Barbara Ellen Sorensen – Vallëzimi i Manasë

VALLËZIMI I MANASË*
Barbara Ellen Sorensen [ 1945, ShBA ]

Pas ekstazës shi-larëse
në një rrugë të kuqe argjilore
në Petit Trou de Nippes,
një grua duke çarë rrugë përmes
turmës së rara-kërcimtarëve*
gjunjëzohet për ta përshkuar
një leckë të bardhë
pambuku në tokë.

E fshiu me të gjithë fytyrën,
pastaj u ngrit për ta ledhatuar
fytyrën time derisa unë tundesha
në dritën e buzëmbrëmjes,
të gjitha fjalët e misionarëve,
paralajmërimet e tyre,
duke u zhdukur në zbraztësinë
e zbehtë nga ku kishin ardhur.

Ajo i foli me dashuri
tokës si këngëtim kriolësh*.
Rreth saj kumbonin tingujt
e thellë të tubthave prej çeliku
mbrujtur në trompat
dhe boritë e zgjatuara.

Trembur nga gjumi nëpër
degë pemësh të limonit,
qindra gatash u ngjiten qiellit.
Derisa ato fluturonin,
unë vallëzoja sikur t’isha
perëndeshë, loa* Ayizan.

Vallëzova sikur trupi im
ta artikulonte përjashta
zërin-palcë të kockave të kuqe,
zërin-palcë të kockave të verdha.

Vallëzova si një dhi që blegërin
e lidhur për një pemë,
pastaj për t’ia falur fytin një hanxhari.
Gjaku i saj duke kulluar mrekullish
të panumërta në një enë druri.

Më vonë gjatë asaj nate,
një burrë i ri haitian
solli arra kokosi, kungull uji,
qitro dhe i la ato para hyrjes
së tendës sime.

Kur u zgjova, isha e vetmuar
në tokë, era përplasej në mua.
Ku ishte gruaja që ma fshiu
fytyrën dhe më pati bekuar?
I lash frutat të kalbeshin,
ua lash mizave të zeza të mëngjesit,
duke mohuar vallëzimin
e manasë, balsam.

Lyons, Colorado, 25 Prill, 2011

– – –

* Manë – (në Bibël, ushqim shpirtëror) substanca e furnizuar si ushqim për izraelitët në shkretëtirë (si një lloj i mrekullisë hyjnore)
* Rara – një formë e muzikës dhe vallëzimit festiv nëpër procesione publike të rrugës, kryesisht gjatë Javës së Pashkëve, me origjinë nga Haiti
* Kriolët – me prejardhje të përzier evropiane dhe të racës së zezë, sidomos në rajonin e Karaibeve, pasardhësit e skllevërve të epokës koloniale
* Loa – perëndi e kultit “vudu” në Haiti

– – –
© 2013, B. E. Sorensen – “Compositions of the Dead Playing Flutes”, Able Muse Press, 2013
© Për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2015