Ballkani i Hapur, dhe objektivat dinamike të strategjisë serbe!

…unë vërtet totalisht apolitik, fjala-fjalë, më e sinqerta… e pionierit, ja që ndonjëherë politikanët sikur më “detyrojnë t’i kritikoj” dhe ata – gjithsesi, s’ka si më mirë sesa t’na ndërrohen motet me “mospajtime” e me opinione politike, apo jo, madje shumë njerëz dalin dhe nëpër sheshe protestojnë, sidomos shqiptarët dinë t’jenë aq të larmishëm, kontrastet e tyre dinë ta mahnitin gjithë botën me të papritura e me origjinalitete, nga njëra anë me mysafirë të “rëndë” hanë peshk të shijshëm, nga tjetra anë djegin flamuj, protestojnë në mënyrë paqësore, me fjalime, patriotizma e mospajtime, në fund gjithçka e përmbyllin me euro-muzikat e me zemrat muzikale “final countdown”, kontraste evidente, apo jo – anise sheshet e bulevardet e kane bujën e vet, kuptohet apolitikëve s’iu ka “hije” nëpër sheshe politike (përndryshe s’do ishin apolitikë hehh), kjo s’do t’thotë që ata s’mund t’merren me ndonjë “mur kinez prej opinionesh”  🙂

shkurt… desha të them Urimet më të përzemerta për Festat e fundvitit!

 

S. Guraziu – Ars Poetica, D 2021 – Opinion, vështrim rreth politikave dhe rreth “Ballkanit të Hapur”…

(…e ardhmja mund t’i “amortizojë” vetiu të gjitha lajthitjet (eventuale) të Ramës. E ardhmja kosovare dhe shqiptare mund t’kenë rrethana të favorshme historike, qoftë dhe falë punës së palodhshme të rastësisë. Mirëpo Rama kurrë s’do duhej ta lëshonte “kartën e njohjes” së Kosovës, kurrë s’do duhej t’nënshkruante “hapje të Shqipërisë” për Serbinë – jo pa njohjen e Kosovës fillimisht…)

***
Siç e pamë, në emër të aktivitetit politik prej ca kohësh tashmë (një lloj impenjimi trilateral), në emër të “Ballkanit të Hapur”, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia ia arritën t’i sinkronizojnë vizionet, protokolet dhe tavolinat e negociatave, sëfundi mes tyre u nënshkruan 5 marrëveshje.

Sipas lidershipit serb dhe atij shqiptar, shumë politikanëve në rajonin ballkanik u ka ngecur “ora e historisë” në të kaluarën, sikur ende sorollaten si politikanë dekadentë e konfliktuoz. Sepse është më e lehtë me populizmat, sepse ashtu “fjalimet” shiten më lehtë. Si në sheshe, si në Kuvend, e kudo. Për fat të keq, është populizmi që ende vazhdon me t’njëjtin avaz si dikur, si para 2-3 dekadave.

Dhe dmth. ka njerëz të cilët i tërheq forca dhe inercioni i së kaluarës, elementet e “prapangelura” të politikës, elementet reaksionare, të prapavajtjes etj. Sikur që, për fat të mirë, ka dhe aso që i tërheqin forcat progresiste, vizionarët e mirëqenies ekonomike-politike të së ardhmës. Sipas Rama-Vuçiq, ata vetë janë përfaqësuesit më të denjë të progresizmit ballkanik. Marrëveshjet e arritura trilaterale janë dëshmia, si për popujt e Ballkanit e po ashtu dhe për Brukselin, e përtejoqeanin.

Le ta zëmë se janë vizionarë, largpamës, po aq dhe progresistë. Atëherë vallë si duhet kuptuar bllokimi i njohjes së Kosovës, mosnjohja e Kosovës dhe “loja me djathin e miut” e maço-politikanëve. Vallë a nuk qenka politikë “retrogradiste” e Beogradit, verbëri kryekëput reaksionarësh, e assesi progresizëm! Përndryshe fillimisht do ishte njohur Kosova nga Serbia, do i ishte kërkuar falje për të kaluarën… e tek pastaj, dmth. në këtë fundvitin e bujshëm, do na ishin nënshkruar sukseset e progresizmit.

Tekfundit bazuar në progresizmin, ne kështu i shohim gjërat. Anise nuk mohohet as toleranca e tyre reciproke, as takti politik, as simpatia e ndërsjell dhe as sharmi etj. Psh. kur digjen flamujt shqiptarë, në emër të largpamësisë Rama qe treguar aq i matur, përparimtar dhe tolerant në Beograd. Po aq tolerant, i qetë dhe Vuçiq sapo na digjet flamuri serb në Tiranë. Ky i fundit madje i lavdëron policët shqiptarë, për urdhrat e shpejta dhe për intervenimin pakashumë njësoj si t’na ishin SWAT-komando, dmth. super-shpejt e rrufeshëm.

***
Sipas kabinetit qeveritar serb, shqiptar dhe atij verio-maqedonas, bashkimi modern i shteteve (qoftë dhe ai evropian, BE-ja) s’është gjë tjetër por bashkim i oportunizmave tregtar-afaristë nën ombrellën e lirisë së lëvizjes, të qarkullimit dhe të konkurrencës. Liri e garantuar me kornizën e “kontratave politike” (dmth. në formën e marrëveshjeve, pajtimeve reciproke, nënshkrimeve). Ne jemi aq sa jemi të “bashkuar”, ose gradualisht synojmë t’jemi të bashkuar, nga liria e lëvizjes së njerëzve, kapitalit, parave, shërbimeve etj. – thonë ata.

Tre shtetet janë akorduar që kontrolli kufitar mes tyre të shfuqizohet nga 1 Janari i v. 2023. Po ashtu impenjimi i tyre përfshin planifikimin që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët, me kushtet e konditat e njëllojta me ato të BE. Thuhet se kështusoj do krijohet një treg i përbashkët dhe konkurrencë e tregtisë së lirë për 12 milionë banorë të 3 vendeve.

Sipas BE, Zona e Tregtisë së Lirë e E. Qendrore… (ose CEFTA) qe supozuar për lehtësimin e tregtisë dhe lëvizjen e lirë të mallrave mes 6-7 vendeve ballkanike, derisa ato të anëtarësoheshin në BE. Sipas Rama-Vuçiq, ç’të keqe na paska një marrëveshje më tepër, aftësia për t’u marrë vesh pa ndihmën e BE a të ndokuj tjetër është dëshmi e pjekurisë. “Ballkani i Hapur” le që s’është diç kundër synimeve të BE-së, s’është as ndonjë pompozitet vetëngushëllues, as vetëkënaqje me alternativat ballkanike, por është konstruktivitet plotësues i rajonit, në linjë me hapat e BE-së.

Sidoqoftë, dihet se “Ballkani i Hapur” erdhi pjesërisht si rezultat i zhgënjimit me dështimin evropian për t’ofruar një “shteg” sa më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE. Tani me dy kornizat, nëse jo të 6 shtetet e Ballkanit, atëherë sëpaku 3 nga shtetet do kenë liri të dyfishta sa i përket tregtisë dhe qarkullimeve.

Tregun e përbashkët dhe 4 liritë (e tregtisë së lirë), dmth. synimin e tillë me “Ballkanin e Hapur”, shumkush e quan dhe si “imitim jorealistik”, pasi që praktikisht s’mund t’jetë mirëfilli realistik. Dihet se as BE-ja brenda 2-3 viteve s’na ishte aty ku është sot. BE-së i qenë nevojitur pothuaj dekada që gjithçka e “mozaikut” ligjor, e atij politik, si dhe realiteti praktik të akordoheshin me funksionalizmin.

Cilido lloj organizmi tregtar-afarist mes shteteve nuk është i mundur pa një reciprocitet të vullnetit politik, pa një lloj paralelizimi sinkronik të aparaturave politike ndështetërore. Si amerikanët, si evropianët e patën thënë aq thjeshtë e qartë “mesazhin” e tyre – cilado marrëveshje është e mirëpritur dhe ia vlen nëse vërtet t’jetë marrëveshje e arritur nga të gjithë. Gjithçka e ujdisur “pjesërisht” pothuaj vetëm sa e ndanë kokëdhimbjen ekzistente në dysh, në vend që t’fashitej e gjithë dhimbja ndonjë grimë.

Thuase aq e lehtë na qenka për BE-në, dhe mbase do ishte (relativisht e lehtë)… nëse t’mos kishte deri dje mosmarrëveshje greko-maqedonase, sot kemi mosmarrëveshje bullgaro-maqedonase, mosmarrëveshje serbo-kosovare, kemi mosmarrëveshje, jostabilitet dhe kokëdhimbjen e Bosnjes, nesër mund t’ketë mosmarrëveshje shqiptaro-greke etj. Nëse BE e sheh kompaktësinë ballkanike (6 shtetet) si një fokusim aktual ashtu-kështu kompleks, në të ardhmen, eventualisht vetëm sa do komplikohej akoma më tepër me derivacionet, me marrëveshjet “gjysmake” e me temperamentet politike.

E megjithatë thuase “thjeshtësia” e dashamirësisë evro-amerikane s’i hyri kujt as në veshë as në punë. Tekefundit “Ballkani i Hapur” do t’ofrojë lëvizje të lirë për Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, thonë politikanët e marrëveshjes. Madje Vuçiq është “lodhur” nga pyetjet e sqarimet, sipas tij s’ia vlejnë aq sqarimet dhe “as nuk nevojitet kërkimfalja ndaj atyre që s’na kuptojnë”.

Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina deri më tani kanë “refuzuar” të marrin pjesë. Ndoshta sepse disa gjëra tepër të qarta, bëhet aq shumë bujë për to, reklamohen gjithandej me surlash mediatike (aq sa sikur nisin e duken të “dyshimta”). Ndërsa mjaft gjëra tjera relevante lihen aq të paqarta, aq të “maskuara”, thjesht u ipet shkëlqim me retorikat e hijshme.

Afërmendsh, secili shtet do i ketë arsyet e veta të mospjesëmarrjes.
Mali i Zi mbase e sheh si një shpërqendrim të energjisë së hapave drejt anëtarësimit në BE, sikur që s’duhet mohuar as përzierjen e “mashës” serbe në destabilizimin e Malit të Zi me elemente aq të ndjeshme (të religjionit psh). Gjëra që malazezët i kanë “shijuar” sëfundi dhe janë të vetëdijshëm për “dorën” prapa skenarëve të tillë.

Bosnja dhe Hercegovina tryezën e “hapjes…” padyshim e sheh si një nismë kryekëput të dominuar nga “largpamësia” dhe nga strategjia serbe, largpamësi e motivuar dmth. nga vizionet “hegjemoniste” të tyre. Madje dhe problemet e fundit boshnjake ndoshta janë pjesë e “largpamësisë”, thjesht objektiva dinamike të strategjisë serbe, dhe që i janë të njohura mbarë Ballkanit, Evropës e botës.

Ndërsa Kosova heziton me pjesëmarrjen qëkur s’do ishte pjesëmarrje siç i ka hije, por as siç e kërkojnë konditat e “vullnetit të mirë”, të fqinjësisë e të stabilitetit për të ardhmën. Dmth. të negocionte si një shtet sovran, i njohur dhe legjitimisht i barabartë. Qëkur shtet i panjohur nga vetë krye-pala negociatore e “Ballkanit…”, atëherë situata sikur bie ndesh me cilëndo “logjikë politike”, qoftë logjikë ballkanike qoftë logjikë euro-atlantike. Sipas Vuçiq e Ramës, thuase as BE-ja as Amerika s’ditkan gjë, s’e ditkan këtë detaj të pozitës së palakmueshme kosovare…

Apo mbase pjesëmarrja kosovare s’do shihej si alogjike me “logjikën e maçokëve” dhe me djathin e miushëve. Digjen flamujt por ama ngelet temperamenti prej maçokësh të “urtë”. Reagojnë butësisht e urtësisht, qeveritë e tyre më shembulloret, s’kanë as kriminalitet, as narko-trafik, as korrupsion as mendësi të “korruptuarish”. Jeni të mirëpritur, “djathi” ekonomik ju mirëpret, s’kemi pse ju sqarojmë, jemi lodhur me sqarimet, e gjithë bota janë dëshmitarë, vetë vëllai juaj është dëshmia dhe garancia, e keni dhe vëllain në tryezë, s’ka as kurthe as ndërskamca.

Në fakt, për kosovarët, hapi i Ramës madje mund t’shihet thjesht si një hap në “baltakun e verbërisë” vëllazërore. Kosovarët padyshim dhe e shohin ashtu (përveç aty-këtu ndoshta të biz-oportunistëve, për shumkend biz-xhunglat dhe liria janë ideale, qoftë dhe pa shtetësi fare).
Përndryshe “as karta e Salihut” dhe momentumi i tij i shfrytëzuar në Bulevardin e Dëshmorëve, s’do i shitej popullit shqiptar si miting “kombëtar e patriotik”. Ja që momentumi i Doktorit mund t’merret si dëshmi serioze e inercionit.

Gjithsesi, “baltakut dhe hapit” mbase i kthehemi rishtas me dy-tri fjalë, pasi ta kemi kuptuar sadopak dhe “motivin” e Ramës.

***
Në mediat shqiptare më pati rënë në sy dhe “vërejtja” se gjërat u nënshkruan, por s’kishte tranparencë të mirëfilltë të lëndes se çfarë përmbajnë marrëveshjet ekzaktësisht. Jo se njerëzve s’u është e njohur tashmë buja e kakofonia – ama mungon qartësia, thelbi i kristalizuar për disa gjëra.
Inteneti (ta zëmë Youtube) dhe televizionet shqiptare janë aq të sinkronizuara, pothuaj të njësuara. Përditësohen dyanëshmërisht, platformat sikur e ndjekin njëra-tjetrën deri në detaje. Populli i sheh videot sa në TV sa në Youtube, i sheh firmosjet, skenat tek shkëmbehen buzëqeshjet, politikanët e funksionarët e qeverive duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit.

Ok, populli eventualisht dëgjon e sheh po ashtu se politikanët na paskan vajtur në Durrës, në Sarandë a Elbasan të hanë darkë “solemne”. Ndonjë foto veturash të “zeza”, ndonjë qilim i kuq, ndonjë shkreptimë huq, ndonjë foto zyrtarësh me kravatën e qeshur pas peshkut të shijshëm etj. etj. këso detajesh.
Bukur, pse jo, qëkur dhe ata i merr uria e duhet të hanë.

S’di sa është bërë materia e marrëveshjeve transparente për masat, sa është thjeshtësuar e qartësuar për popullin përmbajtja. Sa për ekspertët e për politikanët dihet, gjërat janë të përkryera, mund t’lihen dhe siç janë, qëkur ata vetë i kanë shpikur, negociuar e nënshkruar.
Ama dihet se për popullin shumë gjëra duhet “përkthyer” në gjuhën e popullit, në gjuhën sa më të thjeshtë. Duhet peshuar një milion e një detaje në peshoren e arsyes dhe të logjikës së sovranit. Duhet parë me lupën e pastër të gjitha nuancat e “spektrit”, duhet qartësuar gjithçka me prizmin e popullit.

Po ashtu dihet se, për politikanët secila marrëveshje konsiderohet sukses. Qoftë jo aq i madh, qoft i madh e ndonjëherë dhe gala-sukses. Synimi i tyre është që t’merren vesh mes vete, të darkojnë së bashku dhe t’akordohen për tregtinë e për bizneset e shteteve. Kësaj radhe fjala është madje për akordim trilateral. S’është pak, përkundrazi, sukses i madh. E sidomos s’është pak si arritje për rrethanat e Ballkanit (do shtonin mbase skeptikët, njohësit e politikave ballkanike).

Jo vetëm në politikat, por dhe në kopshtijet ballkanike ca domate nisin e skuqen, ca kalben, ca ende të verdha, ca ende të gjelbra. Laryshi gjithandej, në çdo fushë, e edhe në atë politike. Ndonjëherë ende pa u pjekur kushtet mirëfilli, politikanëve thjesht iu shkrep që t’merren vesh për ndonjë gjë. Marrëveshjet ndër-ballkanike, as për amerikanët dhe as për evropianët s’janë supriza, ne shek. XXI s’ka zënie “galuç”, as befasi. Në kushtet e sotme ballkanike është supozuar që politikanët e atjeshëm dhe mund t’merren vesh. Qëkur ata nesër të gjithë do jenë pjesë e BE.

Por ama eu-amerikanët nuk hezitojnë ta shpalosin as skepticizmin e tyre. Sepse po ashtu e dinë që ballkanikët shpesh nguten me “temperamentin politik”. Nëse ta shihnim nga përspektiva strategjike, jo Vuçic dhe as të tjerët… por mendoj se Rama me gjithë “këshilltarët” e vet janë ngutur. Rama pandeh se është “strateg” i madh dhe largpamës, mbase si Skënderbeu dikur (apo si Qemali i Madh, si krahasim më i përafërt).

Le t’pandeh ai, madje sipas demokracisë i bie se i besojnë dhe gjysma e Shqipërisë, qëkur ia kanë dhënë votën. Të gjitha në rregull. E megjithatë, kam frikë se Rama dhe kabinetarët e tij janë “strategë” të dobët, madje e dëshmoi dhe vetë, pa e lutur askush. Thjesht s’mund të shtyhet me strategët euro-atlantikë, me ata të Dumës ruse as hiç se hiç.

***
Më me dëshirë do i shkruaja një letër vetëm atij, por ehuuu ku ka kohë Kryeministri t’i lexojë letrat e botës. Përndryshe s’do na ishte bërë fare Kryeministër. Sidoqoftë, le t’shtiret lexuesi për pak kohë sikur gjoja “Rama”.

I nderuar z. Kryeministër (si t’ju pëlqejë më shumë – për mua njësoj, po deshët e shkurtoj “informalisht”, ose e zgjas me formalizmat e me titujt, ose them thjesht Ramush, anise del më gjatë se Ramë… madje do tingëllonte pothuaj kosovarçe, qëkur dhe ata e kanë një Ramush 🙂 – ta quani “të verbër” një Ramush kosovar (si shembull), apo një Albin aktual, apo dhe cilindokend në Prishtinë, asgjë s’prish punë, s’do shembej as bota. Tekefundit dhe vetë Ramushi i atjeshëm, me gojën e vet mund t’ju quajë juve “i verbër”. Rishtas asgjë, ju nuk hidhëroheni, i bie fifty=fifty, baraz.

Por ta injoroni gjithë Kosovën, gjysmën e kombit të përvuajtur, me justifikimin e tiketave tuaja të “verbërisë dhe prapangeljes”, vallë a nuk ju duket pakëz e tepruar. Tekefundit, vizionin tuaj politik dhe largpamësinë, ashtu jozyrtarisht e keni “borxh” t’ia sqaroni sadopak dhe popullit kosovar. Sepse thjesht është gjysma e kombit shqiptar, dhe sepse edhe ju jeni shqiptar, jeni “bir i popullit tuaj” – do thoshte ai shkrimtari F. Cakaj, nëse s’gabohem me mbamendjen. Ia sqaroni Shqipërisë, e këso gjërash të mëdha mbase dhe Kosovës, tek pastaj t’i hedhni hapat tuaj të largpamësisë.

Të hani darkë me Vuçiqat, të merreni me prekje pulsi, me mprehje vizionesh, aty-këtu me taktizime politike e diplomatikash, të negocioni për blerje drithrash, për shitje domatesh, për shitje hekurash a blerje elektrikash… është fare diç tjetër. Të gjitha këto veç i kishit, s’ju duhej as bujë as rrokopujë, e gjithë bota mbarë e di se pas Italisë, Serbia është partneri i 2-të ekonomik i Shqipërisë.

Se ku janë serbët me zotësinë, na e shpalosin dhe sukseset e tyre. Bie fjala statistikat serbe mburren se sektori i teknologjive të informacionit dhe komunikimit (ICT) është dega më e madhe e eksportit të Serbisë, duke ia kaluar madje dhe sektorit të Bujqësisë për sasinë e eksporteve. Serbia thotë se në fund të Tetorit 2021, vlera e eksporteve të ICT-sektorit ishte 1 miliard e 470 milionë euro. Fuqi marramendëse për termat e atjeshëm, apo jo, e gatshme ta “absorbojë” gjithë fuqinë e ngelur ballkanike.

Parë “me gjuhën e pazarit”, pas Italisë Serbia është partneri më i levërdishëm ekonomik i Shqipërisë. Italia është “krahu i djathtë me gjithë gjoksin” ekonomik të Shqipërisë, Serbia është “krahu i majtë. Italia Nr 1, Serbia Nr 2 për bukëmjaltin shqiptar.

Andaj e lehtë të kuptohen “nënshkrimet” tuaja z. Kryeministër, sidomos ato për “elektronikat” e për roaming, për beneficione ndërshtetërore. Gjithmonë do i keni serbët aty ku i keni, aty ku dhe i kishit – sepse të qënit aty ku janë është interes i Serbisë fillimisht dhe kryesisht, jo vetëm interes-momentum i ekonomisë shqiptare. Fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi optimal gjithmonë inkurajohen e nënkuptohen.

Ju, z. Kryeministër, duke i njohur “fasulet tuaja” (njësoj sikur dhe pala serbe që i di fasulet e veta), sipas jush dhe sipas indikatorëve ekonomikë çfarëdo marrëveshje “a la shengenike-ballkanike” do ishte vetëm diç e mirë, assesi keq! Kuptohet, “indikatorët” askush s’i ka më të qarte sesa Ju vetë. E di luga çfarë ka vegshi – thotë ajo urtësia kosovare.

Statistikat fringo të reja më se miri i dini Ju z. Kryeministër, unë po shërbehem me ato të para 2-3 viteve, meqe s’kam te reja. Gjatë 2018, Shqipëria ka eksportuar në Serbi 325.43 Milionë (prej tyre Hekur e Çelik, 103.53 M) – ndërsa ka importuar 283.83 M (është pakëz “interesante” që gjërat kryesore të blera nga Serbia janë energjia elektrike 55.88 M, dhe drithrat 37.25 M, apo ndoshta asfare interesante).

Për fat të keq ekonomia kosovare pothuaj s’është askund për ta zbutur sadopak “oreksin” e momentumit shqiptar. Joshjes dhe tundimit serb kosovarët as që mund t’i afrohen. E dimë këtë (madje dhe unë, pa qenë fare Kryeministër), e dinë edhe shifrat, edhe statistikat. Ndoshta vetëm serbët s’ditkan gjë, kapaciteti ekonomik i Kosovës për Serbinë i panjohur…

E kuptoj motivin tuaj, e di po ashtu se “inteligencia” shqiptare e ka për zemër të vetëkënaqet me ego-sintoninë (e tipit spartako-nxheliane) se ashtu-kështu shqiptarët janë të fituar, se ia kanë “marrë Serbisë një shtet… “. Andaj s’ka pse humbet kohë për marrëveshjet me Serbinë kur është fjala për interesat ekonomike të Shqipërisë.

Por e vërteta e dhimbshme është se ju hiç se hiç, e madje as vetë Kosova s’e ka çliruar vetveten. E gjithë bota mbarë e di se çlirimin dhe lirinë e Kosovës e solli NATO-aleanca, dmth. Amerika dhe Evropa. Hapat e “ballkanizmave ekonomik” me Serbinë s’janë dhe kushedi çfarë lajthitjeje, qëkur as ju vetë dhe as Serbia s’e dini nëse do dështojë apo do ketë suksesin sic palet parapresin.

Tryeza juaj e rrumbullakët në Tiranë dukej mjaft e “rrumbullakët”, si e kalorsëve arturianë ballkanik, ama ku di, historia e ka njëfarëlloj dëshmie se me serbët askush s’ia ka dalë “barabartë”, as kroatët, as malazezët, as vëllezërit… e madje as ata sllovenët e urtë. Ishte thjesht një Tito që do ta shtynte pakëz më gjatë, ama dhe ai sepse e pati merituar njëfarë autoriteti prej mareshali partizanesk, pastaj sepse qe “bërë dhëndërr serb”, dhe e gjente disi udhën t’ua shtypte kokën qepëve a la rankoviçiste.

Gjithsesi, hapat shqiptarë pa e përfillur mirëfilli “mesazhin” e thjeshtë euro-atlantik (o të gjitha shtetet, o të 6-at… përndryshe s’është ide e mirë) shpërfillja juaj mendoj se ishte thjesht një lloj arrogance qesharake. Gjoja për “inat të BE ne dimë t’jemi dhe kryeneç”. Athua vallë për çfarë, apo për t’ia dëshmuar botës se dhe ju na qenkeshit të “mirë e konstruktiv”.

Arrogancë të cilën bota e ka hetuar aq shumë herë në debatet tuaja me palën evropiane. Thuase bota vërtet menduakan që ballkanikët s’janë konstruktivë, thuase aq e vështirë t’merren vesh me ju. Andaj ju nguteni me shpërfilljen euro-atlantike, dhe ja tashmë e kryer. Tashmë thuase vërtet i hodhët në shesh të gjitha “hilet evropiane” dhe zvarritjen e politikave të Ballkanit.

Nga ndokush, “hapi” i Shqipërisë me lëshuarjen “pe” ndaj Serbisë, mund të interpretohet si motivues, si hap inkurajues për Serbinë, si sinjal i vullnetit të mirë, dhe se ata shpejtë mund ta kthejnë me të “njëjtën dozë” të vullnetit, psh. me njohjen e Kosovës. Por këto ne s’mund t’i dimë, qëkur s’i dinë as vetë serbët… klasa e tashme e politikanëve të Serbisë ashtu-kështu do binte në kundërshti me vetë deklaratat dhe pompozitetin e kundërshtisë së tyre gjatë viteve…

***
Ka mbi një shekull, z. Kryeministër, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë do bëhej fakt, anise një “shtet-bebe” (ose shtet infantil, siç e quante Londra e asaj kohe), gjithsesi edhe Porta e Lartë do ta njihte autonominë e “Vilajetit” Shqiptar.

Ismail Qemalit të madh atëbotë i qe imponuar të “ngutej” me ngritjen e flamurit, pikërisht për shkak të ambicjeve të Serbisë. Vlora si “zgjedhje” pati qenë thjesht një strategji sekrete, që duhej mbajtur sekret për Portën… përndryshe i gjithë organizimi mbase dhe mund të dështonte. Kushedi pastaj si do na ishte vërtitur historia.

Ardhja e armadave të Serbisë, shkelja e tokave shqiptare, sipas largpamësisë së Qemalit, duhej ta gjente “flamurin” si AKT të kryer. Pavarësia qe shpallur, mirëpo historia na thotë se Serbia ashtu-kështu do ta bënte të veten, i duhej ta bënte turpin e vet. Sipas raporteve ndërkombëtare (psh. “Report of the International Commission… on the Balkan War”, 1914), sipas llogarive të asaj kohe, rreth 20.000 deri 25.000 shqiptarë qenë masakruar nga Serbia. Dhe atë pothuaj në sy të Evropës, sikur që ndodhi dhe në luftën e fundit… nga paramilitarët e Millosheviqit. Historia dhe populli shqiptar do i jenë përjetshëm mirënjohës z. William Walker, për humanizmin e tij dhe për të vërtetën që ia përcolli botës.

Si “krahasim” i masakrave serbe të para 1 shekulli, me viktimat e luftës së fundit të Kosovës, sipas raportit të publikuar në v. 2014, “BalkanSight – List of Kosovo War Victims”, thuhej tashmë se qenë vrarë gjithsej 10.415 shqiptarë. Pra si shifër viktimash, z. Kryeministër, përafërsisht sa “gjysma” e viktimave të atëhershme, para 100 e kusur vitesh.

Pse i përmendëm këto (kur dihet se historianët do ta shkapurisnin madje akoma më mirë se ne historinë). Epo, thjesht sa për ta rifreskuar faktin që Serbia ishte armik shekullor i shqiptarëve, dhe kurrë s’ka kërkuar falje për viktimat, për pastrimet etnike, për zullumet sistematike, për asgjë. Gjysma e kosovarëve të së dikurshmes sot janë o të asimiluar, o në asimilim e sipër diku nëpër djerrinat e Anadollit, si fakte ende të gjalla të makinerisë politike serbe. Pse s’i telefononi mikut tuaj z. Erdogan, thjesht sa t’i hapte pakëz arkivat e vjetra, bëjani të qartë troç “jam kureshtar për arkivat e diplomatikave të dikurshme turko-serbe, s’keni pse ia mbani rrotull as ju turqit as serbët”.

Të anashkalohet fakti (nga vetë politikat e Shqipërisë londineze) se Serbia ishte armiku shekullor i shqiptarëve, dhe kurrë s’kërkoi falje për asgje, vallë pse duhet! Respekti ndaj historisë kombëtare do duhej ta ndizte sëpaku ndonjë llambë tuneleve të ndërgjegjes politike. Respekt do ishte tekefundit duke mos u ngutur, duke i vënë në peshore mirë e mirë disa fakte, tekefundit sa t’mos perbuzej dhimbja e Kosoves (madje ende e freskët).

Këtë s’jua ka kërkuar as BE-ja as kush. Kosovarët hiç se hiç, mendja ma thotë askush i kësaj bote.
Dhe pra s’është fjala për politikanë me “orën e ngecur të historisë”, as për politikanë reaksionarë të së kaluarës, as për politikanë konfliktuoz. Jo, unë them se më parë fjala është për ca politikanë ngutulushë, të verbuar nga momentumi ekonomik dhe deliri i metelikëve.

Për hir të faktit më lart (të turpit serb), ma lejoni ta marr një shembull sa më troç e shkurt. Edhe holandezët, edhe gjermanët sot janë në BE, dhe janë fqinjët më të mirë të mundshëm që njeh e tashmja evropiane. Qoftë për bashkëpunim ekonomik, qoftë ushtarak, qofte për politikat e për gjithçka. Interesat e tyre janë aq të lidhura e të gërshetuara sa s’kapet me imagjinatën për të qenë ndryshe. Nëse pandehni se holandezët janë “pak”, jua them se janë 17 milionë (5 milionë më shumë se “Ballkani i Hapur” aktual prej 3 shteteve).

Mirëpo as pas 7-8 dekadash, Holanda kurrë s’ka harruar dhe nuk i harron bëmat e Gjermanisë naziste. Vit për vit ua përkujton holandezve e gjermanëve, me lloj-lloj rifreksime të mbamendjes, madje dhe në nivel lagjesh. Ndërsa dihet, Gjermania në njëfarë mënyre i ka “kërkuar falje” gjithë botës…

Ky pra është dallimi. z. Kryeministër, mes serbëve, kosovarëve, shqiptarëve dhe nga ana tjetër mes holandezve e gjermanëve. Vetë z. Klinton, ish-Presidenti i ShBA, kur e pati vizituar Kosovën e pasluftës, nëse ju kujtohet u pati thënë kosovarëve: “…duhet falur, por s’duhet harruar kurrë, e lehtë të falni (nëse vjen kërkesa… kërkimfalja e sinqertë) por ju s’do harroni kurrë”.

Sepse, e si u harruaka vallë historia dhe dhimbja e popullit! Sepse z.Klinton e dinte që historia s’duhet “harruar”. I madhi z.Klinton e dinte që serbëve herëdokur u takon të “kërkojnë falje”. Asgjë më ndryshe s’kanë thënë as kosovarët, kurrë. Sepse njësoj siç e dinte z. Klinton, njësoj siç e dinë holandezët e gjermanët, edhe kosovarët e dinë që gjatë historisë mund “të falësh” kur t’piqen kushtet, por të harrohet historia është e pafalshme.

Mendoj se nuk ishte nevoja të nguteshit z. Kryeministër, historia s’ka “zë” siç kanë pagandat dhe politikat tuaja, por fjala është për historinë e kombit. Madje ndoshta as xhaxhi-Hoxha i komunizmit tuaj, nëse t’ia prishnin rehatinë e varrit… ashtu me një boshllëk të madh kohor, me dekada e dekada pa ditur gjë për politikat aktuale ballkanike, me kafkën zbrazët, s’do ishte lajthitur z. Kryeministër. Në rregull, Kosovën ia patën marrë të “fortit” (i forti t’ban lesh, e ti s’guxon as lot as me keshë – do thoshte mbase Ramushi i Kosovës).

Bie fjala, historia e “di” sa diplomat i madh ishte Titoja, i paparë për dinakëri e largpamësi, ia pati treguar bërrylin dhe vetë Stalinit, madje dhe tallej me të, për dekada me radhë i pati hequr për “hunde” sa Perëndimin sa Sovjetikët, merr këndej hurma e napolona, merr andej llokume e medaljona, e madje dhe botës së “tretë… gjoja pa inkuadrime” filloi dhe atyre ua trazonte lugët në kroshne – por ama xhaxhi i juaj sikur i pati “lexuar” të gjitha dredhirat e tij, s’ia doli ta mashtronte as në Brionet as askund, xhaxhi thjesht ia tregonte bërrylin, ia bënte “mac”, s’ma hedh dot.

***
Kur lidhet “gjysma” e fatit të popullit me popuj të tjerë, kur mund t’jenë në pyetje lajthitjet, rrëshqitjet, ngutjet, lëshimet eventuale strategjike, populli s’mund të t’lihet vetëm me retorikat mediatike të shek. XXI. Pa le që pjesa dërrmuese e popullit sot informohet nga “mediatikët e celularëve”, nga mediat sociale, nga zyrat partiake dhe çupërlinat “informative”, nga gazetarët mobilistikë, dmth. edhe nga burimet internetike gjatë vrapit me pizza në dorë e me gojën plot.

Madje dhe lajmet e Fb (si platformë thashethemesh) sot duken mjaftueshëm të verifikuara e të besueshme, për shumkend që s’ka kohë, për secilin duke ngarendur pas mbijetesës e halleve të veta. Përndryshe as Rama, as Vuçiq s’do t’i postonin fotot e darkave në Fb, përndryshe asnjë politikan s’do cicëronte me 3 rreshtat e Twitter… kahdo që rrotullohej e bënte madje dhe “Kingu” i Twitter, z. Trump, apo jo, sepse aq e lehtë. Një buzëqeshje, një “ciu” dhe voila, me miliona fansa mbrapa me “lajkat”!

Gjithsesi, kuptohet se marrëveshjet e nënshkrimet duhet ratifikuar dhe nga Kuvendi shqiptar. Përndryshe s’do duhej të kishin ndonjëfarë fuqie të mirëfilltë. Lajthitja e Ramës dhe dështimi i tij me “peshoren strategjike” është evident, anise s’është ndonjë diç aq tragjike. E ardhmja mund t’jetë e mirë për shqiptarët qoftë dhe falë fatit. E ardhmja mund t’i “amortizojë” vetiu të gjitha lajthitjet (eventuale) të Ramës. E ardhmja kosovare dhe shqiptare mund t’ketë rrethana shume të favorshme historike, qoftë dhe vetem falë punës së palodhshme të rastësisë.

Mirëpo Kryeministri Rama kurrë s’do duhej ta lëshonte “kartën e njohjes” së Kosovës, kurrë s’do duhej t’nënshkruante “hapje të Shqipërisë” për Serbinë – jo pa njohjen e Kosovës fillimisht. S’ia ka kërkuar as Evropa, as Amerika… kurrë, asnjë lloj hiçgjë të kësaj natyre. Sepse s’pi ujë, sepse do ishte nonsens, sepse bie në kundërshti dhe me vetë fijet më bazike të strategjisë shqiptare.

Përveç nëse interesat monetare, shifrat dhe momentumi ekonomik ta kanë mjegulluar arsyen si tepër. Por as atëherë shkelja e interesave strategjike të kombit nuk justifikohet.