Mahmoud Darwish – Në Jerusalem

NË JERUSALEM
Mahmoud Darwish [Palestinë, 1941-2008]

Në Jerusalem, dhe pra nënkuptoj brenda mureve
të lashta, çapoj nga një epokë në tjetrën
pa mbamendjen si guidë. Profetët tutje
po ndajnë historinë e të shenjtit… duke u ngjitur
në qiell dhe duke u kthyer më pak të dekurajuar
e melankolikë, sepse dashuria dhe paqja
janë të shenjta dhe duke ardhur në qytet.
Po ecja fundit të një pjerrësie duke i folur vetes:
vallë si është i mundur mospajtimi i kronistëve
për atë që Drita pati thënë për Gurin? Mos
vallë është guri dritëzbehtë nga ku luftrat
marrin flakë? Çapoj në gjumë. Vështrimi
i ngultësuar në gjumë. S’shoh askënd pas
meje. Askend para meje. E gjithë kjo dritë
vetëm për mua. Hapëroj. Bëhem më i lehtë.
Fluturoj dhe bëhem një dikush tjetër.
Shpërfytyruar. Fjalët shpërthejnë si bari
nga goja e profetit Isaja: “Nëse nuk beson
kurrë s’do jesh i sigurt”. Ec tutje,
sikur t’isha një tjetërkush. Dhe plaga ime
si një trëndafil i bardhë i Bibles. Dhe duart
si dy pëllumba në kryq, pezull në ajri
duke e bartur Tokën. Nuk ec, por fluturoj,
bëhem një tjetërkush, i ndër-shndërruar.
Asnjë vend dhe asnjë kohë. Pra, kush jam unë?
Nuk jam unë në praninë e ngjitjes. Por kujtohem
se si: profeti Muhamed i vetmuar foli dikur
në arabishten klasike “Dhe çfarë pastaj?”
Pastaj? Një grua ushtarake bërtiti: përsëri Ti?
A s’të pata vrarë ty? I thashë: më vrave…
por pata harruar, njësoj si Ti, të vdes.

– – –
© 2008 M. Darwish (në anglisht nga Fady Joudah) – Burimi: The Butterfly’s Burden (Copper Canyon Press, 2007), via Poetry Foundation, USA
© Për shqipërimin (nga angl.): S. Guraziu – Ars Poetica, 2018