Plautusi – Një e parë më mirë sesa dhjetë të dëgjuara!

(sg – ars poetica, 27 maj 2019)

Një e parë më mirë sesa dhjetë të dëgjuara – të shohësh është të besosh” – Plautusi (~254-184 p.e.s.)

(…çfarë fati, duhet t’ndjehesh i lumtur Plautus (andej në jetë-përtejmën tënde), i vdekur 2200 vjet më parë dhe bota ende i njeh me dhjetra vepra që i ke shkruar, madje të “shkruarat” s’ishin as ide origjinale, ishin huazime (diç si “plagjiatura” pa të keq, me qëllimin më të sinqertë të iluminizmit)

***

Dihet se me zgjerimin e perandorisë romake, zgjerohej dhe “huazimi” i elementeve kulturologjike nga bota e qytetëruar rreth e rrotull. Romakët s’kishin ç’huazonin nga pafundësia “barbare” e trevave që i nënshtronin (siç ata vetë i quanin popujt më të prapangelur se Roma). Mirëpo nga qytetërimet pararendëse, sidomos nga sfera greke, kanë huazuar pothuaj gjithçka. Disa gjëra i ri-emërtonin, sepse u pëlqente të “tingëllojnë origjinale”. Bie fjala “theatron-i” grek s’do quhej tutje “teatër” por “auditorium” (mbase tingëllonte më latinisht : )

Ishte pothuaj një lloj “mimezisi kulturor-artistik” – pa le që romakët i patën “huazuar” madje dhe vetë perënditë. Sidoqoftë, për Plautusin sikur po thosha mëvete: çfarë fati, duhet t’ndjehesh i lumtur Plautus (andej në jetë-përtejmën tënde), i vdekur 2200 vjet më parë dhe bota ende i njeh me dhjetra vepra që i ke shkruar. Madje të “shkruarat” s’ishin as ide origjinale, ishin huazime (diç si “plagjiatura” pa të keq, me qëllimin më të sinqertë të iluminizmit).
Vetë jetoj pikërisht në të sotmen dhe s’hodha në dritë as dhe 1 libërth që do ia vlente sadopak për të tashmen. Sa për t’mbijetuar si “vlerë” 2000 vjet s’ka shans, as që mund të flitet. Nëse dhe vetëm të “pretendoja me imagjinatën” bota do shkokëlohen së qeshuri për 2000 vjetët e ardhshme : )

Plautusi ishte një dramaturg romak (periudha e latinishtes arkaike), thuhet se dramat-komeditë e tij janë veprat më të hershme të latinishtes që kanë mbijetuar. Jo më pak por rreth 20 vepra dramaturgjike të tij kanë mbijetuar (ndonjëra aty-këtu me ndonjë mungesë të vogël, herë ndonjë faqe e herë fundi). Ndërsa me dhjetra të tjera njihen vetëm si fragmente, dmth. Plautusi mund t’i ketë shkruar mbi 50 sosh.

Paçka se ai thjesht i kopjonte përrallat greke dhe i kthente në diç satirike për kohën ose në komedi (si pjesë teatrale). Se mos vetëm ai, temat greke të mitologjisë i kopjonin-adaptonin të gjithë varg e varg. Psh. njësoj dhe Seneka, mirëpo ky zgjedhte “temash” më të mëdha, më serioze. Rreth 8-9 vepra të tij konsiderohen “gurthemeli” i gjithçkaje dramaturgjike, dmth. që e kanë influencuar dramaturgjinë e ardhshme të botës perëndimore.

Thënien e tij “Një e parë më mirë sesa dhjetë të dëgjuara – të shohësh është të besosh” e kisha në kokë që moti (në anglisht), më ishte e njohur… “one eye-witness is better than ten hear-says” por s’kam ditur kujt i takonte si mençuri. Ca ditë më parë e kuptova që na ishte e Plautusit.

[ grafika – aktorë teatri në një mozaik romak nga Pompei, thuhet se teatri i parë, diç si ndërtesë madhështore qe ndërtuar në Pompei, ndërtesa pompeiane do ishte si model për të gjitha godinat teatrale të mëpastajme të perandorisë – dhe portreti i Plautusit, pa ngjyra, lart ]