(s. guraziu – ars poetica, shk 22 – asgjëbërja italiane ka dallim me atë të “traditës çajupiane” : )
(…sipas italianëve duhet shijuar në plotësinë e vet secilin moment të “asgjëbërjes”, e gjitha që ia vlen n’ato momente është të jetohet vetë momenti…)
[ ngjitur: Lawrence Alma-Tadema (1836-1912) – Banjat e Perandorit Karakalla, 1899 ]
…në pikturën e Alma-Tadema shohim një skenë imagjinare nga interieri i “thermae” të perandorit Karakalla, gjoja gjatë një dite teksa mbushur me romakë duke u larë e freskuar, në plan të parë tri vajza në stilin “dolce far niente” * padyshim duke biseduar rreth “dashurisë” (njëra nga to në duart mban një buqetë me lule), tutje pas tyre shihet diç si pjesë e rezervuar për femrat (mbase për zonjat e zonjushat e rangut të lartë) dhe tutje pak më larg shihen figura meshkujsh në këmbë, thuase paksa të hutuar a të përhumbur, duke i shijuar idilikat e banjo-nudistikave : )
(djathtas – ca foto të gërmadhave, banjat e perandorit Karakalla, Romë)
…ndërtuar mes viteve 212 – 217, gjatë mbretërimit të perandorit Septimius Severus dhe perandorit Karakalla, për nga madhësia në metropolisin e Romës u takonte “vendi i dytë”, thuhet se ishin funksionale për nja 3 shekuj, patën qenë në përdorim deri në vitet 530 – nga të gjitha banjot publike (dmth. të Romës romake) për nga madhësia “vendi i parë” u takonte atyre të Dioklecianit, ndërtuar mes viteve 298 – 306, s’domend se interieret do kenë qenë madhështore për ta vënë në punë imagjinatën pikturale, mirëpo piktori Alma-Tadema në pikturën e vet ka “preferuar” t’jetë një skenë nga banjat e perandorit Karakalla…
[ dolce far niente – kënaqësia e “asgjëbërjes” italiane ]
( ngjitur: John William Godward – “Dolce Far Niente“, 1897 )
…dihet se dhe “asgjëbërja” ka rëndësi, është diç si kënaqësi e vetë kënaqësisë së gjallimit, psh. italianët përveç punës, gatimit, verës së ëmbël, dijetës së shëndetshme mediteraneske, qeshjes, dashurisë, muzikës, vallëzimit, shetisë, aktivitetit shoqëror në përgjithësi etj. etj., “asgjëbërjen” e konsiderojnë si diç fort të rëndësishme, sepse ndihmon që njeriu t’jetë i lumtur, i buzëqeshur dhe i shëndetshëm…
…gjithsesi, rishtas kuptohet që s’duhet ngatërruar gjërat, bie fjala ka lloj-lloj mënyrash të “asgjëbërjes” shqiptare (s’është nevoja të mohohet ky fakt, anise lexuesi ka të drejtën t’mos pajtohet – e kjo do nënkuptonte që lexuesi nuk u pajtuaka as me “verejtjen” e Çajupit), e sidomos “metodat tradicionale” të dembelisë malazeze, padyshim bota i kategorizon të gjitha si “dembelosje” – sepse shpesh ndodhë t’mos jenë diç më shumë se aq, diç si dembeli e gjithë ditës duke ndenjur nën hije sipas traditës çajupiane “…bilbili ia thotë, gratë si sorkadhe, burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë”…
…jo pra, “dolce far niente”, asgjëbërja italiane është pakëz më ndryshe, është pothuaj diç si akt-kult, diç si ves kulturor, anise nuk është “yoga” mirëpo thuase përmban një lloj urtësie “orientale” brenda, thuase e ngërthen dhe një lloj “budizmi” – esenca e “asgjëbërjes” italiane nuk e manipulon obligimin për punën dhe angazhimin, por nënkupton ta shijosh jetën për një moment sa më shlirshëm t’jetë e mundur, thjesht çaste të relaksimit total mendor, shpirtëror e fizik (ngjashëm si kur njeriu ikën për ca ditë diku në det, për ta harruar punën, stresin e gjithçka)…
…sipas italianëve duhet shijuar në plotësinë e vet secilin moment të “asgjëbërjes” (dmth. derisa duke mos bërë gjë, u muar vesh jo tërë ditën) – me fjalë të tjera “asgjëbërja” italiane është përvoja e këndshme e të shijuarit të kohës në kalim e sipër, duke i lënë mendimet të lira, fare pa frer, e gjitha që ia vlen n’ato momente është të jetohet vetë momenti, pa stres, pa brenga, pa lodhamendje, pa presion, thjesht të shijohet momenti si një kënaqësi e vetë kënaqësisë së gjallimit, moment “duke mos bërë gjë”…