Uniforma e Franz Ferdinandit (vrarë në Sarajevë, 1914)

Uniforma e Franz Ferdinandit, vrarë në Sarajevë, më 28 Qershor 1914
[ Muzeu i Historisë Ushtarake – Vjenë ]

(pak fjalë – sguraziu – shtator 2018)
Në dekadën e parë të shek. XX zhvillimet politike në Evropë sikur vlonin, dhe do merrnin përmasa eksplozive – ndërthurja e interesave dhe rivalitetet mes fuqive evropiane të asaj kohe ishin sa motive shtytëse po aq dhe elemente përçarëse rreth “garës” për të kapur kontrollin e pjesëve të Perandorisë Osmane që lëkundej (në shuarje e sipër). Në të njëjtën kohë, kombet e vartësuara e shtetet “rajonale” aspironin dhe pretendonin pavarësinë e tyre, bie fjala vendet e Ballkanit.

Gjithsesi, historia përherë e “lidhur” – kohë më parë, në v. 1889, Princi i Kurorës së Perandorisë Austro-Hungareze, Rudolfi (djali i vetëm i perandoreshës Elisabeta dhe perandorit Jozef) pati kryer vetëvrasje. Kjo ngjarje, natyrisht ishte një grusht i rëndë për familjen perandorake. Si i pari që vinte në konsideratë për fronin tashmë ishte Karl Ludwig, babai i Franz Ferdinandit. Mirëpo duke patur probleme me shëndetin në v. 1896 babai i tij vdiq, kështu që Franz Ferdinandi ishte trashëgimtari fatlum.

Apo ndoshta dhe s’do kishte “fat”, e ardhmja s’do ishte e tij. Oborri perandorak i Habsburgëve do t’ballafaqohej me faktin e vrasjes së tij në Sarajevë, më 28 Qershor 1914. Franz Ferdinandi (vetë nipi i perandorit Franz Jozef), Arkiduka i Austrisë, Princi i Hungarisë dhe i Bohemisë, trashëgimtari i fronit të Perandorisë Austro-Hungareze s’ishte më. Vrasja e tij ishte ngjarja nxitëse (konsiderohet si “shkas” nga historianët, anise shkaqet ishin të shumta dhe komplekse, mirëpo duhet patur dhe diç si shkas) për Luftën e Parë Botërore, luftë e cila do të ndryshonte shumçka.

 

…vetura origjinale në të cilën Franz Ferdinandi qe vrarë në Sarajevë, më 28 Qershor 1914
[ Muzeu i Historisë Ushtarake – Vjenë ]