Maurice Gilliams – Shishe në Det

SHISHE NË DET
Maurice Gilliams [ 1900-1982, Belgjikë ]

Anija e tij është fundosur, jeta ka mbaruar: / Ai e hedh shishen në det dhe përshëndetë / Ditët e së ardhmës që i vijnë.
(Alfred De Vigny)

Shkapërderdhje e zymtë e gjakut
asgjë të mirë s’i solli shpirtit e stomakut.
Ne jemi krijuar nga krenaria,
nga keqkuptimi dhe nga fati i keq.

*
I fiksova sytë e mi deri në verbëri.
dhe kjo perlë e verbër u ruajt
– këtu, në ishull, pranvera lulëzon;
në votrën time kënaqet një majmun.

*
Një njeri i vetmuar trashet në shtrat.
i kafshon thonjtë e vet dhe qan, e trishtë.
Pleshtat dhe fantazmat e shtyjnë të mallkojë.
Dhe ai përhumbet në thellësitë shtjellore.

*
Yjet lëvizin dhe ikin mbi ekzistencën
time të gjallë dhe të trishtuar.
Sytë e mi të pagjumë nuk shohin fund,
por në mua fundi ngadhnjimtar.

*
Për melljen dhuro diellin dhe shiun
(butësia juaj kurrë s’u çmua sa duhet!)
– Kilota, ose bukë, një vend si bujtinë
mjaft nga fëmijët kurrë s’i ka marrë.

*
Një grua duhej t’i ruante veshjet e mia
tek unë luftoja me drangonjtë-ëndrra.
Humba rrugën nga poshtë tehut mbi bar.
Atje ajo ëmbël ulur po ndizte një zjarr.

*
Ma lejo t’i ngrohë këmbët e mia, bir.
Hëna dhe era të gjithin më kanë mpirë.
Një njeri përtypë rrepa tërë jetën
prapa trëndafilave të pasionit të vet.

*
Honi përskaj yjeve e hap gojën thellë.
Zemra ime një zbraztësi boshe në gjumë.
– Ah, nënë, mos më zgjo tani për qenësinë:
të pikëluarit janë ata që korrin në pikëllim.

– – –
© 1954, Vita Brevis Foundation – Nga: Verzamelde gedichten – Publikues: Meulenhoff, Amsterdam, 1993 – via Poetry International (Rotterdam)
© Shqipëruar nga S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

[ Foto: Amsterdam, 4 Tetor 1980 – Çmimi Letrar i Holandës 1980 i është dhënë poetit Maurice Baren Gilliams, mbretëresha Beatrix Wilhelmina Armgard ia dorëzon certifikatën ]