Dan Chiasson [ 1971, ShBA ]
Është një intelekt i vetëm brenda nesh,
një shpirt, i cili e zhurit dheun e disa kombeve,
për të tjerët përherë fshehur pas një velloje;
ai derdh dritë kudo, edhe n’kravatën time
e derdhi pak, por u tha para se t’mbaronte darka.
Është përgjegjës për errësirën po ashtu, përgjegjës
dhe për krimin, përgjegjës për imagjinatën.
Njerëz të ndyrë bëjnë ashtu duke e fik-ndezur
me qepallat, fik e ndez, fik e ndez, derisa
përcaktojnë sinqeritetin e dashurisë së tyre.
Ai i bën yjet të zhduken, por krijon dhe yje të vegjël
gjithandej, mbi kapakun e makinave,
në cipën e rrokaqiejve ose në sytë e të dashuruarve
tek psherëtijnë mërzitur me njëri-tjetrin.
Në sipërfaqen e botës ai i stampon të gjitha bimët
dhe kafshët. S’janë perëndi ato, por është ai
që na bëri adhurues të çdo zhabe drizash,
të çdo barishtaku që e gjejmë.
Në Idaho ka një lloj karkaleci shkretëtire i cili
bën tik-tak si orët kur fluturon, por s’është zot.
I vetmi zot është dielli, mendja jonë,
zot-maestro i gjithë karkalecëve dhe orëve.
– – –
© D. Chiasson – Burimi: Revista “Poetry” (Poetry Foundation, 2003 )
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2021