Bio-lampyris

BIO-LAMPYRIS
(ose Peshku i Errësirës)

S. Guraziu, 2014

S’ka frymor më thellë
që i duhet fryma,
gjallesë që i duhet jeta,
poshtë zonës eufotike
të ultësisë,
peshk i ngratë i thellësisë,
nëse nga ata pa sytë,
atëherë s’të duhet drita,
do kesh tjera guida –
ti mirë e di, Dielli i shuar
s’ka si vetëdigjet,
asnjë pishtar s’është
Feniks, as prush as hi,
as urnë, asnjë qiri,
as yll i fikur s’rindizet
pa një xixë stralli
në zemrën e tij.

Nëse e ndien irida
jote, kujtohu, ti je zhytësi
i thellësisë, Dielli
ende është aty ku ishte,
mos ki frikë, bio-dritë
është, do bësh pakëz
dritë dhe ti – herë bishtalec
i vetë bishtit do jesh,
herë mbi kokë do
zgjatesh si bisht, herë
në kërthizë “zonjash”
tërë jetën si parazit –
s’do jesh pishtar krenar
si Polaris, llamburitëse
e Babilonisë, flakadan
i pashuar në Atlantis,
kurrë mos u zhgënje,
ruaje driten dhe ata sy,
për botën tënde
mjafton një e vetme
shkëndijë, mini-llambë…
bio-lampyris.

Ilustrimi: Arti i Mikroskulpturës – Mini-gdhendurina kreative në grafit (majë lapsash) nga artisti rus, Salavat Fidai – mikroskulpturat janë zakonisht 2mm – 0.5mm, punohen nën lupë a mikroskop, dhe duhen 6 orë deri 2 ditë për përfundimin, natyrisht… duhen dhe nervat skajshmërisht të qeeeeeeta, duhet durimi i pinguinëve të akullnajave 🙂