhimbjen e vet, do klithte: “meqë nusja ime s’mund të jesh, sëpaku Dafinë e ëmbël, do jesh pema ime, do jesh kurorëzimi i joshjes, i drithërimës sime, kurorë në flokun tim”.

Dhe po, Defina e “drurëzuar” mund ta dëgjonte (tekefundit sipas Ovidit mund ta dëgjonte), por as ideja e të qënit “pema e tij” s’i pati pëlqyer. Për fat të keq s’kishte si rezistonte tutje mirëfilli, e gjitha ç’mund të bënte ishte t’i “përkulte degët”…

[ fotoja ngjitur: fotografi i panjohur – “një nimfë uji…” ]

***

Lieke Marsman – “Dichter des Vaderlands” (Poet i Atdheut), Holandë

Në Greqinë e lashtë me degëza dafinash (laurus nobilis) thurej një kurorë me të cilën kurorëzoheshin, nderoheshin poetët dhe heronjtë. Ky zakon qe berë traditë, bazuar në mitin e lashtë të Dafinës dhe Apollonit.
Në kohën tonë, “Poet Laureat” është një poet i cili nderohet zyrtarisht nga një qeveri (ose nga një institucion akordues i shtetit), dhe nga i cili poet zakonisht pritet të shkruajë poezi për ngjarje dhe raste të veçanta lidhur me atdheun e vet.

Nderimi i madh “Poeta Laureatus”, në Holandë quhet “Dichter des Vaderlands” (Poet i Atdheut), “laureati” zgjedhet çdo 2 vite, ky nderim praktikohet që nga v. 2000, për periudhën 2021-2022 qe zgjedhur poetja Lieke Marsman (para saj ishin poetët Tsead Bruinja, Ester Naomi Perquin, Anne Vegter, Ramsey Nasr, Driek van Wissen, Simon Vinkenoog dhe Gerrit Komrij).

Një formë identike sa i përket funksionit “Poeta Laureatus” e kanë Britania e Madhe, ShBA dhe shtete të tjera. Në ShBA psh. ky nderim ekziston që nga v. 1937, një “poet laureate” është Poet konsulltues për Poezinë pranë Bibliotekës së Kongresit.
Në Britaninë e Madhe “lauretizmi” e mori statusin zyrtar mbretëror që në v. 1668.

(Fotoja e poetes Lieke Marsman: Merlijn Doomernik, 2020)
(sg – ap, qershor 2021)

Danteja me Laureolen e Nderit – “Poeta Laureatus”

[ termi “laureat” në kohën tonë moderne pakashumë nënkupton dhe një lloj prestigji akademik, ose tekefundit nënkupton njohjen e përparësisë apo të arritjes superiore akademike, shkencore, intelektuale, humaniste etj. (psh nobelistët dhe i quajmë “Laureat i Nobelit”) ]

1 – Sandro Botticelli (~1445-1510) – Dante Alighieri (1265-1321), Portret në profil, 1495
2 – Gian Lorenzo Bernini (1598-1680) – Apolloni dhe Dafina, 1622-25

1 – Sandro Botticelli (~1445-1510) – Dante Alighieri (1265-1321), Portret në profil, 1495
2 – Gian Lorenzo Bernini (1598-1680) – Apolloni dhe Dafina, 1622-25