Antonio Rizzi – Perandori Nero dhe Agripina

Antonio Rizzi (1869-1940) – Perandori Nero dhe (nëna e vrarë) Agripina

Antonio Rizzi (1869-1940) – Perandori Nero dhe (nëna e vrarë) Agripina

(pak fjalë – s. guraziu – ars poetica, g 2018)
| – – –
Për pjesëmarrje në një konspiracion kundër të vëllait (perandorit Kaligula), Agripina qe përzënë (ekzilosur) në v. 39, mirëpo dy vite më vonë, në v. 41 iu lejua të kthehej në Romë. Po atë vit (41) perandori Kaligula qe vrarë, si rezultat i një komploti të përbashkët nga oficerët e Gardës Pretoriane, i senatorëve dhe oborrtarëve. Që ditën e vrasjes të perandorit Kaligula, gardistët pretorianë e deklaruan Klaudiusin si perandorin romak të radhës.

Në v. 49 Agripina ishte rishtas nën dyshimin për helmimin e burrit të saj të dytë, Krispusit. Burri i saj vdiq, rrethanat dhe pse-ja e vdekjes të paqarta, mirëpo që atë vit ajo rishtas u martua, tashmë me perandorin Klaudius (paçka se ishte mbesë e tij, paçka se ky, ne mënyrë indirekte, mund t’ishte madje vrasësi i të vëllait, Kaligula – ashtu-kështu një dekadë më herët, ajo vetë si motër pati qenë e dyshuar nga i vëllai Kaligula, andaj dhe qe përzënë nga Roma).

Agripina e bindi Klaudiusin ta caktonte Neron (djalin e saj) si trashëgimtar të fronit (në vend të djalit që Klaudiusi veç e kishte me gruan e mëparshme, Mesalina, i cili quhej Britanikus).
Vetëm pak vite më vonë, në v. 54 perandori Klaudius vdiq. Rishtas e “dyshuar”, Agripina. Askush s’e di “saktë” si dhe përse pati vdekur perandori Klaudius (ashtu papritmas, njësoj si dhe djali i tij, Britanikusi, më vonë).

Gjithsesi dyshimet i qenë veshur ambiciozes Agripina. Cenimi i vetëm potencial për fronin perandorak të Neros (djalit të saj) mund t’ishte dmth. djali i Klaudiusit, Britanikusi, i cili ishte vetëm 13 vjeç, kur Nero do bëhej perandor pas Klaudiusit të vdekur, mirëpo dhe Britanikusi duhej të vdiste pa kaluar as 1 vit i Nerosë në fron.

Në fillim të v. 55, edhe Britanikusi vdiq papritmas, i helmuar “ndoshta” me urdhrat e Neros. Meqë i ngrati “përfaqësonte” tutje ndonjë rrezik eventual për fronin (ashtu-kështu të fituar me aferat tinëzare “diplomatike” dhe me manipulimet e nënës së tij, Agripinasë). Kur e mori fronin pas Klaudiusit, Nero ishte vetëm 16 vjeç, nëna Agripina fillimisht e luajti rolin e regjentit për perandorin e ri. Gjithsesi, ndikimi i saj në aferat qeverisëse të të birit gradualisht qe dobësuar, pasi Nero qe bërë “burrë” për ta marrë përgjegjësinë rreth çështjeve të perandorisë.

E megjithatë, dhe vetë Agripina duhej të “largohej”, dhe vetë nëna e Neros duhej të vdiste sepse atij, tashmë perandor, i dukej si “pengesë”. Agripina do t’vritej ndoshta nga ai vetë, nga vetë i biri i vet. Ajo Agripina e pandalshme, e cila i pati bërë pothuaj të pamundurat, s’pati lënë “gjë pa bërë” për ta sjellur Neron në fron. Për shkak të kundërshtimit të saj rreth aferës së Neros me një grua nga Pompei të quajtur Sabina, djalosh-perandori vendosi ta vriste nënën e vet.

Urrejtja e Neros ndaj saj thuase i kalonte të gjitha “përmasat”, sidoqoftë karakteri i Neros nga këndvështrimi psikologjik përshfaqet jashtëzakonisht kompleks, unë s’di apo s’kam “dëgjuar” ta ketë zbërthyer ndonjë ekspert-psikolog. Sipas “Analeve” të Tacitit (ose Tacitusit), Agripina do t’provonte madje dhe incestin me Neron, duke synuar shpërqendrimin e vëmendjes së tij nga Sabina. Ndërsa Nero do bëhej shkaktari madje dhe i vdekjes së gruas Sabina (qe bërë gruaja e tij). Sabina ishte shtatzënë dhe gjatë një fjalosjeje ky do e godiste me shqelm në stomak. Nga pasojat e goditjes së tij ajo do vdiste…

Mirëpo kur është fjala për nënën Agripina, plani i Neros për ta “hequr qafet” nënën e vet nënkuptonte një lundër të sabotuar për fundosje, dhe mbytja e saj do duhej t’i ngjante fatkeqësisë. Mirëpo ajo nuk qe mbytur, pati shpëtuar disi… duke notuar në breg. Thuhet se përfundimisht qe vrarë në shtëpinë e saj, nga vrastarët e dërguar me urdhër të tij.
| – – –