Nëse foshnjat qajnë… nënat vrapojnë!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 22 (Humoreskë)

(…për fat të keq, Haga s’ka ndonjë “precrime” njësit, njësi speciale para-kriminalistike, për intervenime dhe arrestime kriminelësh ca sekonda para vetë krimit…)

***
Mustakologu i madh, Niçeja dikur e quante Zotin “ngutulush”, sipas tij Zoti qe ngutur dhe pati gabuar të paktën dy herë. Gabimi i parë… dihet (s’dua ta përmend, qëkur femrat e dinë), ndërsa i dyti si gabim trashanik, femrat.
Në rregull, u muar vesh se ishte gjykim i Niçes, s’kemi si ta dimë sa kishte të drejtë. Ndoshta dhe ai vetë ishte një ngutulush, ngutej me gjykimet… ama qëllimisht vonohej për t’i “qethur” mustaqet e veta.

Ose ja dhe një shembull tjetër. Thonë se thëniet e popullit janë fjalë të mençura, nuk thuhet kot “thënie e urtë”, apo jo. Thuhet, sepse janë thënie ngjeshur me përvojë e me urtësi. Psh. popullit në Kosovë ende i takojnë të gjitha të drejtat autoriale rreth thënies “femna i ka ment e shkurta”. Dhe shih, thuase populli na qenkësh ngutur me “thënien e urtë”, gjatë demokracisë (pothuaj demokraci akoma me biberon, me cucëll) i zgjodhi jo një… por dy Miss-Presidente.

Ndërsa Amerika, gjoja zemra e demokracisë moderne, që nga vetë filli i fillimit, që nga Washington-i i Parë, si Presidenti i parë me “1 dhëmb” (njëdhëmbaxhiu), kaluan shekuj dhe afro 50 Presidentë varg e varg… populli amerikan as dhe një “mendjeshkurtër” s’e zgjodhi si Miss-Presidente!
Hm, disa gjëra thjesht s’kanë si sqarohen…

Kohët e fundit, fitohet përshtypja sikur dhe vetë Zoti është ndalur e duke dëgjuar. Nëse jo totalisht konfuz, atëherë sëpaku ca i përhumbur nga konfuzioni. Thuase tokësorët me kakofoninë mediatike, me lajmet e tyre, me luftrat e mosmarrëveshjet, me një milion kanale të “eterit”, ia kanë bërë mendjen lëmsh. Thjesht është ndalur dhe ai, duke mbajtur shënime në bllokun e vet – siduket s’ka dëshirë të ngutet.

Përndryshe s’ka si sqarohet vonesa e tij me gjykimet rreth padrejtësive dhe luftrave. Edhe nëse t’na ketë harruar aty-këtu (s’përjashtohet mundësia), s’ka si u shmanget ca “rregullave” ujdisur nga ai vetë. E qartë se disa gjëra i kanë ato veset “antropike”, ama ca të tjera vetë i pati lidhur me kauzat, me kauzalitetin. Ai vetë e pati lënë të natyrshme rregullën më bazike, “nëse foshnjat qajnë… nënat vrapojnë”. Sepse kuptohet nënat kanë dhe tjera brengash, ndonjëherë mund të hutohen me hekurosjen, me telefonatat, me telenovelat etj etj.

As vetë Epikurusi i lashtësisë s’e kuptonte, qe ulur dhe mjaft qartë e pati gjykuar “neutralitetin” e Zotit. Fare origjinal, në stilin e vet, o është puna kështu o ashtu – na i pati sqaruar gjykimet e veta.
Me vonesen e gjatë sikur na sugjerohet se Zoti vërtet ka vendosur t’mos ngutet më. Gjykimet e tij zgjasin më gjatë se ato të tribunalit në Hagë. Zgjatur e stërzgjatur, as kometat e Milky Way me bisht-pluhurin e tyre s’janë më të gjata.

Dhe është e çuditshme. Natyrisht që s’dimë ta sqarojmë, ama fjala është për omni-dijen, për omni-potencën… ai sheh dhe di gjithçka. Jo vetëm sheh, ai madje dhe i parasheh të gjitha detajet brenda rrezes së “Event Horizon”. E mbase dhe ato përjashta… ashtu-kështu çështje të veta, multiversale.

Sa për ata “gjykuesit” e Hagës dhe s’kanë faj të ngratët, mirë që s’po na vdesin nga mërzia. Duhet t’i dëgjojnë me miliona detaje, duhet t’i analizojnë me miliona gënjeshtra, t’i verifikojnë me miliona të vërteta… ja pse as nuk i ngut kush.
E dhimbshme është që gjykimet e tyre mund të ndodhin tek pasi t’kenë ndodhur padrejtësitë, katastrofat e luftës, masakrat, gjenocidet… etj. Për fat të keq, Haga s’ka ndonjë “precrime” njësit, njësi speciale para-kriminalistike (si në filmin e Hollivudit “Minority Report”, film bazuar në tregimin e shkurtër të Philip K. Dick) për intervenime dhe arrestime kriminelësh ca sekonda para vetë krimit.

S’është për t’u hedhur “posht” ideja jonë se ai krimineli i luftës, krimi-madhi Millosheviqi pati dhënë shpirt nga mërzia. Jo se e brente ndërgjegjia, as jo se na i qenkësh dobësuar zemra. Një mendjekriminel, një vrasës me armadën e vrastarëve nën komandë, një “criminal mind” dhe me zemër të dobët, të ligshtuar! Thjesht s’pi ujë. Mjekësia moderne ende s’ka shpikur ndonjë diç për ta matur mërzinë. Ikja e tij s’kishte t’bënte me shëndetin (ok, fakte s’kemi por) padyshim do kenë qenë ato seancat e gjata, monotonia dhe mërzia.

Shkurt, ec e merre vesh, disa gjëra s’kanë si sqarohen, as ngutulishizmi i Zotit (sipas mustakologut Niçe), as vonesat, sikur dhe as ngutulushizmi i popullit me thëniet e “urta”. Nëse Niçeja e quante Zotin ngutulush dhe gabimtar, nëse populli i Kosovës i hëngërka vetë fjalët e veta të “urta”, atëherë s’di…