E dhimbshme kur njeriu lexon për situatat e përkeqësuara, për tendosjet në vendlindje, kur dihet mirëfilli që të tilla acarime e situata mund të eskalojnë si mos më keq. Jo mirë kur njeriu i sheh forcat speciale të policisë si “foto ilustruese”, si ilustrime pompoze të gazetave të Evropës. Me vite e vite e njëjta këngë (po bëhen dy dekada që nga lufta) prore e përherë “lajme për tension” në veriun e brishtë të Kosovës.
Jo mirë kur lajmet thonë se serbët i kërkojnë ushtrisë “gatishmëri”. Një anti-krim kampanjë të policisë kosovare shteti serb e konsideron provokim sa për ta “parat-izuar” ushtrinë. Në një vend lexova madje dhe MiG-at e aviacionit serb paskan fluturuar “përgjatë kufirit”…
Nga një ultranacionalist i cili e udhëheq Serbinë s’mund të pritet diç më ndryshe. Dhe është fakt që në Serbi, e edhe në Kosovë lidershipi është kryekëput “nacionalistik e ultra-nacionalistik”. Vetë historia ballkanike dhe e kaluara e turpshme “evropiane” (përsa i i përket Ballkanit) sikur e bën të natyrshëm “nacionalizmin” e atjeshëm. Andaj, ndoshta njësoj është e “natyrshme” që gjithmonë do ketë tendosje…
Desha të them… për gjithçka sikur e “akuzoj” Evropën. Sipas meje gjithçka e pazgjidhur e Kosovës thjesht është e pajustifikueshme për Evropën. Problemet dhe çështjet e pazgjidhura të atjeshme janë për shkak të “neglizhencës” e të dembelisë politike evropiane.
Sa herë lexoj ndonjë lajm të tillë për situatat e tendosura të Kosovës pothuaj sikur me një zë të shurdhër i them Evropës “j’accuse” (pakashumë ngjashëm si Zola i ngratë dikur, paçka se ai i qe drejtuar direkt Presidentit, unë s’kam si ia drejtoj “gishtin” askujt, por pra meqë s’kam… atëherë gjithë BE-së).
(sg – ap, 29 m 2019 – ngjitur, disa foto të Associated Press)

