“Ekuivalenti” i dikurshëm gjerman, i Hollivudit amerikan !

(s. guraziu – ars poetica, sht 2018)

Gjatë vetëm 14 viteve që përfshijnë periudhën e Republikës Vaimar (1919-1933), industria gjermane e filmit do e kishte një zhvillim të paparë, në thelb ishte “ekuivalenti gjerman i Hollivudit”, çdo vit prodhoheshin mesatarisht 250 filma, për 14 vite dolën gjithsej 3500 filma me metrazh të plotë – thuhej në tekstin e “Monovisions”.

Imagjino, 250 filma çdo vit, vit pas viti, thuase 1 ditë e gjysmë… dhe hooop 1 film fringo në treg : ) S’e kemi fjalën për gjithë Evropën, s’e përmendëm fare as Francën, as Italinë, as Britaninë. Kam përshtypjen më shumë se 250 filma s’i prodhon as Hollivudi i kohës sonë (dmth. 50 shtete së bashku të Amerikës moderne). Tekefundit nuk prodhohen më shumë se 250 sosh që ia vlen sadopak… mbase – apo ku di unë, s’është se i konsultova statistikat dhe se gjoja tani na qenkam fort i sigurt. Ok, nëse eventualisht ta shtonim dhe Bollivudin hëpërhë ashtu do na bëheshin dhe 2500 filma, mirëpo sa për krahasimin tonë të “vockël”… pse t’mos e lëmë Bollivudin rehat : )

Kjo periudhë e filmografisë vaimariane, kjo “epokë e artë” e kinemasë gjermane shquhej dhe për zhvillimet teknologjike në realizimin e filmave, si dhe për eksperimentimin skenografik dhe të ndriçimit. Studio Babelsberg qe bërë studioja më e madhe filmike në Evropë, nga e cila u prodhuan shumica e filmave të kinematografisë gjermane. Vetëm në Berlin ishin aktive rreth 230 kompani filmike. Fakti që filmat ishin “pa zë” dhe meqë gjuha s’ishte faktor, kjo e mundësonte angazhimin dhe të aktorëve të huaj, qoftë dhe për rolet kryesore – cekej dhe ky detaj në “Monovisions”.

Ndërsa dihet që Republika e Vaimar (pas Luftës I Botërore) ishte përpjekja e parë e Gjermanisë për demokraci të mirëfilltë, dhe se do përballej me shumë sfidash serioze. Kryesisht si përballje e rëndë ishte pagesa e kostos gjigante (dëmshpërblimi i luftës) që rrodhi nga Traktati i Versajës, por dhe inflacioni në rritje të vazhdueshme, ngërçi ekonomik, papunësia e lartë etj. Përfundimisht Republika do përmbysej nga Partia Naziste… nga “mustaku” dhe sharmi politik i Fuhrerit.

[ disa nga infot dhe fotot: monovisions – (majtas) – aktorja austriake Gerda Maurus (1903-1968) një yll i ekranit të “shurdhër”, i pati magjepsur shumë nga burrat e industrisë filmike atëbotë, duke përfshirë drejtorin Fritz Lang, dhe ministrin nazist Josef Goebbels – (djathtas) – Erna Morena (1885-1962), aktorja gjermane e pati një karrierë të shkëlqyer në kinemanë “pa zë”, në vitet 1910-1925 ]