Robert Capa – Place de la Concorde, Picasso, Hemingway

Robert Capa (1913-1954) – Sheshi grandioz “Place de la Concorde”, Paris, 1952

Place de la Concorde“, me rreth 9 hektarë është njëri nga sheshet më të mëdhenj të Parisit. Sheshi ku, bie fjala gjatë Revolucionit Francez qe montuar gijotina dhe ku, mes aq shumë kokash të rrokullisura, qe ekzekutuar dhe themeluesi i Kimisë moderne, Antoine Lavoisier.
Në qendër shihet “Gjilpëra e Kleopatrës”, e që është emër i përbashkët për 3 obeliskë monolitikë të lashtë që sot ndodhen në Paris, Londër dhe Nju Jork, dhuruar këtyre qyteteve nga Egjipti, në shek. XIX.

Në v. 1829 Muhamed Ali Pasha ia dhuroi Frances 2 obeliskë të vjetër mbi 3300 vjet, që ndodheshin në hyrjen e tempullit “Luksor” (Muhamed Ali Pasha, ushtarak i lartë osman me prejardhje shqiptare, në v.1805 qe caktuar mëkëmbës i Sulltanit, qe bërë Pasha dhe sundues i Egjiptit). Njëri nga obeliskët e dhuruar pati mbërritur në Paris në v. 1833, tjetri s’pati qenë e thënë që t’bëhej i Francës, ngeli në Aleksandri për afro dy shekuj, deri në v. 1990, kur Franca pati hequr dorë që ta sillte në shtëpi dhuratën e vjetër. Sot ndodhet si obelisk i “vetmuar” aty ku dhe ishte, në hyrje të tempullit “Luksor”.

Obelisku i sjellur qe montuar në “Place de la Concorde”, është afro 23 m i lartë, peshon 227 tonë. Që nga transporti e deri tek montimi nuk ishte aq e lehtë për inxhinierët e shek. XIX. Në praninë e rreth 200.000 njerëzve, inxhinieri Apollinaire Lebas e montoi obeliskun në v. 1836. Por s’ishte punë e kryer as e përkryer, u deshën dhe 3 vite më pastaj që të rregullohej plotësisht në “vertikalen” e duhur. Maja apo “kapela” e obeliskut mungonte (pati qenë vjedhur që në shek. VI pes.), në v. 1998 qeveria franceze vendosi për rregullimin e një maje të re në formë piramidale, 3.5 m e lartë dhe e cila u vesh me një aliazh metalik prej bronzi e floriri.
(s. guraziu – ap, shtator 2018)

Robert Capa (1913-1954) – Pablo Picasso me djalin e tij Claude – Vallauris, Francë, 1948

Robert Capa (1913-1954) – Ernest Hemingway, gruaja e tij Martha Gellhorn dhe femijet, 1941

…Hemingway me familjen, foto e fotografit të mirënjohur hungarezo-amerikan Robert Kapa, e që ishte pseudonim, a pseudo-emër pune i Endre Erno Friedmann.
Kapa qe bërë i famshëm sidomos në rolin e fotografit të luftës, si fotoreporter nga zonat e luftimeve. Thuhet se pseudonimi ‘Robert Capa’ qe ideuar në v. 1934 nga e dashura e tij (edhe ajo një fotografe e luftës), fillimisht pati shërbyer kryesisht si emër i famozitetit, si markë e besueshme, si markë e cilësisë fotografike, nën të cilën ‘markë’ dhe fotografë të tjerë i shisnin fotot apo punën e tyre.
Kapa do raportonte nga pesë konflikte të armatosura të shek. XX, ishte fotoreporter i Luftës Civile Spanjolle, i Luftës së Dytë Sino-Japoneze, i Luftës së Dytë Botërore, i Luftës Arabo-Izraelite të v. 1948, dhe i Luftës së Parë Indokineze, apo të Indokinës.
(s. guraziu – ars poetica, 2018)