Kohëlinjë Personale – Kujtime të Fëmijërisë (2)

Senad Guraziu – Ars Poetica, 2016 – Spiunët e vegjël dhe surlaxhinjtë e “vëllazërim-bashkimit titoist”…

Derisa ende kalama, si fëmijë gjithmonë sikur pandehja se “vëllazërim-bashkimi” (i komunizmit) ishte ide origjinale. Gjithsesi, më vonë kur qesh rritur dhe ca, pata zbuluar që zanafilla e “vëllazërisë” shkonte shumë më mbrapa në kohë. S’ishte 100% kopjim as “plagjiaturë” por dhe ide aq origjinale s’ishte (dmth. e kam fjalën për vëllazërim-bashkimin titist të ish-republikave dhe krahinave autonome të Yu, të cilin “vëllazërim” për 8 vite rresht na e mësonin vetë mësuesit e fshatit në bankat e fillores…

Në shkollën fillore të fshatit, kuptohet ishim thjesht kalamaj (atëbotë shkolla e mbante emrin e dëshmorit komunist, Abdullah Shabani – tani është rindërtuar dhe mban emrin “Ramë Bllaca”). Ishim aq të njomë dhe s’e kishim idenë mirëfilli ç’janë as “politikat” as ideologjikat. Shkonim në shkollë jo se na pëlqente dhe aq, por sepse duhej shkuar, vajtja ashtu-kështu ishte diç obligative. Anise ndonjëherë dhe mungonim, qoftë dhe thjesht nga dembelia. Disa prej orëve dinin t’ishin aq monotone dhe ne vdisnim nga mërzia.

Unë për vete saherë t’kem munguar, padyshim se ishte nga varfëria – më kujtohet ndonjëherë gjendja e rëndë skamnore në shtëpi vërtet i vështirësonte gjërat. Ndonjëherë mund të ndodhte mungesa, mosvajtja në shkollë nga turpi. Mirëpo shkolla i kishte dhe anët e mira. Psh. njëra nga anët e mira ishte “ana e sociales”, shkolla i bënte bashkë gjithë kalamajtë e fshatit. Tekefundit gjithë shokët do takoheshim dhe do loznim futboll. Kjo s’ishte pak si përjetim, në fakt ishte “aventura” më e madhe, asgjë s’na ofronte më shumë kënaqësi, sidomos nëse dhe t’fitonte “skuadra” jonë. Vrapi pas topit ishte kënaqësi-kategori në vete, ndoshta pikërisht ky detaj e lehtësonte sadopak “monotoninë” e orëve të gjata. E pohoj me mjaft siguri se momentet më të paharrueshme do ngeleshin ndeshjet tona “futbollistike”…

Gjithsesi, ne loznim dhe në klasë, ende pa filluar orët do bënim mjaft zhurmë duke u marrë me panumër “çapkënllëqe” fëmijërore. Pastaj kur binte zilja e dinim se pas pak çastesh do ia behte ndonjëri nga mësuesit e radhës. Sakaq heshtnim, s’piptinte gjë, ndonjë përshpërimë e flashkët aty-këtu rreth detyrave (të pakryera) të shtëpisë, ndonjë pyetje për ndihmë rreth detyrave të harruara, përndryshe shtireshim të urtë dhe të etur për dije.

Mësuesi ynë i Historisë (Adem Dërguti) ishte një mësues i “urtë” dhe i këndshëm, fliste me zë të ulët sa mezi dëgjohej në bangat e fundit të klasës. Kurrë s’na rrahte, unë s’mbaj mend ndonjë shuplakë as thupër nga ai. Thashë kështu, sepse mësuesit e tjerë na ndëshkonin, qoftë me shuplaka e me thupra. Psh. mësuesi i Serbishtes, mësuesi Bozhë (siç e quanin shkurt, anise ai quhej Bozhidar) na i jepte herë nga 5, e herë nga 10 thupra duarve. Kjo mund të ndodhte psh. nëse t’mos e dinim vjershën e radhës, e cila vjershë mund t’ishte o për Titon o për ndonjë subjekt tjetër. Digjnin “thuprat” e tij sa mos pyet, mbaj mend se ishin thupra përcëllonjëse, të mprehta, të sakta, fishkëllonjëse, shkurt mësuesit Bozhë ia kishim frikën…

Mirëpo jo të gjithë mësuesit ishin të rreptë. Me sa di unë, historia e shkollës s’ka “anale” as kronika që mësuesi i Historisë, mësuesi Adem t’i ketë praktikuar thuprat ndëshkuese. Veç e thamë se ishte mësues i urtë, në kokën e vet padyshim do ketë qenë i “zënë” me tjerash problematika e vizionesh. Atëherë si fëmijë s’e dinim, por më vonë do ta kuptonim psh. se mësuesi Adem ishte një “titist i përbetuar”. Mësuesi i Historisë në shkollën tonë ishte aq vigjilent dhe i kujdesshëm, i ruante interesat ideologjike te titizmit, kujdesej për nxënësit e vet që t’mos “prekeshin” eventualisht nga ide (ologjikash) tjera pos asaj “titiste”.

Kuptohet, si një “titist…” mësuesi Adem ishte dhe diç si spiun… në shërbim të “intelligencisë fshatareske”. Bie fjala atij i takonte ta mbante të informuar “Kryeplakun e Katundit” (anëtar i LKJ-së) për çdo cikërrimë të jetës së fshatarëve.

Mbaj mend se si mësuesi ynë i Historisë, mësuesi Adem, një shokun e klasës e pati “paditur” tek drejtoria e shkollës. Le ta sqarojmë dhe një herë, meqë është relevante: në klasën e VI të fillores ishim 9-10-11 vjeç, ishim thjesht kalamaj. Se mësuesi Adem e pati “paditur” nxënësin e vet kalama, mund dhe ta dëshmoj me fakte të “prekshme”, vetë shoku i klasës, Salih Pirku do t’më ndihmonte me faktet, pasi është gjallë, njësoj siç jam dhe unë.

Padia (dhe apo “spiunimi”) do vinte vetëm e vetëm sepse shok-trimulushi Salih (Pirku), me shpuzë të lagur i pati “shkruar” inicialet KR (gjoja Kosova Republikë) në dërrasën e zezë (e cila në fakt ishte e gjelbërt, jo e zezë, mirëpo mendja e mësuesit ishte bërë zezonë, ishte katranosur). Dhe sa për “sherr”, shpuza nuk paskësh qenë aq e paster, dërrasa qe tharë, e bardha e shkumsit sakaq do t’i hedhte inicialet KR në shesh… dhe ja, do na shembej bota! Sa për mësuesin Adem vërtet sikur qe shembur bota!

Nuk është se fëmijët atëbotë i kuptonin mirëfilli germat “KR” (si parullë), e thamë disaherë tashmë se picimuli Salih dhe fëmijët e klasës VI të fillores ishin ende “shtalba të njomë”. Për Salihun loja me shpuzën do ketë qenë më tepër ndonjë gjest “instiktiv”, pa qenë as i vetëdijshëm se ç’po bënte. Padyshim dhe do e ketë harruar aty për aty gjithë aktin e fshirjes së “dërrasës…” (mbase kujdestar atë ditë, kujdestari ishte përgjegjës që dërrasa t’ishte e pastër).

Sidoqoftë, kur mësuesi ynë e mori shkumësin dhe duke dashur të shënonte diç në “dërrasë…” i ra në sy “njolla e Salihut”, e gjithë shkolla qe trazuar, i gjithë fshati sikur do kthehej përmbys. Mësuesi iku menjëherë, duke rendur si vetëtimë nga klasa, ne nxënësit s’dinim çfarë kishte ndodhur, por shpejtë do merrej vesh. S’vonoi dhe ia behu drejtori i prerë në fytyrë, pas tij dhe shumë mësimdhënës varg e varg. Lloj-lloj fytyrash të ngrysura hynin e dilnin. Fitohej përshtypja sikur lloj-lloj njerëz të “gestapo-s” vinin e shkonin. Dukej si në filmat, desh pati krisur qameti.

Natyrisht, do vinin dhe veturat e policisë (së Duhlës, atëbotë në Duhël ndodhej stacioni famkeq policor). Flitej se Salihun e patën marrë në polici, ne kalamajtë s’e dinim saktë mirëpo thashethemet e nxënësve ngulnin këmbë se e patën rrahur me “shkoptha gome, aq sa i qenë enjtur duart”). Mua më patën marrë pyetje po ashtu, disa herë madje, që nga drejtori i shkollës e deri tek disa arsimtarë varg e varg. Mua dhe shoqen e klasës Serie Hoxhën, pasi unë isha gjoja Nxënës-Kryetari i Shkollës ndërsa shoqja Serie ishte Kryetarja e klasës. Prandaj edhe unë edhe ajo “dridheshim” në bankën e hetuesisë as pa e kuptuar se ç’ishte ajo marrje në pyetje.

Dhe ishim vërtet të papjekur, s’e kishim idenë ç’janë mirëfilli as “titoizmat as republikat”, nuk ishim më të vjetër  por 8-9-10 vjeç. Qëkur unë vetë jo, s’besoj as trimulush-Salihu t’ketë qenë më i “madh” se 10 vjeç, e megjithatë e gjithë ajo bujë dhe fshati qe trazuar nga një “njollë e lagur” prej 2 inicialesh, shkruar me shpuzën e tij të pafajësisë. I gjithë fshati, shkolla jonë dhe i gjithë kolegjiumi shkollor, 2-3 shkolla tjera po ashtu (sepse bashkë me shkollat “amë”), policia e Duhlës e madje dhe “autoritetet komunale” qenë trazuar për shkak të një “shpuze të lagur”… falë mësuesit të urtë të Historisë, falë “spiun-mësuesit” Adem.

***
Tashmë, pas 4-5 dekadash, me ndryshimin e kohërave ironia shpesh di t’jetë akoma më “ironike”, ky mësuesi ynë (siç e kuptuat sadopak zotësinë e tij) ishte dhe ka ngelur fort i zoti si “historian”. Sot, mësuesi Adem me një pension mësuesie krenohet për veturën Mercedes. Se si ia del me Mercedesat, s’e kemi idenë, anise mund ta supozojmë ndonjë detaj. Përveç mirëqenies familjare (tipar i shumë familjeve fraternale të katundit, si “bashkësi” – fare normale, vëllazëria rrinë bashkë, nuk “ndahen” sepse bashkimi bën fuqinë), tutje përveç pensionit të mësuesisë, historiani i famshëm merret dhe me vjeljen e ndihmave nga “gastarbajteret” e Gjermanisë e të Zvicrrës (dmth. për t’i “financuar” librat e historisë së fshatit).

Komunikon me ta via Fb, pastaj kur vijnë për pushime a për vizita në vendlindje, mësuesi i mirëpret nëpër kafenetë e Duhlës për t’ngrënë pulë “tek Salihu” (ashtu thuhet nga banorët e fahatrave rrotull për një kafe-restorant të Salih Rrafshit, nga Duhla). Apo nëse jo për t’i shijuar “pulat” atëherë tekefundit për “muhabet” dhe për t’pirë kafe së bashku. Eventualisht, që t’mos ngatërrohet lexuesi eventual, le ta sqarojmë rishtas: ky Salihu që e përmendëm tashmë është një “Salih” tjetër… dikur pronar kafeneje-restoranti, duhlak i mirënjohur për gatitjen e pulave të shijshme, tani operojnë djemtë e tij… mirëpo nami “Salih” ka ngelur diç si “markë e cilësisë së pulave të pjekura”. Të gjithë gastarbajterët Gjermanisë, të Zvicrrës, të Austrisë, të Italis… shkurt gastarbajterët e  mbarë Evropës, saherë e vizitojnë vendlindjen, patjetër se udha i hedh andej kah “pulat… e Salihut”. Dhe mësuesi Adem e di fort mirë këtë detaj, më mirë se askush tjetër, andaj dhe rregullisht “graviton” andej pari).

Rrinë sa rrinë, pinë kafe sa pinë, pastaj mësuesi pensionist ua dhuron librat e vet (rishtas diç si sqarim i vogël: librat e mbajnë emrin e tij autorial, është e saktë, askush s’ia cenon autorësinë, mirëpo nuk përjashtohet mundësia t’jenë shkruar e rregulluar pjesërisht nga shkronjësit-miq, herë-herë dhe kolektivisht, dhe/ose përgatitur nga miqtë kuksianë, dhe nga miqtë aneskaj Shqipërisë, si psh. nga Rexhep Shahu etj. Dihet se andej në Shqipëri botuesit janë fort të zotët sa u përket librave, psh. të gjithë gastarbajterët e Evropës (sidomos vjershëtorët, poetët dhe shkrimtarët e Zvicrrës) librat i kanë publikuar me ndihmën e botuesve shqiptarë.

Dhe kështu, “historiani” pensionist (ende me një lloj “pispillaçërie” pedanteske që nuk bie në sy, pasi është aq i natyrshëm) del nga kafeneja e “Salihut”, i hipën Mercedesit dhe niset për diku… rrugës së krenarisë. Xhepi i tij tashmë është “ngrohur” nga ca qindra Euro më tepër të gastarbajterëve altruistë. I gjithë fshati e di që mësuesi i Historisë Adem Dërguti ishte një “titoist i përbetuar” e edhe “spiun i komunizmit fshataresk”. Edhe pse të tilla “historira të vogla” (për nxënësit e fillores) fshati nuk i analizon me lupën time. S’e lodh kokën kush për t’i shpalosur detajet aq imcake të së kaluarës, e sidomos jo nëse fjala është për një “mësues të zakonshëm të historisë…

Mirëpo i bindur jam që fshati e njeh “titistin Adem”, si një snob ordiner, si një oportunist, si një servil i nomenklaturës së dikurshme titiste, si një servil pa brekushe i aparateve politike dhe i njerëzve të pushtetit aktual, si një servil e përfitues pavarërisht rrethanave dhe ndryshimeve të kohëve, si një vegël që u lëpihet funksionarëve lokalë, njerëzve në pozitat e “komunales” e edhe më lart. Ndërsa varfanjakët e fshatit që s’janë aq të zotët sa ai vetë, që s’janë aq të hijshëm e pedantë sa ai vetë (në syrin e tij) , i përbuzë, nuk i respekton aktivitetet e tyre qofshin dhe “intelektualizma”, i konsideron më të ulëta “krahasuar me vlerat dhe shijet” e veta. Sepse ai vetë është i hijshëm, shtatlartë, veshur me kostume allafranga, kalitur me pedantërinë “qazimeske” të komunizmit fshataresk. Tekefundit, sepse këto janë “tiparet” e snobizmit fshataresk, tiparet e një snobi ordiner!

***
Një humoreskë e imja dikur, ose tregim i shkurtër (me titullin Nëna “de Luxe”), ndër të tjera qe frymëzuar pikërisht nga “karakteri” i mësuesit të Historisë. Në kuadër të humoreskës pata folur për “metamorfozën” e komunizmit fshataresk dhe për veset e krenarisë së Kryeplakut të Katundit.

Si figurë, mësuesi i Historisë Adem Dërguti s’është as i vetmi dhe as i fundit, mirëpo karakteri i tij (kësaj radhe nëpërmjet një historie të vërtetë shkollore) mjafton sa për ta ilustruar fenomenin e “titoizmit fshataresk”. Tani me këtë foton që e gjeta të surlaxhinjve ironikisht sikur m’u “hidhësua” e gjithë historia. Thuase Interneti ma hodhi për inat… thuase enkas që ta mbështesja “hipotezën” time të vagullt rreth tito-mësuesisë dhe të verbërisë.
(vijon)