E E Cummings – “Vetmia”, dhe “Misteri i Qetësisë”

[ sguraziu – ars poetica, shtator 21 ]

E. E. Cummings – “Vetmia” (Loneliness) – Poezi Vizuale
…sipas Cummings, një gjeth i vetmuar thjesht bie, “këputet” dhe ia mësyen tokës, zor ta përballojë ‘gravitetin’ e vetmisë… gjoja duke mos u mërzitur asfare : )

***
E. E. Cummings – “Misteri i Qetësisë” (Mystery of Stillness) – Poezi Vizuale
(asgjë s’mund ta tejkalojë misterin e qetësisë – nothing can surpass the mystery of stillness)

(s. guraziu – ars poetica, j 24 – koment)
asgjë s’mund ta tejkalojë misterin e qetësisë – kuptohet, jo patjetër Cummings fjalën duhej ta kishte rreth “qetësisë fizike” (mbase më parë për atë “shpirtërore”, poetike, metafizike), gjithsesi sipas Cummings, asgjë s’mund ta tejkalojë misterin e qetësisë, me fjalë paksa më ndryshe s’ka asgjë më të mistershme se qetësia, e po ashtu ndoshta asgjë më intriguese se qetësia, diç ngjashëm psh. siç është dhe qetësia absolute kozmike (e hapësirës, e universit)…

…mega-eventet e fotosferës dhe të kronosferës diellore (si vese yjore), “muzikat” e tmerrshme pas shpërthimeve plazmatike a la krono-solaris… për fat të mirë nuk i dëgjojmë, andaj as që duhet përmendur, unë i përmenda thjesht si “respekt” ndaj qetësisë absolute kozmike, si respekt ndaj këtij “filtri” kozmik, sepse përndryshe s’do ishte e mundur as jeta këtu në tokë, zhurma e paimagjinueshme e eventeve diellore do i kishte çmendur dhe dinosaurët dikur, para sa e sa miliona viteve, pa le neve, gjallesave kaq të ndieshme të së sotmes – pra me kaq do e lëmë, e përmendëm “filtrin sonik” si respekt, mjafton respekti ynë…

…mirëpo qetësia kozmike e ka dhe anën tjetër, bie fjala atje lart rreth e rrotull ISS (stacionit kozmik ndërkombëtar) njeriu natyrshëm s’dëgjon gjë, pa ndihmën teknologjike do ta kishte shurdhësinë absolute, s’do kishte si merret vesh, as me Tokën poshtë, por dhe për komunikimin atje lart do ishte mjaft problematike, anëtarët e ekuipazhit mes vete mbase do duhej të komunikonin me gjuhën e shenjave, me gjuhët “ndihmëse”, ku ta dimë tani… me gishtat, me luhatje koke, me morze-sinjalet, me leximin e buzëve, me tabelat, me shenjat e shkruara, me figurinat “hieroglifike” të Facebook etj (e pata me gjithë mend, emotikonet moderne janë hieroglife serioze, figurinat e Fb janë mjaft të avancuara, s’keni pse buzëqeshni : )

…sepse hapësira vakumore nuk është vetëm boshe, dhe siç dihet jashtëzakonisht “armiqësore” ndaj jetës si akullësi e zbrazët, s’ka as oksigjen as frymë për frymorët (për njeriun – meqë eventualisht ndonjë organizëm anaerobik alienik dhe do mundej pa oksigjen, pasi ec e dije… do insistonin “idetë e fanta-shencave, idetë sci-fi”, njësoj siç mikrobet anaerobe të thellësive oqeanike, dmth. mikrobet munden dhe pa oksigjen, mund t’ketë dhe alienë që s’u duhet oksigjeni, s’e kemi idenë ç’lloj formash “jetësore” mund t’ketë shpikur universi), pra përveç akullsisë hapësira është e pllakosur dhe nga qetësia absolute, totalisht e “shurdhët, e heshtur”, meqë përhapja e valëve sonike në vakum nuk “konvertohet” në zëra, në tinguj, në asgjë të “tingëllueshme” sepse pikësëpari s’ka as përhapje…

…në hapësirë, pa atomet dhe pa molekulat për t’i bartur valët zanore (sonike) thjesht “zëri” nuk ekziston, as zëri as jehu (kjo dhe logjike pakashumë, pa zë s’ka si t’ketë as jehonë), shkencat tokësore “thonë” se tingulli udhëton përmes dridhjeve të atomeve, përmes vibracioneve molekulare në një mjedis ku atomet dhe molekulat janë prezente, psh. siç janë ajri ynë, uji, dhe meqë në hapësirë “s’ka ajër” kjo do t’thotë s’ka asgjë, asnjë mjet, asnjë “kovë sonare”, asnjë karrocë apollonike për ta bartur zërin, kështu që “nuk lëviz, nuk udhëton” fare, i gjithë ai kozmos si zezonë e paskajshme… thjesht i pllakosur nga qetësia e akullsisë, si dhe e kundërta (nëse eventualisht t’na duhej poetikisht) nga “akullsia e qetësisë” – Cummings s’e ka përmendur, por ja e përmenda unë, përveç të mistershmes së jotejkalueshme, padyshim qetësia mund ta ketë dhe “akullsinë” : )