SG – Histori (3)

HISTORI (3)
SGuraziu, 2019

Poezia shkruhet ndryshe,
lexohet ndryshe,
natyrisht, jo siç “ndryshe”
lexohet ndryshe,
ftohtë… pa asnjë kuptim
tjetër të ngrohtë –
poezia është diç si triadë,
jokushtimisht na lidh
mua, ty dhe domethënien,
psh. sot do jesh konfuze
me këtë poezi
pasi do merresh me sintaksën,
me semiotikën
e ‘vargut’, vallë pse
pikërisht këto fjalë, bagazhi
i gjuhës nuk shteron,
mund t’thuhej dhe ndryshe,
pastaj do humbësh kohën
duke vrarë mendjen
për semantikën, vallë
ç’ka pretenduar të thotë
me kaq shumë fjalë,
deri këtu s’ka kuptim,
mungon domethënia
poetike, tutje do lodhësh
kokën rreth pragmatikës,
në fund do mërzitesh,
s’ka kuptim – do thuash,
dinamizmi semiotik
në letër është formulim
i vdekur, por triada e jetës
nënkupton mendimi
t’kthehet në fjalë
dhe fjala në vepër, andaj
pse gjithë kjo dërdëllitje
nga dikush që dikur s’dinte
as dhe një fjalë të vetme!

(ngjitur: shutterstock image)