Trini-Hyjnorja Mitologjike – Perëndeshat e Fatit

S. Guraziu – Ars Poetica, P 2018

Perëndeshat që kujdeseshin për fijet metaforike të Jetës së çdo individi (që nga thirravaji i parë i lindjes, e deri në vdekje) ishin Atropa, Lakezia dhe Kloto.
Kjo dmth. sipas mitologjisë greke, dhe quheshin Tri Perëndeshat e Fatit Jetësor (të njohura si Moirada). Ato ishin vajzat e Niksit (Natës) dhe të Erebusit (Errësirës).

Mitologjia vetë fillin e vet e tjerr nga “shtëllunga” e Kaosit, ose nga asgjëja, ose nga hiçi, shkurt nga hiçasgjëja (hm, pothuaj njësoj si “Big Bang Teoria” moderne 🙂 Pra mitologjia fillin e vet e tfillon kur nis e na flet për Nismën, për hyjnitë zanafillore (ose parësore, primare). Peri i jetës mitologjike tirret për perënditë dhe perëndeshat e para (të lindura nga Kaosi). Askush nga kronistët grekë të lashtësisë nuk e ka përmendur… ama e qartë që Kaosi duhet të ketë lindur përpara hiçasgjësë, nga hiçasgjëja. Po ashtu, duke qenë Ai(jo) vetë zanafilla hyjnore, Kaosit s’do t’i kishte aspak hije t’na ishte një alopeko-androgjenik (nga njëra anë kryezot i kozmosit, e nga tjetra një androgjen qeros i vetmuar… pa asnjë qime, qoftë burrash a grash, meqë duhej t’i kishte të dyja. Jo pra, ai duhet të ketë qenë një leshatuk, një Kaos totalisht kaotik i mbytur në lesh, thjesht sepse pa lesh s’ke si i tjerr penjtë e Jetës, as të nipave-stërmbesave hyjnore as të njerëzimit 🙂

Sipas Hesiodit, “kryezanafillori” i parë ishte pra vetë Kaosi. Kuptohet që androgjenikja hyjnore mund ta mbars vetveten me vetminë absolute dhe… pas tij vijnë “zanafillorët” tjerë varg e varg, si psh. Gaja, Tartarusi, Erosi, Erebusi dhe Niksi. Këta tutje s’kishin nevojë të ishin androgjenër as vetmitarë. Sepse na është thënë që nga përqafimet e zanafillorëve Gaja (Nënës Tokë) dhe Uranit (Babi-Qiellit) patën ardhur në jetë hyjnorët pasardhës, të njohur si Titanët.
Zeusat, Hadesat e të ngjashëm janë dmth. gjenerata e mëpastajme e hyjnorëve sadopak më të civilizuar, më të rruar, më të “rregulluar”, rrethuar me rregull.
Për Olimpianët hyjnor pra ishte më e lehtë. Ama s’mund të mohohet që gjyshi i tyre Kaosi pati hequr shumë i ngrati… ose tekefundit duhet të ketë qenë tmerrësisht i mërzitur, s’mund të vdiste ama sikur shpirti e mendja i tretej nga vetmia e përjetshme. Çfarë i duhet një para-hyjnori në të tilla kushte “genezis” pavdeksia? Përveç sa për t’u çmendur! Ja pse dhe qe çmendur ai, thjesht iu qenë avulluar të gjitha kokrrat në eter, ngeli amshueshëm kaotik sa dhe vetë çmenduria kozmike.

***
Gjithsesi, saktë nuk e di por pothuaj në të gjitha mitologjitë e botës, Tri Perëndeshat e Fatit (sundimtaret e së Shkuares, të së Tashmes dhe të së Ardhmes) simbolizonin Trinitetin Hyjnor – Virgjëreshën, Nënën dhe Plaken (Krijimi-Lindja, Ruajtja-Jeta, Shkatërrimi-Vdekja). Treshja më e shquar ishte trini-hyjnorja nga mitologjia greke, Klotoja ishte Tjerrëse, Lakezia ishte Matëse dhe Atropa i jepte fund gjithçkaje, ishte Prerëse e fijeve të jetës.
Ndoshta të gjitha trini-hyjnitë e tilla mitologjike ishin aspekte të Trini-Afërditës pararendëse (thuhet se emri i saj ishte Moera, dhe aq e vjetër sa ia kalonte dhe vetë Kohës, ishte më e vjetër se Koha). Triniteti i Afërditës arkaike njihet dhe si “Tri Horat”, apo si nimfat qiellore Eunomia (Rregulli), Dikeja (Paqja) dhe Eirena (Drejtësia).

Ndonëse kishte dhe trinitete tjera mitologjike, si psh. Tri të Bukurat (Hirushet), Horat, Gorgonat etj. Këto të fundit në fillim nuk ishin tri, për shkak të Homerit, që nga ai e deri në kohën e Hesiodit njihej vetëm një gorgonë-përbindësh, por pastaj Hesiodi pati “insistuar” që duhet të jenë tri gorgona, sipas tij ishin Stenoja (e Fuqishmja), Euriala (Largkërcyesja, ose Super-Kërcimtarja) dhe e llahtarshmja Meduza (Mbretëresha). Ndër trini-hyjnitë tjera mitologjike psh. ishin Zorajat e sllavëve, Treshja-Gjinevra ose Trio-Brizhitat britanike etj.

Në pikturën e Louis Scherf shihet plako-xhufurrakja Atropa ulur majtas (më e vjetra nga të trija perëndeshat e pavdekshme, mplakja dhe rrudhosja e saj është thjeshtë simbolike 🙂 në dorën e djathtë mban një palë gërshërë me të cilat ajo e prenë fillin e Jetës njerëzore. Lakezia duket në të djathtë, ka mbushur prehrin plot lule dhe merret me matjen e fillit të Jetës, ndërsa bukuroshja Kloto gjysmë nudo, me gjokset në fushë, si përfaqësim i freskisë, i bukurisë rinore e madje dhe i virgjërisë, merret me tjerrjen e fillit të Jetës.
E njëjta mund të thuhet dhe për pikturën e Bernardo Strozzi, ndonëse për hir të një kokrre dallim… ky sikur ka “devijuar” pakëz nga vërtetësia mitologjike, duke i paraqitur perëndeshat fare xhufurrake 🙂

Pikturat:
– Louis Scherf (1870-1955) – Tri Perëndeshat e Fatit, rr. 1908 (bazuar në pikturën nga F. P. Thumann, 1834-1908)
– Bernardo Strozzi (1581-1644) – Tri Perëndeshat e Fatit, rr. 1664