Justin Trudeau, çorapet dhe “ekstazat”

(sg – ap, q 22 – diç si koment rreth hobi-dukurive të “rralla”)

…ju ndoshta e keni ditur, unë jo (sapo e mësova nga Yahoo) se Kryeministri i Kanadasë, z. Justin Trudeau e paska “hobby” koleksionimin e çorapeve, veçanërisht i pëlqyekan çorapet sa më ekscentrike, aso me lloj-lloj xingla-minglash, të kolorizuara dhe sa më laroshe…

…dorën në zemër, se ka lloj-lloj hobish, obsesionesh e vesesh… këtë e dija, bota njeh lloj-lloj koleksionistësh, ama derisa (si persona) Trudeau s’është aspak jokonvencional dhe as i “çuditshëm”, desh u mahnita pakëz me vesin e tij artistik, sikur ngela gojëhapur me spektrin e gjerë të lule-lajleve çorapeske, me laryshinë e tyre, me përzgjedhjen dhe me ekspozimin nëpër eventet…

…hm, s’duhet anashkaluar, se ç’ka diç “fetishiste” në vete ky obesion, sikur s’para e prisja që pikërisht Trudeau t’i mblidhte dhe t’i ekspozonte – meqë ra fjala, s’do isha “habitur” nëse ky obsesion t’i kishte takuar z. Trump, apo atij Kim Jong-un-it të Verio-Koresë etj etj., për gjërat e pritshme s’ke si mahnitesh as çuditesh, apo jo, s’ka si mahnitet njeriu nëse Kryeministri Rama herdokur t’i ekspozojë 37. 678 kravatat e veta, sa simpatike po aq dhe të shtrenjta, unikate të rralla si peshqeshe politike gjatë 2-3 dekadave…

…ose, ja dhe një shembull tjetër – dihet se posedimi i drogave të paligjshme mund t’i çojë njerëzit në burg, asgjë për t’u çuditur, gjithë ligjet e botës “anti-narkotike” kështu e thonë, mirëpo ja që një holandez s’e ka frikë burgun, s’e ka patur kurrë frikë (ehuuu tekefundit burgu është për burrat jo për burrecat, thonë kosovarët, apo jo…

…ky lulandezi e kishte “hobby” të koleksionojë asgjë tjetër por aso pilula të “ekstazës” (padyshim e dini ç’janë, vetë s’i kam provuar ama teorikisht fjala është për aso pilula që ta rrisin “qejfin çmendurisht”, me ta gëlltitur një të vetme, sado e vockël na qoftë, psh. në disco njeriu saora zhytet në “trans”, vetja të duket si një engjëll i dritës duke vallëzuar, e gjithë bota pastaj e jotja dhe ti vetë si fluturush pa flatra diku në ajri…

…me pasion e me përkushtim të pashoq na i pati shpenzuar mbi 2 dekada duke mbledhur pilula “ekstazo-sjellëse”, kuptohet se dhe ato e kishin laryshinë e vet shumëngjyrëshe, patjetër se do kenë patur lloj-lloj formash; të rrumbullakta, 3-këndore, 4-këndore, ndoshta dhe penta-këndore – gjithsesi, tani sikur më dhimbset pak, të ngratit i pati vajtur mundi huq, për 2 dekada i pati mbledhur mbi 2400 pilula, secila unike dhe ndoshta e “vetmja” si ekzemplar, mirëpo për fat të keq në v. 2009 koleksioni i tij na qe zhdukur, thjesht dikush ia pati vjedhur…

…natyrisht, nëse bëhet fjalë për “ekstazat” s’ke si ia sheh për të “madhe” asnjë hajni, plaçkitja e eksto-kënaqësisë (si akt) mbase konsiderohet totalisht e justifikueshme, sidoqoftë për lavdërim është dhe fakti se koleksionisti fatkeq vjedhjen e pati raportuar në mënyrë mjaft “humaniste”, policisë i pati thënë se kushdo që t’jetë hajni… i lumtë për zotësinë, ama duhet t’ketë kujdes pasi rreth 40 nga pilulat në fakt na ishin tejet helmuese, fort të rrezikshme, ishin vetëm si “ekspo”, jo për përdorim realisht : )

***
[ “in his free time Trudeau enjoys boxing and collects socks, especially eccentric and brightly coloured ones…” – Yahoo ]