Miriadë Yjesh dhe Buzëqeshjesh (7)

(sguraziu – ars poetica, shkurt 2019 – Entuziasmi shkencor dhe Quanta-lajmet madhështore !)

[…nëse t’vërtetohej se jemi krijesa simulative, holograme biologjike, “simulacione” të ndokujt, mbase tutje s’do na nevojiteshin as dijet as shkencat, do çoroditej ai kodi virtual i ëndrrave tona, do shembej i gjithë qielli holografik, do ishte diç si “përmbysje zhgënjimtare” e universit humanist, andaj larg qoftë… ]

– – – – – – –
Vetë Ajnshtajni, në një letër të v. 1938, i referohej Teorisë Kuantike si “kundërshti me shkencën moderne… si tendencë kah pikëpamja mistike” – “Aktualisht ekziston një tendencë e caktuar për pikëpamje mistike, e që është duke u publikuar në literaturën e popullarizuar shkencore.” – pati shkruar.

Sidoqoftë, duke lënë mënjanë lajthitjen e tij për “kuantikat”, me citatin sikur desha ta theksoj sadopak se Ajnshtajni nuk ishte aq i kënaqur me “literaturën e popullarizuar shkencore” të kohës së vet. Para një shekulli ishte se ç’na ishte, për fat të keq ndoshta dhe e sotmja i ka ca gjëra të çuditshme. Koha jonë sikur ngulfatet nga një lloj entuziasmi i çuditshëm, entuziasëm i tepëruar “shkencor”.

Nganjëherë them mbase dhe vetë Carl Sagan, ai pionieri i popullarizimit të shkencës, si një komunikator i madh, si një avokat i madh i shkencës, do ngelej i habitur me entuziasmin marramendës të së sotmës. S’është e mirë asgjë kur teprohet. E sidomos interpretuesit e shkencave (të revistave), shkenco-gazetarët shpesh na mahnitin. Thua se donë t’shtyhen me popullarizuesit e shkencës, thuase në garën e “gulëshimit”, thuase dojnë t’ia kalojnë dhe vetë “kampionit të entuziasmit shkencor”, Neil deGrasse Tyson.

***
Në një artikull të “Quanta”, 21 Shkurt 2019, autorja Natalie Wolchover shkruante se fizikanët ia kanë dalë ta ujdisin një model holografik të “de Sitter-universit”, dhe se kjo eventualisht mund t’i ndihmojë shkencëtarët për ta “kuptuar” njëherë e përgjithmonë origjinën e hapësirës dhe të kohës…

Lajm i madh ky po se po, në dukje aq i thjeshtë, nuk tingëllon si diç “pompoze”, as bombastike. Megjithatë kujtohu pak se ç’thonë ato fjalë (sikur po thosha mëvete), mendo pakëz. Teksti i Quanta ose fjalët e Wolchover na flasin thuase kemi arritur a shkuar aq “larg” (do befasohej mbase dhe vetë “Zoti i Hawking”, sa larg paskemi vajtur me shkencat e me holografikat).

Quanta-revista sikur i thotë lexuesit se është vetëm çështje kohe, duke përdorur “de Sitter-holografiken”, duke i përdorur spekulimet dhe formulat matematikore do t’i zbërthejmë njëherë e mirë problematikat e tilla kozmike si “koha”, “hapësira”! E dimë se pothuaj mbaroi dhe dekada e dytë e shek. XXI, artikujt e revistave tashmë të panumërt, si qiell i mbushur… prush, miriadë yjesh e buzëqeshjesh, fjalët dhe idetë ashtu-kështu të pashterrshme.

Mirëpo ç’është “de Sitter-universi”?
Kuptohet ne joshkencëtarët s’mund ta dimë aq mirë siç e dinë shkencëtarët, ata që e përdorin (dmth. shkencëtarët) thonë se është një model i universit matematikor, është diç si model i sheshtë dhe i thjeshtë hapësinor (kozmik), pa materien dhe pa asgjë (le që i sheshtë, diç si qilimi i Aladinit, por dmth. as bota jonë, as pluhuri, as yjet… nuk ekzistojnë). Ama dinamika e këtij “universi matematikor” dominohet nga konstanta kozmologjike, e që kjo “konstantë” mendohet (dmth. duhet t’kihet parasysh, “mendohet”) se korrespondon me “energjinë e errët” të universit tonë real (prapë duhet t’kihet parasysh se shkenca nuk di bash hiçasgjë për “energjinë e errët”, thjesht ia mvesh modelit matematikor një term imagjinar).

Sidoqoftë, një model i tillë i universit matematikor, thonë shkencëtarët, ashtu i sheshtë dhe pa materien, është si të thuash një “kohë-hapësirë” ajnshtajniane (dmth. sepse iu duhet për t’i kënaqur sadopak formulat matematikore të fushës ajnshtajniane – Relativiteti i P).

Shtohet dhe se modeli është në përputhje (teorike) me “zgjerimin përshpejtues” të universit (real, dmth. të këtij universit përnjëmend, fizik – e që rishtas dmth. për ta besuar “zgjerimin” e universit real njeriu do duhej fillimisht ta besonte dhe Big-Bangun – qëkur ne joshkencëtarët s’kemi si ta vërtetojmë as zgjerimin kozmik as Big-bangun, qëkur lexuesi do e ketë kuptuar tashmë pakashumë sa “ingrediente imagjinare” i përmban modeli në fjalë, atëherë thjesht do e mbyllim këtu sqarimin për “de Sitter-universin”).

Ne joshkencëtarët s’e dimë madje ç’është as universi ynë i vërtetë, pa le ndonjë univers imagjinar. Gjithsesi, në njëfarë mënyre supozojmë që koha dhe hapësira janë ai “shtrati” i madh universal. Aty fle ndoshta gjithçka e universit, me materien “ordinere”, me atë të “zezën”, me diej, me yje, me volumin energjitik, me galaktikat, me “vrimëzezat” e me gjithçka të njohur e të panjohur.

Andaj lajmi i Quanta natyrisht që i bukur dhe lajm i madh, madhështor. Nëse ta kemi “sqaruar” njëherë e përgjithmonë hapësirën e universit dhe kohën, atëherë tutje padyshim “hologrami i de Sitter-universit” do na i sqarojë dhe ca gjëra tjera (sepse gjërat e universit të lidhura zinxhir).

Urojmë që “hologrami i de Sitter” t’na e sqarojë jo vetem kohë-hapesirën, por madje dhe ato “gjërat që kemi frikë t’i dimë”*. Fillimisht “kohë-hapesirën” (imagjino, Ajnshtajni padyshim do ishte ngjallur nga gëzimi, qoftë dhe thjesht sa për ta festuar, pastaj rishtas të ikte, meqë ai i meriton të gjitha fajet) pastaj kjo do nënkuptonte se e kemi sqaruar dhe “thelbin” e universit, nëse jo de facto, sëpaku mjaft afër pakashumësisë.

Pastaj pak ngelet… çfarë ngelet, qëkur për materien dimë pothuaj gjithçka (ok, me përjashtim të së “zezës”, përveç asaj të errtës me të cilën universi, për nevojat e veta “materiale” shërbehet për rreth 85-90 %). Atehere dmth. e “kaluam Drinin e shkencës”, të tjerat pothuaj veç i dimë. Në rregull, ngelet dhe ndonjë diç tjetër e universit, si psh. “graviteti”, “vrimëzezat” e të ngjashme.

Ama duke e sqaruar kohë-hapesirën do jemi aq afër, mbase do e kapim dhe gravitein për “bishti”. Qëkur kohë-hapesira ajnshtajniane ka kuptim vetëm si e lidhur me misterin e gravitetit. Qëkur s’mund t’ketë as “vrimëzeza” pa gravitetin, qëkur ky i dyti është shkaktari i të parës. E kape bishtin dtth. e ke kapur dhe dhelprën. Graviteti mbase s’ka ndonjë mantel-kamuflazh, diç si “stealth cloak”, mantel i padukshëm (ndoshta si Manteli i Lorien, punuar me magjinë e Galadriel). Pse t’mos ruhet entuziasmi i quanta-gazetarëve të shkencës.

Le t’shkojmë dhe pak më tej me ekskurzionet entuziaste. Psh. Google që tani mburret për “kompjuterat kuantikë” (kanë publikuar madje “ese shkencore” rreth kuantikave). Le t’ia nisim me Google, sepse na duhet si shembull ndonjë Google, sepse na duhen kompjutera të fuqishëm (mundësisht aso “quantum”). Prapë sepse pa kuantat e fuqishme pothuaj asgjë e mirëfilltë s’mund të simulohet. Përndryshe sikur t’ishte e mundur me një “abakus” të thjeshtë, ashtu mbase teoritë e veta do t’i kishte vërtetuar qëmoti dhe vetë Ajnshtajni.

Realisht kuantum-kompjuterizmi i mirëfilltë s’është as afër të vërtetës por në rregull, le t’themi se është, sepse dëshpërimisht na duhet. Tekefundit e dimë se, psh. gjithë materien internetike ata të Google e “shoshisin si elbin në shoshë”. Qoftë me kompjutera klasikë qoftë me aso kuantikë, për neve joshkencëtarët njësoj është.

Dmth. bazuar në mburrjet e Google i bie ta besojmë se i paskemi në xhep me kuantika e me kuantum-çipa. Qofshin dhe në pelena, le t’jenë, s’ka rëndësi, gjithçka që sot në pelena nesër pritet se do jetë me brekushe, duke u rritur e zhvilluar tutje. Kështu na e thotë logjika, kështu na e thonë dhe ecejaket shkencore të deritashme, vetë historia e Google ashtu pati vajtur.

Pra nëse Google që tani “mburret” me supremacinë kuantike e me super-kuantikat e veta, nëse Quanta na thotë se qenka simuluar modeli holografik i “de Sitter space” dhe sëshpejti do sqarohet kohë-hapësira ajnshtaniane… ateherë pra, mos vallë edhe ai i “krisuri” Philip K. Dick thjesht na paska patur të drejtë.

Mos vallë, duke simuluar me kompjuterat dhe duke i vërtetuar shkencat, ndodhë ta zbulojmë të vërtetën e simulacioneve kompjuterike të “ndokujt tjetër”. Nëse mund t’i simulojmë kushtet e universit laboratorik-matematik dhe ta sqarojmë origjinën kohore-hapësinore, çfarë nëse dhe “ndokush tjetër” mundet, çfarë nëse qëmoti është duke u marrë me neve + me simulacionet – do pyeste Philip K. Dick!

Meqë ai ishte, Philip K. Dick dikur e pati shpalosur idenë se realiteti ynë në fakt mund t’jetë një simulim i parallogaritur dhe i mirëllogaritur, një “matricë” e dirigjuar nga jashtë, diç ngjashëm me “matricën” kompjterike (siç e kemi sot, mundësuar me gjenialitetin e njeriut). Atëbotë, në vitin 1959 askush ose fare pak kush mund ta ketë marrë seriozisht hipotezën e tij. Më vonë, në v. 1977 qe “përqeshur” diku në Francë, në një tubim të rastit, kur rishtas qe shprehur “…ne jetojmë në një realitet të programuar, gjithçka e botës sonë është një simulacion kompjterik i dikujt…”!

Sot aq shumë shkencëtarë merren seriozisht me këtë “hipotezë”. Dikur talleshin me ideatorin, por sot shkencëtarët thonë se “hipoteza e simulacionit” madje dhe mund të testohet. Në v. 2015 më qe nevojitur ta përmend rrëshqitazi diç rreth skepticizmit etik të “Discovery Magazine” (për testimet rreth hipotezës në fjalë) – meqë, nëse të dëshmohej si e mundshme… atëherë (sipas “frikës” së Discovery) do nënkuptohej se dhe ne vetë qenkemi “krijesa holografike”, simulacione kompjuterike, krijesa të një “super-kompjuteri universal”, pikërisht siç ngulte këmbë dikur ai i “krisuri” Philip K. Dick : )

Shkenca e ka mundësinë për ta vërtetuar hipotezën e ‘simulacionit’, por shtrohet pyetja nëse vërtet kemi dëshirë ta dimë të vërtetën apo jo?” (Discovery Magazine, 2013). *

Natyrisht, “pyetja” e Discovery aq e arsyeshme – le ta shtrojmë rishtas arsyen, duam, apo s’duam ta dimë?
E njëjta pyetje është dhe “frikë”, Discovery na thotë se shkenca e paska mundësinë për “vërtetim” ama qëllimisht u anashkaluaka vërtetimi. Shkencëtarët i shmangen qëllimisht “vërtetimit”, madje dhe heshtin, as gëk as mëk, thjesht nuk duan “vërtetime”. Thuase donë t’na thonë: më mirë hipoteza e një Dick-u të së kaluarës të ngelet “marrëzi”, sesa t’na shembet realja siç e njohim, bota e shkencave dhe ajo e imagjinatës.

Me “pyetjen” Discovery sikur na sugjeron që disa gjëra më mirë t’mos i dimë kurrë. Ndoshta thjesht sa më shumë teori, sa më shumë hipoteza, sa më shumë artikuj e revistash shkencore, një oqean teorik, dhe sa më shumë entuziasëm. Por jo vërtetime, as testime idesh të krisura. Përndryshe, nëse t’vërtetohej se jemi krijesa simulative, holograme biologjike, “simulacione” të ndokujt, mbase tutje s’do na nevojiteshin as dijet as shkencat, do çoroditej ai kodi virtual i ëndrrave tona, do shembej i gjithë qielli holografik, do ishte diç si “përmbysje zhgënjimtare” e universit humanist, andaj larg qoftë…

Me fjalë të tjera, bazuar në entuziasmin e Quanta, sikur na imponohet të zgjedhim mes 2 “përfundimeve” konkluzive. 1) o duhet pranuar se teoria e Philip K. Dick paska qenë (dhe dmth. ende është) mundësi e vërtetë, e mundshme, fare lehtë të vuloset me shkencën e mirëfilltë. 2) o e qartë se “entuziasmi shkencor” sot për sot është duke na u rritur e zgjeruar jashtë mase, ndoshta më “gjerësisht” se zgjerimi i vetë universit.

S’e mohon kush që na janë bërë bjeshkë teoritë e hipotezat, aq sa vetë shkenca sikur bie në kontradikta qesharake me vetveten, sikur vetë shkencës i “merret mendja” nga teoritë entuziaste. Aq shumë ide e teori… aq shumë entuziasëm shkencor, aq shumë terma imagjinar (supozime), aq sa krijohet përshtypja shkenca thjesht s’ka “kapacitet” tutje për ta kapërthyer veten denjësisht, tekefundit jo pa u çoroditur ajo “konstanta” e logjikes. E megjithatë, ja që kemi shkuar aq “larg”, një simulacion kompjuterik dhe voila, do ta zbërthejmë “kohën” dhe “hapësirën”, qoftë ndaras a qoftë së bashku, si “model” ajnshtajnian.

Natyrisht, si opsion na ngelet dhe buzëqeshja. Sepse ashtu-kështu gjërat të lidhura, realisht s’duhet rrudhje vetullash. Thjesht mund t’presim, siç kemi pritur me shekuj, secilin hap në kohën e vet, hap pas hapi. Pa entuziasmin ndoshta as revistat s’do dukeshin aq ultra-moderne, as të avancuara, do dukeshin dekadente, njësoj si ato të kohës ajnshtaniane. As revistat s’do “shiteshin” nëse t’mos ishte audienca e kalibruar, lexuesit të sinkronizuar. Është diç e ndërsjellë, simbiotike, revistat e shkencave moderne s’mund të mbijetojnë pa fuqinë “blerëse” adekuate. Askush s’do merrej me entuziasma nëse bota t’na ishte e varfër me lexues besnikë. Sepse gjërat të “lidhura”, të ndërsjella…

Psh. as Olldrini dikur s’mund ta hedhte atë hapin e “vogël” pa njerëzimin, sikur që as njerëzimi s’kishte si ta hidhte hapin e “madh” pa Olldrinin (në rregull, Armstrongu “komandanti”, por thjesht sepse Olldrini/Njerëzimi na u rimua bukur). Në fakt, për në Hënë qenë nisur 3 astro-lunatikë, ja që njëri prej tyre i detyruar të rrinte në orbitë, s’i takonin hapash atje poshtë. Ama misioni dhe “hapi… qoftë i vogli qoftë ai i madhi” do ishte i pamundur pa prezencën, pa kontributin e tij në orbitë. Sepse gjërat të “lidhura”…

Ose psh. Ajnshtajni nuk besonte në kuantikat (ankohej për revistat dhe për literaturat shkencore të kohës), sa për kuantikat qe lajthitur bukur “mjaft”, megjithatë dhe ashtu i gabuar e hodhi “hapin” aq larg, tepër larg. Dhe atë i ka 1 shekull kjo punë, para plot 100 viteve. Na nxori telashe që ç’ke me të, ky hyri e ku s’na doli – sot pa “kuantat” (e Google, a të ndokujt tjetër) s’ka si sqarohet kohë-hapësira e tij, na duhen simulacione të fuqishme. Sepse gjërat të “lidhura”, njësoj si gravitacioni dhe vrimëzezat.

Ama urojmë t’mos i zbulojmë ato që s’na duhen, ato që “kemi frikë”!
Shkurt, si fillim i përmbylljes, pritet ta sqarojmë “kohë-hapësirën” ajnshtajniane, jo se na ngutet me entuziasmin por sepse kaloi një shekull nga profecia e plakut. Pastaj pak ngelet, të tjerat pothuaj vetiu do qartësohen, sepse gjërat të “lidhura”. Fillimisht “bishtin” e dhelprës dinake… pastaj e lehtë, pa bishtin as kometat as vrimëzezat s’na e hedhin dot, pastaj bëjmë, bëjmë, shohim dhe bëjmë.

– – – sg – ars poetica, 2019 – – –