Problemi më madhor: kujt t’i besosh, “cilëve shqiptarë”!

S. Guraziu – AP, 1 Sht 2022

(…vallë na qenka aq e madhe Struga? Apo ndoshta më shumë e pati “zmadhuar” ish-Presidenti Meta me dallaveret e veta…)

Laszlo Moholy-Nagy – “Rreth i Verdhë”

***
Epo ç’na gjeti, vallë cilin lajm ta besojmë, cilën gazetë ta lexojmë. Njëra na thotë “hajduti i kombit, na i vodhi milionat”, tjetra thotë “hajn milioneri, krenaria e kombit”. Gazeta e Strugës thotë “hajni ynë na i vodhi milionat”, andej kufirit gazeta e Tiranës thotë “Presidenca i ndau hajnit të Strugës mirënjohje presidenciale”! Vallë si shpjegohet ky gala-kontrast… mozomokeq!

Të dyja gazetat krenohen për profesionalizma e për korrektësi. Të dyja krenohen se e dinë mirë ç’po u ndodhë në “shtëpi”. Struga s’është diku në Alaskë, 6000-7000 km larg, e Tirana na qenka Havana, atje poshtë pothuaj n’ Brazil. Hm, gjithë kjo marramendje… ok, ja se po kërkoj ndonjë verikim, patjetër bota di diç rreth “Meta”, s’janë të gjithë të prapangelur me informimin.

Dhe Interneti (siç e dini aq i pamëshirshëm) ma serviri gjithë Everestin, thuase thoshte 39 trilionë e 374.875 gjetje “Meta”. I ngrati Internet, sikur m’u dhimbs që e lodha kot. Mbase do i ketë përzier + dallaveret e Fb, sepse dhe këta tani kanë filluar merren me “Meta”. E di çfarë, lëre fare…

Si gjithë bota, edhe mediat shqiptare e hedhin materien në Internet, apo dhe shumë sosh s’kanë “habitat” tjetër por virtualizmin. Sipas logjikës ia vlen ta pyesësh Internetin. Problemi se ky na shtiret gjoja “neutral”, aq voluminoz thuase krejt oqeanet bashkë, gjithë materien në surrat. Njeriut i duhet një shoshë gjigante, diametrike sa unazat e Saturnit, për ta shoshitur.

Dallaveret e stilit “Meta-Rama”, “Sala-Basha”, “Sulltani-Ali Pasha” etj. me gjasë as vetë CIA me kuantum-kompjuterat e vet s’i shoshit dot. Ja pse kanë hequr dorë, s’ia vlen tutje me “shoshitjen” e dallavereve shqiptare. Jo se nuk ia vlen, për CIA-t e botës gjithçka ia vlen. Por ja që s’e kapërthejnë dot, s’kanë kapacitet. Tjetër se heshtin, u vjen inat natyrisht, zor se e pranojnë publikisht.

Ec e mos u çudit, ec e mos u huto, të dy palët shqiptarë, një gardh ndërmjet e gazetat e tyre aq kontradiktore. S’është fjala për malazezë dhe në anën tjetër për eskimezë. Gazetat e dy palëve na flasin “shqip-risht”, asnjëra kinezisht. Mburren se janë “prestigjioze”, të besueshme, të lexueshme. Njëra andej gardhit, tjetra këndej, nëse fiken dritat mund t’i shkëmbejnë “lajmet” si apaçët dikur, me tym – ehuuu ku i bie Alaska e ku Havana!

S’është fjala as për ato kontrastet ndërshtetërore, për faqosjet e tendosura me të hidhurat e së kaluarës. S’ankohet kush për “kontrastin” bardh-e-zi të gazetave prishtinase dhe atyre beligradase. Jo vetëm evropianët, por dhe vetë marsianët të tilla kontraste i kuptojnë. Për 20 e kusur vjet, deri tani eterin e tyre dramatiko-mediatik do e kenë “krehur” dhe vetë marsianët (nëse ekzistojnë). Sa për “kontrastin” e tyre e lehtë…

E qartë se biz-osfera shqiptare fort marramendëse, e qartë se biznesi + politika “simbiozë” e gjallë. Më tepër se kurrë ndonjëherë në histori, skandale dhe aferash të pista gjithandej. E qartë se kleptokracia shqiptare e organizuar, e qartë se kakistokracia shqiptare e lidhur (ndoshta i gjithë kuvendi komplet) me “Meta-Ramat”, me “Sala-Bashat” e me harambashat.

E qartë se “Dio-Ramat” s’i honepsin aq gazetarët e gazetarinë, kjo mjaft e dhimbshme eh… Dio-Mio. Sepse dmth. diku thellë ndrydhen ndoshta dhe shumë vese tjera despotike. E qartë se “Meta-Ramat” i kanë shtrirë rrënjët gjithandej, jashtë e brend, jo vetëm sipërfaqësisht por dhe thellë. E qartë se jastëku i “Meta” do na jetë fryer bukur mirë me biz-dallaveret e puplosura presidenciale.

Ujku “politik” qimen e ndërron… e shqiptarët akoma shtiren sikur s’donë t’ia dinë. Ua falin vetë nga 2-3 mandate… mashtrohen aq lehtë nga biz-bakllavat e tullumbat, pastaj ngelin e qajnë, me vite e vite.

***
Varësisht nga përspektiva, sepse “ligj” i natyrshëm është, dhe vetë monarko-fluturat kur dynden ndryshe e shohin Jugun e ndryshe e gjejnë Veriun. S’i ngatërrojnë përspektivat e kthimit, ama s’është nevoja të shtiren sikur s’paska “ndryshime”, gjoja as klima as kontinenti. Ja pse kam përshtypjen shqiptarët nëpër botë s’i kanë punët dhe aq mirë. Anise botë e “vogël”, si një fshat virtual tashmë, secili me iPhone… e saktë.

Për informimin e për lajmet “shqip”, më dhimbsen po aq sa dhe vetja. Dikur tjetër këngë, psh. Konica e kishte aq lehtë, një grusht lajmesh, me muaj s’ndodhte gjë. Madje s’kishte as telefon. Aty-këtu e hutonin “dezinformatorët”, s’e mohonte as ai, herë grekofilët e herë turkofilët i nisnin “fake news”, herë nga Stambolli e herë nga Bukureshti, ama aq. Gjërat ecnin ngadalë, s’kishin shans t’ia çorodisnin pasqyrën ballkanike.

Ndërsa sot, përkundër shpejtësisë dhe lehtësisë informative, shqiptarët e botës ndoshta kurrë s’kanë qenë më të hutuar, kurrë më të keqinformuar, kurrë më të dezinformuar. Tjetër se heshtin, padyshim do kenë hequr dorë, s’thonë gjë. Sepse e dhimbshme, shkapuritja e të vërtetave na sjell vetëm dhimbje. Ok, le t’heshtin ata, vetë s’kam pse e fsheh.

Lakmi… lum si shqiptaret në Shqipëri, Kosovë, Ulqin, Strugë, Tetovë e kudo andej. Lum si ata sepse të gjitha gjërat i kanë të qarta. Qëkur aty afër, i dëgjojnë detajet kahdo që rrotullohen, në kafene duke pirë kafenë, duke shitur e duke blerë, duke shkëmbyer batuta në treg, gjithandej, 100% të informuar. S’ua hedh kush dot, sado t’ua shtrembërojnë, “origjinalin” fillestar e ruajnë freskët në mbamendje.

Prishtina psh., metropolis modern, mjedis i qetë mediatik, i pastër, i pandotur, “pristine”. Ashtu-kështu s’merren me pollavrat globale, aty-këtu i komentojnë politikat e Amerikës, dhe aq (ok, ndjehen pakëz borxhlinj). S’kanë as “brainwashing” as shtrembërime. Fat i madh, siduket disa gjëra nuk funksionojnë nga afër, nuk funksionojnë me “valë të shkurta”.

Njësoj me gjithë konceptin e dritës tekefundit – thonë shkencëtarët. S’na takojnë të gjitha nuancat e prizmit, thjesht një fraksion. Njësoj dhe me valët e zërit, kemi barriera sonike, njeriu i kap vetëm ca valë jo krejt spektrin. Përndryshe do çmendeshim. Universi shtiret i “qetë”, engjëllor, miqësor për veshin tonë por realisht është diç si një ferr sonik, super-kaotik. Shumë gjëra të spektrit ngelin të “padëgjuara” për veshin tonë. Ca gjëra më tepër i kapin mbase balenat, lakuriqtë e natës por jo dhe ne. Disa nano-m kah ultësia, o më lart andej kah spektrum-kufiri dhe kot, universi e ka siguresën, hooop shurdhohet për ne…

Janë “ligje” universale, gjithë rajoni i gëzon të njëjtat kondita, pakashumë njësoj në Strugë, njësoj n’Sarandë, edhe n’Tiranë. Sepse duhet të jetë. Me afërsinë rajonale t’kapë e njëjta valë gravitacionale. Qetë e çiltër, për lakmi, s’kanë falsitete, manipulime, “fake news”. Kanë qetësinë, merren me avancimet e me “brainstorming”, mediat patjetër por dhe vetë kafenetë mund t’jenë diç si “thinktanks”. Ashtu-kështu intelektualët i ke tok, tradicionalisht miqtë bashkë nëpër bare e kafene, gravitojnë rreth njëri-tjetrit, rreze e ngushtë.

Pse, aq e madhe na qenka Struga? Ndoshta më shumë e pati “zmadhuar” ish-Presidenti Meta me dallaveret e veta sesa realisht është. Aferim pra Presidencës shqiptare për “zmadhimin” e Strugës. Mrekullia vetë, i dëgjojmë lajmet e tyre “universitare” merre me mend dhe ne.

Uroj t’pajtohen dhe shqiptarët e përtej-oqeanit, por padyshim problemi më madhor për shqiptarët e botës, aktualisht është: s’di njeriu kujt duhet besuar, “cilëve shqiptarë”! Ndoshta 80 e kusur katundet e Drenicës (së Epërme dhe asaj të Poshtme) tani kanë TV-stacione. Secila lagje e ka Universitetin e vet, Klan-Opinionin e vet, Top-Channelin e vet, Post-Gazetën e vet. Dhe imagjino, të gjitha shtyhen në Internet, të gjitha në një vend aspirojnë bukë-mjaltin e vet.

Herë StrugaPost, her DibraNet, herë RamaPost, herë MosPyet, herë LajmetFiks, herë GungaNews, herë PrizrenPost, herë KurtiShkurt, herë SalaPost, herë MetaPost… le t’jenë, mirë që janë por ndoshta më shumë Post-a s’i ka as Amerika me 300 milionë e me 50 shtete bashkë. Anise do e humbin audiencën dhe ata amerikanët, s’kanë “excitement”, edhe ca ditë e do ngelin pa lexuesit, pa audiencat e veta.

Ja pse guglushët e kanë zhvilluar atë “translatorin”, për t’mos patur barrierash gjuhësore, sepse nuk i dihet. “Meta-Ramat” janë materie interesante. WashingtonPost, EveningPost, MorningPost, New YorkPost e këso të ngjashme aq dekadente e bajate, Globalizmi kështu e ka, me iPhone kinez (dmth. made in China), lexuesi amerikan ia mbath aneskaj globit, e pse jo dhe në Ballkan.

Sorry WshingtonPost por bye bye, mjaft me gjërash bajate, i harruat me Al Capone e me Calderone, sa ishte Trump dhe ia bënim disi, argëtoheshim, tani asgjë s’e gudulisë kureshtjen tonë, asgjë “exciting”, s’i përmendni kurrë Rama-Metat e Ballkanit. Sorry, por e kam gjetur një MetaPost, një KurtiShkurt, një MosPyet, një StrugaPost falas + aq interesante.

[ grafika : Laszlo Moholy-Nagy – “Rreth i Verdhë” ]

***
[ më poshtë pak material i “InsideStory” – Tiranë, 2019 ]

“Lefter Koka gjatë periudhës që ka qenë kryetar i Bashkisë së Durrësit, nga viti 2003-2007, ka qenë pa arsim të lartë. Kjo pasi Universiteti i Strugës është hapur në vitin 2007 dhe është akredituar në vitin 2008. Pra, z. Koka ka qenë pa diplomë universitare në kohën kur ishte kryetar i një prej komunave më të mëdha në vend. Nëse Universiteti i Strugës u hap në vitin 2007 (akredituar 2008) del se diplomat e para të sistemit 3-vjeçar bachelor janë dhënë në v. 2010. Kjo do t’thotë se ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ishte pa diplomë universitare kur ishte kryetar i Bashkisë së Durrësit dhe hyri në Parlamentin shqiptar në vitin 2009 pa diplomë. Athua vallë pse z. Koka ka zgjedhur Universitetin e Strugës për të marrë titullin juridik. Përgjigja na vjen as më pak e as më shumë, por nga Presidenti aktual i Republikës, Ilir Meta. Presidenti Meta e viziton shpesh Strugën për të takuar mikun e tij, Ramiz Merko, i cili është pronar i Universitetit Ndërkombëtar të Strugës. Për ironi të fatit ATY është diplomuar Lefter Koka. Mos vallë ish-Ministri Koka ka arsim të lartë fiktiv, mundësuar nga një mik i kryetarit të partisë së vet”.