Arti Islamik – Arabeskat e arkeolog-efendiut Prisse d’Avennes

– Mozaik në xhaminë Aqsunqur
– Faqja e fundit e Kuran-it, në xhaminë Sultan Barquq

…punime të Emile Prisse d’Avennes (1807-1879) – “Arti Arab ndër Monumentet e Kajros: nga shek. VII deri në fundshekullin XVIII“, publikuar 1869-1877

Prisse d’Avennes, arkeolog, egjiptolog dhe arkitekt francez, në v. 1827 do t’shkonte në Egjipt dhe do t’punësohej si inxhinier i ndërtimtarisë, punëdhënësi na ishte askush tjetër por Muhamed Ali Pasha (sundimtar i Egjiptit, me prejardhje shqiptare, diç si “mbret-guvernator”, sundues fuqiplotë – ose dmth. përndryshe diç si “nën-mbret” i perandorisë osmane, me fjalë të tjera qe zgjedhur e pëlqyer zyrtarisht si guvernator i Egjiptit, nën ombrellën perandorake të sulltanit)…

…pakashumë ngjashëm (bie fjala) siç Arnold Schwarzenegger pati qenë Guvernator i Kalifornisë së madhe, ama megjithatë nën Bush-babushin e Teksasit, si President Federal – ku di, historianëve mund t’u shkojë buza në gaz, por s’është krahasim dhe aq i keq, anise s’pritet t’jetë bash 100% i saktë…

…natyrisht që ngrehinat e politikave moderne (federalizmat psh.) janë disa herë më stabile sesa “otomanizmat” e asaj kohe, këso fakte pritet të nënkuptohen, andaj dhe ai krahasimi ynë – perandoria osmane atëbotë thuase pati filluar e kalamendej, Sulltani s’i kishte punët dhe aq mirë, në disa raste do ia kishte “frikën” dhe vetë Muhamed Ali Pashes, madje Sulltani do ia kërkonte dhe ndihmën, psh. njëherë ia pati premtuar Kretën komplet si peshqesh… nëse ky ta ndihmonte për t’i shtypur grekët e rebeluar : )

…gjithsesi, se u hutuam, s’na duheshin politikat, fjalën e kishim për atë xhinierin francez – pra franko-efendiu do t’i kalonte shumë vite në Egjipt, do jetonte si egjiptian i mirëfilltë, mbase atëbotë “orientalizmi francez” do ketë qenë në kulmin e lulëzimit, me gjasë inxinieri qe dashuruar fort në kulturën orientale, e po ashtu (pourquoi pas… pse jo) ndoshta dhe në ndonjë Hanume-Kilipatra të bukur…

…jo se kemi ndonjë arsye të “bazuar” për spekulime, larg qoftë, por ashtu kot si supozim fare lehtë mund t’ketë qenë e mundur – si inxhinier i mbretit pozitën ashtu-kështu e kishte bukur “lart”, s’na ishte ngusht as për pallate as për dukate, pagën do e ketë patur sa të duash të majme, mund t’i ndiqte gostitë e lloj-lloj banketesh, si rastësi e ëmbël s’do ketë qenë aq e pamundur ta takonte dhe ndonjë “hanume… Kilipatra” – këtë po thoshim në mendje, jo se po merreshim me spekulime : )

…si një franko-egjiptian madje e pati adoptuar dhe një emër të përshtatshëm, Idriz-efendi, ashtu pritej ta thërrisnin të gjithë, qoftë koleg-ologët e arkeologjisë a qoftë burekxhinjtë, ishte tashmë i njohur gjithandej krye-shehrit, por dhe vetë e njihte secilën nga xhamitë, i pati studiuar të gjitha monumentet e Kajros e të Egjiptit, e pati praktikuar Islamin, kuptohet e pati mësuar dhe arabishten, gjuha ashtu-kështu i duhej, pa gjuhën le që s’do t’i kuptonte as “Kilipatrat”, por dhe studimet e kulturës do na ishin më të vështira…
[sguraziu – ap, d 21]