Jonathon Bowser – Isis – Fëmija i Tokës dhe Qiellit, 1995

[ nga “Mysteries of Lotus Maiden”, J. E. Bowser, 2017 – përgatiti S. Guraziu, Q 2019 ]

…piktori kanadez Jonathon Bowser, përveç pikturimit të perëndeshave mitologjike (pothuaj më bukur se askush), po ashtu dhe me shkrimet, thuase me një “nerv” mjaft të qetë letraristik, vetë na i sqaron të gjitha “ingredientet” e frymëzimit të vet – në esetë (lidhur me pikturat përkatëse) na flet për çfarë flasin pikturat, psh. rreth ndërlidhjes së mitologjisë, religjionit, shkencës, na sqaron si janë kaptuar figurativisht misteret e botës a të kozmosit, na sqaron rreth elementeve mistike, rreth miteve moderne e të lashta, rreth bukurisë natyrale, rreth sfidave të shoqërisë, rreth ngarendjes industriale, rreth përçapjes shkencore e filozofike të njerëzimit etj etj…

…ç’është e vërteta, jo dhe aq shumë piktorë na i sqarojnë dimensionet e fshehura filozofike të pikturave, ndoshta sepse shpesh s’ka diç “filozofike” brenda, si shembull (dmth. meqë ra fjala) mund ta vë dorën në zjarr se portretet “hund-shtrembër” të Zhaklinës së Pikaso, apo ato portretet “qaralaçe” të Dora Maar, s’kishin asnjë “mister” filozofik, s’besoj t’ketë fshehur gjë “brenda” pjatave e keramikave, i pati bërë me qindra e qindra, sidomos dimrave furra e tij s’dinte të ndalur, thuase industrialisht merrej me pjekjen e keramikave, s’ke si i fsheh filozofizmat me dy-tri vija shtrembalaçe, apo jo 🙂

…ose ndoshta sepse shpesh s’është nevoja për sqarime ekstra… brushat flasin njësoj sikur dhe germat, ose ndoshta sepse, derisa maestro me brushat, mjaft nga piktorët ndodhë s’ndjehen aq maestralë me penat etj etj., nga ana jonë mund t’ketë sa të duash mosdije tutje, s’kemi si ta dimë 🙂

…sidoqoftë, si me brushat si me fjalët, përmes serisë pikturale (ashqtuquajtur) “Mythic Naturalism”, Bowser trajton tema të ndryshme nga arti, feminizmi, mitologjia, religjioni, kozmologjia, filozofia, shkenca… gjithmonë duke kërkuar gjetjen e “qëllimit të padukshëm” të botës, këtë këmbëngulje evolucionare-universale piktori ka zgjedhur ta përfaqësojë si një “femina” enigmatike, po aq dhe magjepsëse, veshur me pamjen dhe proceset e natyrës (diç si mantel, a si fustan natyral), Bowser thotë se në pikturat e tij mitike-naturaliste, kjo prani misterioze “feministike” është përherë boshti rreth të cilit rrotullohet poezia dinamike e dizajnit…

“Isis – Fëmija i Tokës dhe Qiellit”, 1995

***
[ “Isis – Fëmija i Tokës dhe Qiellit”, 1995 ]
Në fillim gjithçka ishte errësirë ​​në Nin, në oqeanin zanafillor të kaosit. Dhe do binte një zjarr i madh, emri i tij ishte Ra. Ky e krijoi Shu (Ajrin) dhe Tef-nut (Lagështinë); këta do e krijonin Qiellin dhe Tokën. Nut, perëndesha diafanoze e qiellit, dhe Geb, perëndia i patundur i tokës, ndjenin joshje reciproke dhe dëshirë për njëri-tjetrin, duke e ditur se me bashkimin e mitrës eterike të qiejve dhe farës materiale të tokës, të gjitha gjërat ishin të mundshme.

Mirëpo Ra, sovrani i kozmosit, ishte ziliqar (dhe i frikësuar) për potencialin e madh që zotëronin Nut dhe Geb, andaj e ndaloi bashkimin e tyre. Nut dhe Geb nuk u bindën, sëshpejti do bashkoheshin në një përqafim të shkurtër por plot pasion. Kur Ra ​​mësoi për kundërshtinë e tyre, e kaploi një zemërim i madh. Sakaq e urdhëroi Shu (Ajrin) të rrinte përjetësisht si pengesë mes tyre. Edhe sot e kësaj dite, tokën e vetmuar e përvëlon dëshira për ta përqafuar qiellin e dashur.

Sidoqoftë, Ra na qe vonuar, bashkimi i tyre i shkurtër megjithatë do ishte i frytshëm: Nut i lindi katër fëmijë – vëllezërit Osiris dhe Set, si dhe motrat Isis dhe Neftis. Këta u bënë katër hyjnitë kardinale dhe sovranët e kozmosit. Nga të katërtit, Isis, perëndesha e jetës, heshturisht e posedon supremacinë. Ajo është nëna e Shpirtit të Përjetshëm të Egjiptit.

Isis është Zonja e Katër Elementeve (arkaike): e dheut tokësor dhe ujit, e erës qiellore dhe zjarrit. Si pëlhurë e gjallë e forcave themelore të natyrës, Isis është nëna e të gjitha gjallesave. Është magjia e saj transformuese që e lidh pasivitetin e pakohë dhe eterik (qiellin – mendjen), me aktivitetin dhe fiziken kalimtare (tokën – trupin), lidhje kjo si mrekulli unike e jetës dhe e rigjenerimit natyror.

Isis i thërret kockat e gurta të Gebit (Tokës), që gjaku (Uji) i saj të rrjedhë poshtë për t’i ushqyer katër anët e botës. Farërat e tokës lindin me frymën e saj (Erën), kështu mund ta gjejnë një shtëpi në shkretëtirë, dhe në këtë mënyrë të sjellin shkëndijën (Zjarrin) e jetës së re.

Bota natyrore që lulëzon, glob i vogël (planeti ynë), i brishtë dhe i humbur në mbeturinat e pafundme ndëryjore, është si oaz në shkretëtirë: është jetë, shpresë, gëzim dhe bukuri… ku në fakt s’do duhej të kishte asgjë. Por energjitë elementare të perëndeshës e bëjnë atë si oazë. Ritmi i stinëve “jetë-vdekje-jetë” është fryma ritmike e perëndeshës.

Pranë gjoksit Isis mban simbolin e njohur si “Ankh”. Fjala përkthehet “jetë” ose “vitalitet”, por simboli është gjithashtu një piktograf i njeriut (koka, krahët, trupi). Isis që përkëdhel butësisht këtë Ankh është imazhi i nënës dhe i fëmijës (njerëzit janë fëmijët e saj). Si të gjitha nënat, lufton për t’i mbrojtur fëmijët e vet – anise s’ia del, teksa fëmijët rriten dhe bredhin larg mbrojtjes së butë të Nënës, ata përfundimisht dhe mund t’vuajnë.

Si të gjitha nënat, edhe Isis e vuan dhimbjen e fëmijëve të saj, ajo vuan në pafuqinë për ta parandaluar dhimbjen e tyre. Por një dhimbshuri e thellë ushqyese është gjithashtu përbërëse e forcës jetësore që Ajo i ofron botës. Nënë-perëndesha na thërret në qendrën mistike, një vend i shenjtë dhe i qetë transformimi, ku shpirti i lodhur ringjallet nga dashamirësia e saj jetëdhënëse. Mëshira e pafundme e bukurisë së saj, e shfaqur në lavditë e natyrës, është një premtim se dhimbja dhe vuajtja e madhe e jetës – po aq të natyrshme dhe të pashmangshme sa graviteti – janë për një qëllim të madh dhe fisnik.

Në këtë thertore (bota jonë) të kobshme të mjerimit dhe të vdekjes ka një pushim: perëndesha gjithmonë i shëron plagët tona, plotëson forcën dhe vendosmërinë tonë, na i mbush zemrat me dashuri për fëmijët tanë dhe na frymëzon të qëndrojmë kundër tmerreve të mëdha që ndonjëherë shpërthejnë nga thellësitë e kaosit. Ashtu siç feminiteti fizik sjell në dritë jetën fizike, edhe feminiteti shpirtëror sjell jetën shpirtërore. Është përmes këtij aspekti të perëndeshës që ne rilindim: jo thjesht qenie fizike, por disi dhe shpirtërore.

Kur dikush ka mësuar të rezonojë në linjë me këtë aspekt, dhe kështu t’i unifikojë vibracionet hyjnore elementare të tokës dhe qiellit (dmth. ta bashkojë arsyen e rëndë me intuitën delikate, parësoren me racionalen, profanen me sublimen), atëherë ky dikush ftohet të fluturojë mbi krahët e iluminizmit deri në majën e një piramide të madhe prej drite, mbi të cilën pret Krijuesi i kozmosit…

[ ngjitur “Isis – Fëmija i Tokës dhe Qiellit”, 1995 – teksti nga “Mysteries of Lotus Maiden”, J. E. Bowser, 2017 – përgatiti S. Guraziu, Q 2019 ]