Vallë e di kush ç’është e “vërteta”?

S. Guraziu – AP, D 2021

1 – Françoise Gilot* – “Pylli i Gjallë, 1977
2 – François Lemoyne (1688-1737) – “Koha mbron të Vërtetën nga Gënjeshtra dhe Zilia”

Picasso gënjente artistikisht-bukur, padyshim do na dilte “gënjeshtari” më i madh i të gjitha kohërave, meqë ishte i shquar sidomos për kuantitetin. Kjo fjali që sapo e shkrova, ndoshta tingëllon si gënjeshtër, por jo, është e vërtetë!

Por vallë e di kush ç’është e “vërteta”? Madje dhe vetë Niçeja, ai filozof-mustakologu i famshëm, e pati shtruar të njëjtën pyetje. Dallimi është se (ai vetë pyeste dhe vetë përgjigjej), pyeste kur s’e dinte, e ndonjëherë dhe kur e dinte.
Psh. “Ç’është e vërteta? (pati pyetur – pastaj qe përgjigjur) Një ushtri e lëvizshme metaforash, metonimish, antropomorfizmash, me një fjalë, një përmbledhje e marrëdhënieve njerëzore që janë përmirësuar, ekstrapoluar, zbukuruar poetikisht, retorikisht dhe që, pas përdorimit të zgjatur, duken të fiksuara, ‘kanonike’ (të pranuara), obligative për njerëzit” – e qartë se kësaj radhe Niçeja e dinte : )

Historia e shkrimeve të njeriut aq e gjatë, panumër njerëz të shquar flisnin (dhe ende flasin) me superlativa për të vërtetën. Sidomos filozofët e çmojnë aq shumë të vërtetën, e vërteta “absolute” ndoshta as nuk ekziston, prapëseprapë asgjë më e lartë, më e çmuar sesa e vërteta – thonë ata.

Nga ana tjetër, qëmoti në lashtësi e dinin dhe atë të vërtetën e vockël – nëse ndokush e shpalos të vërtetën (nëse e demaskon… ia heq maskën gënjeshtrës) padyshim do jetë nga më të “urryerit” e shoqërisë (Platoni).
Diogjeni psh. e kishte pikërisht këtë ves, ai madje sikur tallej, kahdo që vërtitej a rrotullohej tallej me maskat e realitetit. Ves i rrezikshëm sa mos pyet.

Jo vetëm se i shpërfillte rregullat, standardet e façadat e etikave, jo vetëm se dhe vetë jetën e vet e trajtonte me “nihilizma”, më shumë i respektonte canis-bisedat, dmth. me qentë-miqtë e vet, sesa me Aleksandrin e Madh, jo vetëm se nuk çante kokën për “rregullat bazike shoqërore”, jo vetëm për cinizmat e nihilizmat, gjithsesi… sa për përbuzjen e rregullave s’ishte aq i vetmuar, kishte dhe plot të tjerë varfanjakë, s’do ta urrente kush vetëm për këtë.

Problemi është më i thellë – vesi që askujt s’i “pëlqente” është se ai e shkapuriste të vërtetën bazike të jetës deri në ekstrem.
Dhe Platoni kishte të drejtë (jo se dhe ky e urrente… ok, ndoshta pakëzzzz, meqë Diogjeni ia pati “shpuplosur pulën” dhe atij, por) sepse gjithkush që e shqyen “maskën gënjeshtare” të realitetit, cilidokush që e prish “artistikën e gënjeshtërt” të jetës, do jetë i urryer.

Filozofët duhet ta krijojnë një kult të vërtetë për të vërtetën, jo ndonjë ‘roman’… (për jetën dhe aksh filozofët a mendimtarët) – pati shkruar poeti dhe shkrimtari argjentinas Jorge Livraga. “Në antikitetin klasik (kur mendohej për një akt heroik ose për t’i dhënë pak shkëlqim punës së përditshme…) gënjeshtra konsiderohej diç si një lloj krijimi artistik dhe, ende sot shumë shkrimtarë me fantazitë e tyre rikrijojnë situata dhe ngjarje të imagjinuara, të paqena. Poezia, muzika dhe teatri i ‘forcojnë’ në një mënyrë pothuaj hyjnore nuancat gri të jetës së përditshme.” – pati thënë ai.

Në rregull (në lashtësi, kur përdorej për qëllime të larta), gënjeshtra konsiderohej diç si art, si një lloj niveli i lartë i gënjeshtrimit. Nga kjo vetiu na imponohet që ta nxjerrim thelbin se arti në përgjithësi na qenka diç e gënjeshtërt, falsitet i bukur, “falsitet fisnik”, gënjeshtër e nevojshme. Në këtë pikë e vërteta aq afër të vërtetës. Madje dhe vetë Picasso (njëri nga ububu-artistët, nga më të njohurit dhe të bujshmit e shek. XX) pati thënë: “të gjithë e dimë se arti është gënjeshtër… ama gënjeshtër e nevojshme“.

Meqë arti pra diç si gënjeshtër e nevojshme, pakashumë “njësoj” siç dhe puna është diç e nevojshme (jo tashmë duke menduar në marksistet… se gjoja “puna e pati krijuar njeriun”, por rishtas duke aluduar në Picasso-n) – sipas tij puna është diç si alarm, andaj “njeriu e pati shpikur orën me zile, orën alarmuese”.

Nga filozofia pikasiane tutje aq e lehtë ta nxjerrim ëmbëlsinë e së vërtetës…
Zhurma e ziles mëngjesore është “alarmi” (për të vërtetën), ndërsa zbukurimi i ditës me ca detaje imagjinare (përzier me realitetin) është Art. Psh. dita zbukurohet me ndonjë vizitë pikasolinash në studio, me ndonjë mpuuuç mpuuuç, me ndonjë portret “surrealist”, me ndonjë hundë të shtrembëruar të Olga Koklova, të Dora Maar, me ndonjë nudo-realizëm të Marie-Therese Walter, të Françoise Gilot, të Jacqueline Roque, me ndonjë puf-puf, me ndonjë foto-pozim, me ndonjë reklamim, me ndonjë vizatim… etj etj., dmth. ngjyrosja e grisë së përditshmërisë me gënjeshtrat e ëmbla, është Art.

E dinin ata të lashtësisë, e dinte dhe vetë Diogjeni, e dinte fare mirë, tjetër se i pëlqente të merrej me cinizma për “maskeradat e jetës” – gjithsesi, e dinte dhe Platoni, sikur që e dinte dhe Picasso-ja i modernizmit artistik. Fatlumnisht, edhe kohët tona kontemporane (post-pikasiane) e kanë trashëguar gjithë “trashëgiminë” për të vërtetën…

Dhe kur dihet se (nga 91 vjet gjithsej) plot 80 vjet Picasso nuk qe ndalur, prore duke “punuar”, duke na “gënjyer artistikisht”, i pati lënë jo më pak por 50.000 “shenja e dëshmi të vërteta”, 50.000 gënjeshtra të bukura dhe të nevojshme. Padyshim do jetë diç si rekord sa i përket “gënjeshtrave artistike”, nga këto 50.000 dhe vetëm 3 sosh qenë shitur për afro gjysmë miliardi, njëra 175 milionë, tjetra 140 milionë e treta kam harruar sa ishte saktë, por mbi 100 milionë. Imagjino, ngelin dmth. dhe 49.997 “gënjeshtra pikasiane” që t’i kullufisin qindra-milionat…

Sidoqoftë, s’ishin këso lloj “gënjeshtrash” për çfarë poeti argjentinas pati folur atëbotë. U muar vesh, gënjeshtrat artistike megjithatë janë diç si… ku di, harrova si duhet thënë tani, njëfarëlloj “gënjeshtrash fisnike” : ) Poeti Livraga më shumë e kishte fjalën për gënjeshtrat ordinere, përgjithësisht dashakeqe, gënjeshtra që e shtrembërojnë, e shpërfytyrojnë realitetin dhe njerëzit.

Të tilla gënjeshtra dhe ligësi, kuptohet na vijnë nga “ata që, të ushqyer nga egoizmi dhe kotësia, i fundosin në baltën e kritikës së ligë përpjekjet më fisnike, arritjet më të bukura. Ose i maskojnë ujqërit si dele që ta hanë kopenë me lehtësi… Gënjeshtra nuk shkon kurrë përtej të qënit një flluskë e gaztë brenda qarkullimit të gjakut të ngrohtë… të Jetës” – qe shprehur.

[ ngjitur:
1 – Françoise Gilot* – “Pylli i Gjallë“, 1977
2 (djathtas) – François Lemoyne (1688-1737) – “Koha mbron të Vërtetën nga Gënjeshtra dhe Zilia” ]

* Françoise Gilot, artiste franceze, tashmë 100-vjeçare, nuk qenë martuar por pati jetuar me Picasso-n për 10 vjet, nëna e dy fëmijëve të tyre, Claude dhe Paloma Picasso, Gilot do ishte e vetmja femër që pati “guxuar” ta donte dhe ta linte Picasso-n, e vetmja që i pati thënë “bye” xhufurrakut : )

– – –

Pablo Diego José Francisco de Paula Juan Nepomuceno Crispín Crispiniano María Remedios de la Santísima Trinidad Ruiz Picasso
(emri i plotë… ama bën dhe shkurt, psh. Pikaço : )
[ Fotot: Arnold Newman – Picasso në Kanë, Francë, 11 Shtator 1956 ]