…pata shkruar se si Gunter Sachs ia pati nisur një helikopter me trëndafila bukuroshes franceze Brigitte Bardot – mirëpo tani nuk qenka ndonjë luks i madh, 10.000 kushtuaka, sot e gjeta se një dikush andej përtej La Manshit ofruaka pikërisht këtë shërbim : )
***
[ …në historinë e “trëndafilave” bota njeh lloj-lloj storiesh e rekordesh. Bie fjala ai Gunteri i pasur (ai pronari i kompanisë gjermane Opel) s’kishte durim si Pikaso. Ky zotëria gjerman, vetëm një ditë pasi qe takuar me yllin francez Brigitte Bardot, e pati nisur një helikopter mbi shtëpinë e saj dhe e pati mbuluar me mijëra trëndafilash të kuq. Thjesht ashtu i pati derdhur nga qielli mbi shtëpinë, dëshmitarët thonë se e pati skuqur madje dhe oborrin.
Siç pati bërë ky gjermani s’qe kujtuar madje as vetë Amori i mitologjikave, as vetë Zeusi kur e pati mashtruar Europen, asnjë i dashur i Afërdites… edhe pse të gjithë endeshin qiellit (si hyjnorë që ishin), edhe pse mund t’i ujdisnin trëndafilat me një mbyllje qepalle.
Dy muaj më vonë Brigitte i pati thënë “po”. Pra ky pasaniku gjerman s’na ishte vetëm i pasur, por dhe fare origjinal e kreativ, i pati shkurtuar gjërat, s’pati qenë nevoja të “priste” 6 muaj, secilën ditë ik-e-eja, herë nga Shkupi e herë nga Peja, me 1 trëndafil në dorë.
E qartë, frymëzimet dhe ekzekutimet trëndafileske mund t’jenë të ndryshme, na ndodhë herë me helikopter e herë me trokitje si varfanjak në derë. Mirëpo rëndësi ka ajo “simbolika valentineske”… ]
[ fragment nga: Pikaso-valentiniani, dhe Zhaklina e “400 portreteve”! – S. Guraziu – Ars Poetica, 2018 ]

