Sa të bukura “lajmet” sot, sa e ëmbël buzëqeshja!

sguraziu – 20 g 2022

(…për shpërndarjen e lajmeve vetë s’kam si t’mos jem kopjac, ama të vriten buzëqeshjet është njësoj si t’i vrasësh ata trumcakët e vegjël të shpresës…)

…ja, thuase na ishte aq e “pamundur”, sot paskemi lajme supeeeer, as të mërrolura as hiç, fort bukur – uroj që gjithmonë kështu t’na jenë “lajmet”, pa sforcime, precize, të sakta, të verifikuara, koncize, të mençura, të vërtetuara, të shkurtra, pozitive, të qarta, optimistike, të thjeshta, simplistike, të buzëqeshura… etj etj. një milion etj.

…s’ka si më bukur, madje, aty ku i lexova e gjeta dhe një foto të buzëqeshur të Kurtit, sepse aq e rrallë kjo mrekulli, i kopjova me foto e me tekst, tekefundit për shpërndarjen e lajmeve vetë s’kam si t’mos jem kopjac, edhe ata i kishin kopjuar nga dikush tjetër, tutje ata të tjerët kopjuar nga Twitter… e keshtu me radhë, kopjim pas kopjimi, meqë lajmet s’mund t’i shpikësh vetë as t’i stisësh, menjëherë pas ndodhisë o duhet t’i dëgjosh me veshët e tu, o nga ndokush, o t’i lexosh diku, o t’i kopjosh, o t’i përkthesh, o t’i përmirësosh (sadopak t’i stilizosh) etj etj…

…sa për një grimë lustrim që u shtohet lajmeve aty-këtu, kjo ka t’bëjë me “diferencimin”, ndërrohet sadopak “layout”, aty-këtu shtohet ndonjë foto tjetër, ndonjë grafikë simpatike, sepse duhet pakëz laryshi, përndryshe s’do i dallonim, e gjithë faqja e gazetës do na dilte “uniforme”, si petat e flisë, sidoqoftë… e t’u gëzova për foton sa mos pyet, përndryshe Kurtit dhe ca ditë duhen, padyshim do ia vënë nofkën “mrrolan”, “PM Mrrolani”, “Primus Mrrolani”, “Optimus Mrrolani” o diç ngjashëm, pasi njihet si njëri nga më të “mërrolurit” e Internetit, qebesa mos më akuzoni për dembeli, kërkova por kot… as Interneti s’kishte si i filtëronte “mërrolat” e tij…

…sa për Miss-Presidenten Osmani, no comment… asaj i lumtë, rrallë e hiçkurrë i mungon buzëqeshja, madje them se portreti i saj zyrtar s’e ka as dhe një grimë “buzën” të stisur, gjoja stisje momentale enkas sa për pozën, s’jam ekspert i fotovo ama sa për buzëqeshjet s’ngelem mbrapa ekspertëve (dmth e pata fjalën për aso portrete që shkrepen pranë Flamurit, që vetë foto-ekspertët e shtetit i zgjedhin me kokallë, dhe i zyrtarizojnë)…

…sepse Miss-Presidentja (e respektuar, jo vetëm si një Zonjë, apo vetëm si Krye-Zonjë, ashtu-kështu madje dhe protokol-isht, të gjithë i përkulemi si xhentilmana me xhepat plot respekt), ajo e di fort mirë ç’do të thotë BUZËQESHJA, rëndësia e buzëqeshjes është e pakrahasueshme, të kalojë dita pa buzëqeshjen është pothuaj një ditë e humbur (kështu thonë urtësitë e botës), ndërsa unë them të vriten buzëqeshjet është njësoj si t’i vrasësh ata trumcakët e vegjël të shpresës…

…le t’ia shtojmë një shembull (kot, sa për ta ilustruar akoma më mirë “fuqinë e buzëqeshjes”), imagjino të dikurshmen, bukuroshja Vjosa t’mos i kishte buzëqeshur dikur të dashurit të vet, asnjëherë… prore e “akullt”, stoikisht zemërgur (e mërrolur si fotot e Kurtit), boooo i ngrati (dmth. dikur, jo tani… s’duhet ngatërruar skenarin) s’përjashtohet mundësia që lumturushi i saj, atëherë e kësaj dite do na kishte ngelur pa të – është tepër serioze puna e buzëqeshjeve, “konsekuencat” mund t’jenë të paimagjinueshme, falë buzëqeshjes së saj, sot buzëqesh dhe ai, aspak më ndryshe por si një lumturush : )