(s. guraziu – ars poetica, sht 2018 – humoreskë, rreth identiteteve profileske në Fb)
(krye-plaku i Malcisë me fotot akull, as dallash as dallavesh, tamam si ai Kerington-i i Dinastisë së Dallas-hit… mirëpo faqen mozomokeq, 100% falsitet : )
Detyra kryesore e Internetit dihet se është shfaqja e Facebook, apo jo. Kahdo që shetisim Internetit, na përcjellin dhe butonat e Fb. Psh. sa herë t’na duhen faqet e mikeshave, Interneti s’ankohet, na i shfaq aty për aty, sepse këtë punë ka.
Ja që nganjëherë na e bën dhe me hile. Nganjëherë na i shfaq dhe faqet që s’na duhen. Dhe jo vetëm kaq, nganjëherë provon dhe me mashtrimet, provon t’na e hedh me falsitetin.
Vetë s’kam mikesha në Fb, Interneti e di saktë, anise shtiret sikur s’di gjë. Aty-këtu m’i hedh ca faqe të rusinkave, ca ukrainase marramendëse… fare pa e pyetur, as pa ia kërkuar. S’kam bërë zë, s’e keni ditur sepse s’jam ankuar, kam heshtur. Mirëpo s’më vjen mirë për provokimet.
Meqë s’i “shiten” as rusinkat as ukrainkat, e sheh që s’ma hedh dot, Interneti ia nis me lloj-lloj përjashtimesh. Sot psh. ma hodhi faqen e Doktorit… të Krye-plakut të Malcisë. Aspak befasi, s’ishte as hera e parë dhe as risi. Gjithsesi, gjoja faqja e tij – pasi s’ma hedh dot as këtë, e kuptoj kur është mashtrim, manipulim. Si e ditkam se mashtrim?
Epo, ca cikërrima, ca xingla-mingla i kam mësuar dhe vetë, e di se faqet e VIP-ave duhet ta kenë një lloj figurine të kaltër (rrumbullake, aty skaj emrit). Shumica e njerëzve të famshëm (bie fjala të politikes e të show-bizit) ashtu i kanë. Gjoja diç si mbrojtje e identitetit, meqë dmth. njerëz të mëdhenj, VIP-a të njohur. Kuptohet VIP-at s’e duan 2-fytyrësinë, janë persona të denjë, 1 identitet kanë gjithsej.
Fb e pati shpikur mbrojtjen (figurinat e kaltra) enkas për personat e rënduar nga famoziteti, dmth. për yllkat hijerënda, për yjet serioz, të rënduar nga popullariteti etj etj.
Po çuditesha pse kjo faqe e Doktorit, pse jo origjinalja. Vallë pse i mungon “figurina e kaltër”?! Nga njëra anë fotot akull, as dallash as dallavesh, tamam si ai Kerington-i i Dinastisë së Dallas-hit… dhe shih, pa figurinë! Vallë çfarë arrihet me faqet e krye-plakut fals?!
S’ma kap dot, por s’e mohoj, gjithmonë çuditem. Vetë 1 faqe kam gjithsej, dhe atë s’ia dal ta menaxhoj si duhet. Prore synoj t’jem i sinqertë, t’jem realistik, t’jem i vërtetë. Apo se mos më keqkupton ndonjë mikeshë poetenciale e së ardhmes; jo mo jooo… s’jam monster, gjoja me njërën faqe të djegur (si ai shoku i Batman-it), komplet jam, 2 faqe i kam, dmth. aq sa duhet t’i ketë njeriu, mirëpo 1 fytyrë të vetme – këtë po thosha, 1 fb-faqe të vetme.
Ndoshta kjo dhe është dobësia, ndoshta 1-fytyrësia tashmë është dekadencë, koncept i tejkaluar. Një fytyrë e kishte njeriu që nga zanafilla, mirëpo njeriu i dekadencave s’i kishte as shkencat as Internetat, qëndron dhe kjo. Tashmë gjërat kanë ndryshuar, të gjitha të reja, 1-fytyrësia nuk përputhet ndoshta as me konditat më bazike të modernizmit.
Hm, ndoshta prandaj s’kam as mikesha, ndoshta kjo qenka arsyeja, sepse gjysmak, 1-fytyrak, si hutini-hutaç. Mos vallë 2-fytyrësia t’jetë minimumi kondicional. Mos vallë njëra nga kolanat qendrore të idesë, si parakusht dikur për t’u shpikur Fb, ishte pikërisht kjo mangësi.
Dhe kështu, shkurt dmth. po çuditesha me falsitetin e faqes së Doktorit, gjithmonë çuditem me faqet mozomokeq.

