Craig S. Perez – Dashuri në kohën e ndryshimeve klimatike

DASHURI NË KOHËN E NDRYSHIMEVE KLIMATIKE
Craig Santos Perez [ 1980, ShBA ]

(duke ricikluar “Sonetin XVII” të Nerudasë)

Unë s’të dua sikur t’ishe metalet e rralla të tokës,
diamante konfliktesh ose rezerva të bruto-naftës
që shkaktojnë luftë. Të dua siç
dikush i do speciet më të cenueshme:
urgjentisht, mes habitatit dhe humbjes së tij.

Të dua siç dikush e do farën e fundit ruajtur
në kasafortë, shtatzënë me trashëgiminë e rrënjëve
tona dhe falë trupit tënd, shija që piqet nga frutat
e saj në gjuhën time ende ëmbël gjallon.

Të dua pa e ditur si, dhe as kur kjo botë
do t’përfundojë. Të dua organikisht, pa pesticide.
Të dua kështu, sepse do mbijetojmë vetëm

në kompostin e pasur me azot të përqafimit tonë,
aq afër sa emetimet tua të karbonit janë të miat,
aq afër sa dhe niveli i detit rritet me nxehtësinë time.

– – –
© C. S. Perez – Burimi: “Habitat Threshold” (Omnidawn Publishing, 2020), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2021

 

***
Dashuria me “këmishë” tjetër – Madje dhe poezitë mund të “riciklohen”!
( S.Guraziu – AP, D 2021 – Pak fjalë)

Pas leximit të poezisë së Perez (Dashuri në kohën e ndryshimeve klimatike) , sikur po thosha mëvete: Ja dëshmia “poetike” e dashurisë së kulluar për planetin, vargjet e dashurisë nerudeske mjaft bukur i paska “ricikluar” poeti Perez. Vallë e si mund të duhet planeti më çiltër e më pastër se poetikisht? Ç’ka më të pastër se dashuria poetike? Në rregull, si kategori në vete, mbase është dhe drita… rrezet e diellit janë po aq të pastra, e qartë. Ama dhe rrezet janë thjesht dëshmi e dashurisë “solaris” falur tokës. Vetë jeta është dëshmi e dashurisë diellore, e “dinë” madje dhe gjethet e mbarë planetit.

Për dallim, dashuria “politike” psh., riciklimi i fjalëve dhe zotimet politike ndoshta gjysma janë fals. Madje sikur harrojmë, s’e mbajmë as fjalën e vetë “fjalës”. Me fjalë, pak nga pak i hamë dhe fjalët tona “klimatike”. Iku shekulli XX i mbarsur me fjalë, ndoshta do mbarojë dhe shekulli XXI. Meqë fjalët të pashtershme, vazhdojmë me premtimet ciklike, fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Nga njëra anë sikur vërtet na dhimbset planeti, andej… nga tri anët e ngelura s’dimë të ndalur me të “kundërtën” e fjalëve.

Sidoqoftë, si mirënjohje për dashurinë e poetit Perez, deshëm dy-tri fjalë rreth riciklimit të dashurisë (poetike).
Bota s’njeh ndonjë poet ta ketë “harruar” dashurinë si subjekt. Kuptohet, të dashurojnë dinë gjithë njerëzia, pa përjashtime, s’është se vetëm poetët na dashuruakan. Ama poetët e kanë pothuaj si shtysë “pasionante” të vetë pasionit. Mund të dashurojnë dhe “poetizojnë” paralelisht, për ta është aq e lehtë. Dhe s’kanë lidhje rrethanat, as mosha e tyre, as katrahurat e zemrave. Asgjë s’i tremb poetët. Ka poetë të cilët na mahnitin që në rini, ka dhe aso që frymëzohen dikur vonë në pleqëri. Sepse jo bash gjithçka varet nga ta, disa gjëra rreth ndjesive e rreth frymëzimeve i kanë në dorë Muzat.

Pra përveç tjerash, për secilin poet, nëse ende jo, pritet që herëdokur do merret dhe me subjektin e dashurisë. Po ashtu nga të gjithë poetët pritet që me fjalët e me përzgjedhjet t’na jenë pakëz më të shkathët, më të trajnuar sa u përket klithmave. Është pakashumë diç si privilegj i natyrshëm, u takon e drejta të shtiren si “bilbilat” e pyllit. Dashuria e poetëve o është e vërtetë o s’e përmendin fare. Dashuria poetike buron drejt e nga zemra, thuhet se aty e kanë strofullën dhe ndjenjat.

Ndjenjat janë si zjarri të pastra, shpesh si prush, herë-herë zbuten paksa, maskohen nën hirin e sipërfaqes por kurrë nuk shuhen. Me të njëjtat ndizet e merr flakë dhe dashuria jonë “ordinere”. Psh. me fjalët më të çiltra, me ndjesinë më të kulluar e shprehim dhe dashurinë “valentineske”, apo jo. As trëndafilat, as sheqerkat, as unazat, as dhuratat s’janë gjoja për ta përforcuar çiltërsinë tonë, por janë diç si “simbole” të çiltërsisë. Qëkur Amori s’ka shigjeta gënjeshtare, nëse t’merreshim me “dashurinë” fals do ishte mëkati më i madh ndaj zemrave. Manipulimet e ndjenjave, amoriadat sa për sy e faqe mbase s’janë të padëgjuara… por janë të pafalshme. Jo pra, poetët natyrisht që jo, por dhe askush i kësaj bote s’merret me mëkate të tilla, për fat të mirë dashuria është falas.

Dmth. vlen diç si parapritje që poetët nëse merren me “cicërimat bilbileske”, atëherë padyshim ata do “këndojnë” më së bukuri, më së ëmbli, poetikat e tyre do na tundojnë si vetë mjalti. Poetët janë më të trajnuarit për ngjyrsinë e ndjenjave, për prushin e zemrave, për t’i lidhur fijet dhe vegëzat, për t’i ujdisur metaforat, për t’i përzier nuancat etj. etj.
Dhe kështu, sa e sa poezitë i kanë sjellur poetët e kësaj bote, ndoshta as qielli s’ka më shumë yje e xixëllima. Dmth. e kemi fjalën vetëm për subjektin e dashurisë. Bota është e mbushur me lirikash, me poezi frymëzënëse të dashurisë, madje dhe me “kopje”, “ribërje”, “rithurje”, “rikopjime”, ka panumër variante vjershologjike e poetike.

S’ka poet ta ketë “harruar” dashurinë – s’pati harruar as Neruda. Herët o më vonë do dashurohej dhe ai, pikërisht siç parapritej, edhe atij do t’i kalavarej Muza në qafë. Pastaj të tjerat dihen, me dashuri e me letra, me puthje e me ëndrra, me lot e me germa, me kujtime e me gjithçka, tashmë janë histori. Kanë ngelur vetëm poezitë, si shenja të përjetshme, si “gjurmë” të shpirtit të tij. Shkurt, si gjithë poetët e botës, s’kishte kah ia mbante as Neruda, edhe ai do i këndonte dashurisë, s’kishte si t’na ngelej “përjashtim”, është diç si ligj universal : )

Neve tani na u desh “dashuria” poetike (si dëshmi), jo aq vetë poezia, andaj le ta “tekstualizojmë” në epruvetën laboratorike, le ta filtërojmë sadopak dashurinë e Sonetit XVII (dmth. pikërisht poezinë e frymëzimit riciklik të Perez). Nëse të shtriçej sa më sheshtë e butësisht dashuria poetike nerudeske, do kishim pakashumë si vijon:

“…unë s’të dua sikur (gjoja ti) një trëndafil prej kristalesh, apo topaz (diamant, smaragd… asgjë prej “emrash të çmuar”), as si shigjetë e karanfiltë (me të cilat mburret) zjarri, thjesht të dua siç duhen ca gjëra të panjohura, fshehurazi, mes hijes dhe shpirtit, (në fakt) të dua pa e ditur si, kur dhe as ku (madje të dua dhe përtej dashurisë), të dua aq thjeshtë, pa probleme a krenari… sepse ndryshe nuk di, të dua aq afër sa dora jote mbi gjoksin tim është imja, aq afër sa sytë e tu mbyllen në gjumin tim…”

E thamë pak më lart, dashuria është falas. Përveç që u falet muzave (si në rastin e Nerudasë), dashuria mund t’u falet panumër gjërave të ekzistencës sonë. Dhe vetëm fakti që e duam natyrën, vetë dashuria ndaj natyrës në njëfarë mënyre është “poezi” në vete. Riciklimi i produkteve industriale po ashtu është “poezi” në vete, dashuri ndaj natyrës. Ndarja dhe sistemimi i kanaqeve, i plastikave të kuzhinës është thjesht një mënyrë tjetërsoj për ta shprehur dashurinë ndaj natyrës… apo jo. Riciklimi është dashuri e kulluar, meqë ra fjala vetë i kam 3 kontejnerë të riciklimit në oborr.

Madje dhe vetë poezitë mund të “riciklohen”, poetit Perez i ka shkrepur ta riciklojë dashurinë nerudeske. Pse jo!
Dashuria poetike ngelet e njëjta, dashuria = dashuri, mbase polimorfe (nëse veshur me këmishat poetike) ama në thelb e patjetërsueshme, gjithmonë dashuri. Anise dashuria s’është njësoj si ai “ligji termodinamik” i fizikës (se mos na ngatërrohet lexuesi tashmë). Eh, sikur t’na ishte, do ishte mrekullia vetë, për fat të keq s’është. Imagjino si do tingëllonte “ligji amoresk” : dashuria është konstantë veneriane, s’mund të krijohet as të shkatërrohet, vetëm të konvertohet nga njëra formë në tjetrën, pa humbje të dashurisë!

Lexuesi s’duhet ta dyshoj origjinalitetin e “krahasimit” tonë më lart. S’është fjala për ndonjë “krahasim” ajnshtajnian, qëkur ai merrej me fizikat e me shkencat. Dihet se dhe Ajnshtajni ishte i njohur për krahasimet e veta rreth dashurisë. Mirëpo jo, krahasimi ynë është origjinalitet, ai e pati krahasuar dashurinë me pafajësinë e gravitetit të vet. Gjoja na pati siguruar se “rënia në dashuri” s’ka t’bëjë me gravitetin… s’mund të akuzohet graviteti – pati thënë. Madje një lloj krahasimi të ngjashëm e pati përdorur dhe për “relativitetin”, kësaj radhe e pati përdorur termodinamizmin dhe një vajzë të bukur…

Gjithsesi, poeti amerikan Perez me analogjinë “nerudeske”, ndër të tjera, thuase pati dashur t’na thoshte që dashurisë ndaj planetit s’i nevojiten sforcimet e zhargonit politik të “Kombeve të Bashkuara”, as zhargoni i “shkencave”, as i raketologëve rreth shpërnguljes në Mars, as pompoziteti i korporatave industriale, madje as zhargoni i aktivistëve mjedisor të “Greenpeace” (paçka se këta të fundit totalisht të pllakosur nga çiltërsia sa i përket dashurisë për planetin). Jo pra, s’është nevoja për bombastikat e politikave dhe as të shkencave… me një riciklim të thjeshtë “nerudesk” mund ta dëshmoj dashurinë e zemrës sime…

***
Poeti amerikan Craig Santos Perez është një poet çamoroan, pjesëtarët e popullit “Chamorro” janë indigjenë të ishujve Mariana në Mikronezi, ishuj politikisht të ndarë mes ShBA (ishulli Guam) dhe Bashkësisë së Ishujve Mariana (Paqësori Perëndimor). Sipas regjistrimit të popullsisë së ShBA, thuhet se sot një sasi e konsiderueshme e tyre jetojnë dhe në Havai, e po ashtu në shtetet tjera federale si Kaliforni, Uashington, Teksas, Tenesi, Oregon dhe Nevada, anise të gjithë së bashku (si përcaktim) quhen Amerikanë të Ishujve të Paqësorit.
Hartat dhe infot thonë se Guami është territori më perëndimor i ShBA, dmth. “pika” më perëndimore. Territori amerikan i Guamit s’është më shumë se 550 km², i bie sa një qytet i vogël (kuptohet, termi i “vogël” siç e shkrova unë, vlen nëse të krahasohej psh. me ~7000 km² të Çikagosë, apo me ~6000 km² të Moskës : ) Ishull tropikal Guam është ishulli më i madh mikronezian, në hartën e Oqeanisë i bie të jetë ishulli më jugor i ishujve Mariana. Kryeqyteti (apo Kryefshati) i Guamit u quajka Hagatna, dhe fshati më i populluar na qenka Dededo.