Bebja famoze… e pavdekshme!

(sg – ap, q 22 – koment)

…më dilte në lajmet gjithandej, andaj ja dhe nga unë një lajm bebulushçe – para 3 ditësh, në moshën 95 vjeç, paska vdekur “bebja e shëndetshme… e Gerber” – vetë s’e dija por siç mësova, pothuaj 1 shekull më parë, “Gerber Baby” qenkësh vizatuar nga artistja Dorothy Smith, atëbotë “bebja” qenkesh modeluar sipas bebes 5-muajshe (e quajtur Ann Turner Cook), për t’u bërë pastaj dhe “logoja” e kompanisë Gerber, si dhe ikona industriale e ushqimit të shëndetshëm për bebet…

…e lehtë ta marrim me mend suksesin një-shekullor të bebulushizmit, parë me lupën “industriale”… ashtu-kështu shek. XX ishte shekull marramendës, bebet famoze dhe komercializmat e kësaj bote e kishin rrugën e vet, madje qe bërë dhe “trade mark” (markë e mbrojtur), padyshim dhe sot e kësaj dite Gerber krenohet me beben ikonike…

…ndërsa vetë ikona (meqë ra fjala, nënë e 4 bebeve të shëndetshme, 95-vjeçarja Ann Turner Cook, 1926-2022 – ndjesë pastë) gjatë jetës së vet s’paska bërë kushedi çfarë… asgjë të jashtëzakonshme, më së shumti paska qenë e njohur si bebe, famën e paska fituar si modelja artistike për “Gerber Baby” (fytyra e bebulushizmit do ishte ikona për 1 shekull të tërë në pakot e kompanisë Gerber) – gjithsesi, famën dhe famozitetin si fenomene jo gjithkush i kupton “drejt”…

…dmth. desha të them ndoshta jo gjithkush i justifikon meritat dhe meritokracinë në mënyrë adekuate – kuptohet se është lajm i keq që paska vdekur, secila vdekje përcillet me dhimbje dhe na pikëllon, ama sa për “beben e pakove” sikur m’u ngjall buzëqeshja… sepse në fakt ka ngelur e pavdekshme, thelbi i vetë thelbit; t’jesh një bebe-engjëll 5-muajshe dhe të ngelesh e famshme gjatë gjithë jetës pa bërë as hiç as gjë… përveç t’i ëmbëlsosh zemrat e botës me ëmbëlsinë “komerciale”, s’duhet mohuar, s’është meritë e vogël, apo jo : )

…psh. yjet e Hollivudit duhet ta shpenzojnë gjithë jetën duke vrapuar pas famozitetit, na i falin një milion e një buzëqeshje “fals”, që të duken gjoja si yje duhet të shtiren, të aktrojnë, të gënjejnë sa më ëmbël, u duhet t’i stisin me qindra filma të gënjeshtërt (dmth. me lloj-lloj aso gënjeshtrash simpatike-estetike), ose psh. për ta patur sadopak iluzionin e famozitetit shkrimtarët duhet t’i ujdisin me dhjetra e dhjetra libra, na vërshojnë me panumër vëllime, me qindra përrallash germatike, me panumër faqe, librashitësit do i “kopjojnë” pastaj dhe panumër kopje, imagjinata e shkrimtarëve thjesht s’ka kufij sepse deshën-s’deshën, imagjinata duhet t’jetë e pakufishme, e imponon “industrializmi”… etj etj. ka sa të duash shembuj : )