(s. guraziu – ap, sht 22 – ngutuni, hapni dhe ju një youtube – diç si humoreskë)
(ja dhe një video-ishull që nuk ekzistonte në hartat e youtube, pa hë të shohim cili Kruzo e paska zaptuar, cili Robin, cila Robina : )
Mbrëmë e hapa një kanal në Youtube, dmth. njerëzia do kenë shans për t’i parë videot (eventuale, bërë nga unë), për t’i dëgjuar muzikat etj. – privilegj i madh. Sipas meje e gjithë bota kanë ose kishin video-kanale… vetem unë akoma jo, totalisht i prapangelur. Në njëfarë mënyre e pakuptimtë kjo, pasi dhe pak e mbaron shek. XXI, fillon XXII, turp t’mos e ketë njeriu 1 video-kanal në Youtube. Ndokush madje mund t’i ketë dhe 2, 3, 4 e më shumë kanale – jo sepse patjetër duhen, por ndoshta sepse me 1 vitrinë të vetme ngatërrohen audiencat. E po ashtu mund të ngatërrohen dhe talentet e shumta të pronarit.
[ Ideja – Frymëzimi ]
Si shembull analog, as dyqanet reale të qytetit nuk i ekspozojnë në 1 vitrinë fustanet, bluzat, brekushet, “lingeries” + çorapet e leshta të gjysheve të Malcisë + sutjenat e edhe bie fjala + talentet e gatimit. Gjyshet dikur ishin kuzhiniere të forta (dhe ende janë), secila e kishte dhe flladanikun e vet (meqë dikur s’kishte frigoriferë, dihet kjo). Por s’do kishte kuptim të gjitha në një vend – lloj-lloj videosh të ndryshme në një vitrinë të vetme, herë për reçelin, herë për brumin, herë për ushkurin, e herë për pekmezin.
Jo pra, videot për fliat, për tullumbat e për sarajliat nuk shkojnë me “beauty & style” (jemi të mendimit dhe ne). S’bën të përzihen drith-e-miell gatimet me buzëkuqët e me shkëlqimet, patjetër se u takon një vitrinë enkas, speciale. Pa le që prapa videove (në Youtube) sot mund t’jenë dhe gjyshet “regjisore”, pse jo. Nëse janë, mirë-se-janë, normale dhe asgjë për t’u habitur, qëkur e gjitha ç’duhet është një iPhone (a smartphone çfarëdo qoftë, sot çdo smartphone ka kamerë, thjesht duhet tjetë i lidhur me Internetin).
Afërmendsh që femrat moderne konsiderohen eksperte për modat, për stilet, për “fashion” e për hesapet e bukurisë. Falë video-seancave në Youtube sot pothuaj të gjitha femrat e botës janë ekspertizuar. Sot mund të ndiqen lloj-lloj kursesh e seminaresh via video-konferencave. Njësoj funksionon dhe ai TED-i serioz për shkencat. S’e mohon kush tekno-ndihmën, “efektin internetik” dhe as modernizmin. Anise, secila fushë e ekspetizave i ka përparësitë dhe mangësitë e veta, kuptohet dhe kjo. Psh. nëse t’pandehnim se femrat moderne ua kalojnë gjysheve për fliat, për tjerrje leshrash a për çorapesh të leshta, hm kësaj do i takonte dhe pikëpyetja në bisht – zor se do ishte e vërtetë.
[ Arsyetimi ]
I sqaruam disa nga të këqijat e mospasjes së video-kanalit, i cekëm dhe disa nga beneficionet e Youtube, le ta shpalosim tani dhe “arsyetimin”. Arsyeja për hapjen-ekzistencën e kanalit tonë është si vijon: shkojmë madje dhe në kino për t’i parë fantazitë filmike të Hollivudit, thuase në shtëpi 1001 TV-kanalet e së sotmes nuk na mjaftojnë. Në fakt TV-ja tani thjesht është dhe “Internet”, i ka panumër kanale dhe për filmat, jo vetëm për lajmet. Njësoj si Youtube, edhe TV lidhet me Internetin dhe na ofron lloj-lloj filmash – herë me Amazon-at e herë me Netflix-at, madje lidhet dhe me Youtube : )
Nesër dhe vetë frigoriferi ynë do jetë diç si Frigo-TV, pasi do jetë i lidhur me Internetin. Mirëpo s’është fjala vetëm “vizuelisht”, e saktë se na tundon dhe audio-përmbajtja. Na pëlqen t’i dëgjojmë muzikat e yjeve, na pëlqen t’i shohim dhe duke vallëzuar, meqë ra fjala ja pse kur Dua Lipa del në bikini gjithkujt i ndalet fryma. Nuk është vetëm “zëri” por dhe vizualja, rëndësi ka dhe çfarë shohim. Dmth. vemi nëpër koncerte (herë të estradës lokale, e herë aso të muzikave botërore), për të “dëgjuar” por dhe për të “parë”, mrekullohemi me krijimet e kompozitorëve të famshëm, të Betovenave të kësaj bote… etj. etj.
Dhe asgjë, të gjitha “opsesionet” me filmat e me muzikat na duken aq normale, na duken të arsyeshme dhe fare kuptimplote. Gjithçka e justifikueshme dhe me vend. Mirëpo, dorën në zemër, interesante do ishte që aty-këtu të “dëgjohen” dhe muzikat tona, të “shihen” dhe videot tona, apo jo. Përndryshe Youtube s’do ekzistonte, s’do quhej kurrë “You…”, tekefundit do kishte dështuar qëmoti, firma si firmë do kishte bankrotuar.
[ Përmbajtja ]
Për fat të keq ende s’ia kemi filluar mirëfilli me furnizimin, sepse sapo filluar… s’i kemi aq në rregull as logjistikat as vitrinat. Tani për tani në vitrinën tonë ka vetëm 1 video. Në të ardhmen pritet që video-kanali të pasurohet, përmbajtësisht dhe kualitativisht. Nuk përjashtohet mundësia që vizitorët eventualë të ngelin gojëhapur nga mahnitja (dmth. kur t’i hasin videot tona… ashtu papritmas midis një askundi të Internetit). Padyshim do befasohen, do thonë ja dhe një ishull që nuk ekzistonte në hartat e Youtube. Pa hë… të shohim cili Kruzo e paska zaptuar, cili Robin, cila Robina, vallë ç’do ketë mbledhur në shportën e vet – qenka kanal i ri, akoma s’paska “lajka” por kjo sepse ishull i padëgjuar, i pazbuluar, as sateliti ende s’e paska trasuar, ja patëm fat dhe e gjetëm, e zbuluam : )
Sky Division – “Nolan’s Chase“, 2022
( experiment – alternative score for the Chris Nolan’s movie “Tenet”, 2020, the car chase scene – called it simply “Nolan’s Chase” )
