Dhëndrri i Musolinit, “Qytetar Nderi” i Tiranës!

[ sguraziu – ars poetica, korrik 2021 – koment ]

Njëjtë si Koço Kotta dikur që ashtu fare “kot” e pati nderuar dhëndrrin e Musolinit, edhe Rama fare kot e pati nderuar Goran Bregoviqin. Unë vetë, si johistorian, për asnjërin rast s’e kam bash të qartë pse duhej nderuar ata, thuase ashtu kot, sinqerisht… Pa le që kronikat më të lavdërueshme do e shihnin që Rama atëbotë t’më kishte nderuar mua si “qytetar…” të Tiranës (çelësin t’ma jepte mua, pse jo, pikërisht mua vetë, ç’të keqe paskam unë – mbase një nder aq të madh s’e meritoj, e saktë, ama sëpaku kronikat s’do ishin “kontradiktore”, historia s’do ta “qortonte” askend për lajthitje : )

E kam thënë dhe më parë, vetë si një johistorian nganjëherë kam “përshtypjen” që historianët disa gjëra më me dëshirë i heshtin, ose iu shmangen, ose rrallë (ndonjëherë, kur s’kanë kah ia mbajnë) i përmendin fare shkurt a “rrëshqitazi” (gjoja për t’mos bërë bujë, gjoja si fakte të vockla, jo aq relevante). Psh. kam përshtypjen nga historianët shqiptarë kurrë s’është qartësuar mirëfilli pse duhej “vulosur” emërimi i dhëndrrit të krye-fashistit italian “Qytetar Nderi” i Tiranës! Mjaft i “çuditshëm” si gjest historik, qëkur Shqipëria ende s’ishte pushtuar nga Italia, duhej pritur dhe 2 vite të tëra që pushtimi të ndodhte… andaj si, pse, ç’ne me këtë ngutje të “diplomacisë shqiptare” të atëhershme?!

E lehtë të hamendësojmë se ishin vetë politikanët shqiptarë ata sikofantët e pandreqshëm, të ngratëve dashtas-padashtas u imponohej servilizmi ndaj aparaturës fashiste italiane, e qartë se pa ndihmat ekonomike italiane, pa “protektoratin” as Zogu por as vetë elitarët e politikës shqiptare si lajkatarë e servilantë, zor se do ia bënin “gëk”.

Mund ta marrim me mend se ishte Kostaqi, marioneta e devotshme e Zogut, ai pra Koço Kotta i cili ashtu “kot” do ta emëronte Cianon “Qytetar Nderi” të Tiranës. Supozoj, mbase ai duhej ta “vuloste”, e kush tjetër, ai ishte Kryeministri, ai kollitej atëbotë për politikat shqiptare (ishte madje 2 herë Kryeministër). Pakashumë ngjashëm, sikur që e dimë se ishte Edi Rama në v. 2006 që do ta “vuloste” vendimin për dhënien e “Çelësit të Tiranës” Goran Bregoviqit.

Në v. 1981 në Kosovë (atëherë Provincë Autonome e RSFJ) shqiptarët do merreshin me demonstratat. Vetëm 2-3 vite më pas Goran Bregoviq e përdori pikturën “Vajza e Kosoves” të Urosh Prediq në kopertinën e albumit “Bijelo Dugme”. Dihet se “Kosovka Devojka (Vajza e Kosoves)” është një pikturë rreth ëndrrës nacionaliste serbe, motiv që ishte nxitësi kryesor i propagandës së Millosheviqit (fjalimi i tij në Gazimestan vetëm sa do ta “vuloste” ëndrrën serbe). Piktura e Urosh Prediq simbolizon “nacionalizmin serb”, flet për sakrificën e serbëve dikur në Betejen e Kosovës, në v. 1389 kundër turqve.

Së shpejti shtyllat e Federatës do të “tronditeshin”, pak vite më vonë Jugosllavia do copëtohej nga luftrat. Koncepti nacionalist-politik i këngës së Bijelo Dugme “Lipe cvatu” (Blinat Lulëzojnë) nuk është parë si “serioz”, por sipas meje ishte në fakt mjaft serioz! Vetëm 2-3 vite pas demostratave të Kosovës, teksti i këngës së Bregoviq thua se i drejtohej pikërisht “Kosovës” (separatiste), “ik… shko kah të duash, rrafsh të qoftë Jugosllavia, gjithçka do jetë në dëm tëndin, (për mua gjithçka) është siç ka qenë… por zemra jote dhe e imja s’do jenë më kurrë në dashuri”.

Natyrisht, si figuracion përputhet me cilëndo “dashuri të prishur”, me cilëndo ndarje, me cilëndo romancë fatkeqe, mirëpo “mesazhi” i Bregoviq pakashumë do duhej t’ishte i qartë. Edhe pse Jugosllavia u coptua me luftra të përgjakshme, dhe se paramilitaret e Millosheviqit me masakrat e pastrimet etnike në Kosovë i qenë bërë të njohura gjithë botës, në v. 2006 Goran Bregoviq e mori “Çelësin e Tiranës” nga Edi Rama.

***
Galeazzo Ciano (1903-1944) shërbeu si Ministër i Jashtëm nga v. 1936 deri 1943, gjatë kësaj periudhe shihej si pasardhësi më i mundshëm i Musolinit, paçka se realisht historia tutje do “shpalosej” ndryshe. Në v. 1937, dy vite para pushtimit italian të Shqipërisë (1939), Ciano qe emëruar “Qytetar Nderi” i Tiranës.
Ishte 27 vjeç kur në v. 1930 u martua me vajzën e Musolinit (Edda Mussolini). Menjëherë pas martesës Ciano do nisej për në Shanghai, në shërbim si Konsull. Pas kthimit në v. 1935, në qeverinë e Musolinit u bë Ministër i Shtypit dhe Propagandës. Ciano do ishte vullnetar (si komandant i skuadriljes bombarduese) gjatë pushtimit të Etiopisë (1935-36). Madje i mori dy medalje trimërie dhe arriti gradën e kapitenit. Pas kthimit nga lufta në v. 1936, i trumpetuar nga propaganda fashiste si “hero”, nga Musolini u emërua (Zëvendës)Ministër i Jashtëm.

Pak kohë pas emërimit të tij, Ciano filloi të mbante një ditar (është përdorur si burim referencial nga disa historianë), do e mirëmbante deri në v. 1943. Disa pjesë të ditarit qenë botuar në v. 1946 (i plotë qe botuar në v. 2002), dhe në atë kohë, ndër të tjera bie fjala gjatë Tribunalit të Nurembergut, shkrimet e tij nga prokuroria qenë përdorur si dëshmi thelbësore juridike kundër Ministrit të Jashtëm të Hitlerit, von Ribbentrop.

Meqë puna e luftës për aleancën e nazi-fashistëve s’pati vajtur dhe aq mbarë, pas një serie humbjesh ndër frontet, Ciano filloi me presionin për largimin e Italisë nga lufta, si rezultat do shkarkohej nga posti, në turbullirën politike të kohës (ashtu me presionin e anti-luftës kundër Musolinit, natyrisht Ciano s’ishte i “pafajshëm”, kështu që) në v. 1943 me gruan dhe fëmijët do ikte në Gjermani, por as nga gestapo-ja s’do ishte i mirëpritur, nazistët e arrestuan dhe ia dorëzuan tashmë administratës së re të Musolinit, nën presionin gjerman dhe të fashistëve italianë, Musolini e burgosi nën akuzat për tradhti. Pas gjyqit dhe dënimit (thuase gjykim i inskenuar sa “për sy e faqe” të publikut), përfundimisht Musolini e urdhëroi vdekjen e dhëndrrit të vet “kryeneç”, në Janar 1944 Ciano do ekzekutohej nga skuadra pushkatuese…

Si “vizionar” që na ishte, si njohës i “politikave të jashtme”, në hap me përspektivën italiane e kohës, duke folur për pretendimet e Shqipërisë ndaj Kosovës, si të vlefshme për objektivat e Italisë, në ditarin e vet Ciano pati shkruar:
“Kosovarët janë 850.000 shqiptarë, të fortë me trup e të fortë në shpirt, dhe entuziastë për idenë e një bashkimi me Atdheun. Me sa duket, serbët janë të tmerruar prej tyre. Sot duhet… ‘kloroformuar’ jugosllavët. Por më vonë duhet miratuar një politikë me interes të thellë në Kosovë. Kjo do t’ndihmojë për t’mbajtur gjallë në Ballkan një problem irredentist i cili do ta polarizojë vëmendjen e vetë shqiptarëve dhe do të jetë një ‘thikë në shpinë’ të Jugosllavisë… ” [ D. Zolo – “Invoking humanity: war, law, and global order” – London, NY, 2002 ]

(fotot)
1 – Adolf Hitler, Benito Mussolini, Galeazzo Ciano [ dhëndrri së bashku me vjehrrin në mision diplomatik tek Fyhrer-i, Ciano tashmë veç ishte “Qytetar Nderi” i Tiranës, foto para se të nëshkruhej “Marrëveshja e Mynihut”, 1938 – Bundesarchiv Bild ]
2 – Galeazzo Ciano (1903-1944), Ministër i Jashtëm i Italisë, 1936-43
3 – Joachim von Ribbentrop (1893-1946), Ministër i Punëve të Jashtme i Nazi-Gjermanisë, 1938-45 [ Bundesarchiv Bild ]
4 – Ahmed Myftar bej Zogolli – Zogu I (1895-1961), Mbreti i Shqiptarëve, 1928-39
5 – Kostaq (Koço) Kotta (1886-1947), Kryeministër i Shqipërisë, 1936-39 (të 2-tën herë, pas Mehdi Frashërit, para Shefqet Vërlacit)